Fieri si qytet i urave

Fieri si qytet i urave
Përshkrimi nga disa lumenj e kanale të mëdha, të dobishme për qytetin dje dhe sot, kanë bërë që në të ndërtohen që në të shkuarën shumë ura. Historiani Ilir Gjika flet lidhur me ndërtimin e tyre. Vetëm mbi Gjanicë ndodhen shtatë ura, teksa pritet që rruga e re t'i shtojë numrit 12 edhe një tjetër urë.

Shumëkush ndoshta nuk e di që qyteti me më shumë ura në Shqipëri është Fieri, dhe kjo gjë nuk është e rastësishme. I projektuar nga themeluesit e tij në brigjet e lumit Gjanica dhe vetëm 1 km larg lumit Seman patjetër që urat do të shërbenin në mënyrë jetike për qytetin dhe rrethinat. Sot janë 12 të tilla të cilat mbartin secila nga një histori më vete, që nis nga shekulli XVIII për të vazhduar deri në ditët tona. Qyteti i Fierit ka shumë histori qysh nga ndërtimi i tij deri në zgjerimin e sotëm modern.

Për urat e qytetit të Fierit, flet historiani Ilir Gjika, i cili deklaron se janë 12 të tilla. Të dymbëdhjetë urat do të klasifikohen bazuar tek ujërat rrjedhëse mbi të cilat janë ngritur: urat e Gjanicës që përshkon tejpërtej qytetin e Fierit, Semanit dhe Vijës së Ngjalës.

Urat e ngritura mbi Gjanicë janë më të shumta. Shtatë të tilla mbartin edhe historitë e tyre. E para është ura e kishës së Shën Gjergjit, shprehet Ilir Gjika. E dyta është ura e hekurt, që ndodhet 100 metra në veri të së parës. Ajo u ngrit në vitin 1988 si rrugë këmbësorësh. Është ndërtuar me konstruksion metalik dhe përbëhet prej dy harqesh. Këtu tek kjo urë kanë ngritur tezgat e tyre tregtarët e Fierit. 100 metra në veri të saj ndodhet ura me shkallë. Quhet kështu sepse për të kaluar mbi të duhet të ngjitësh dhe të zbresësh 8 shkallë në të dy anët e urës. Edhe këtu në hapësirat boshe të saj tregtarët kanë ngritur tezgat për të shitur mallra. Kjo urë këmbësorësh është ndërtuar në vitin 1935 me financime të tregtarëve fierakë.

Ura e katërt mbi Gjanicë është ajo e Sheqit, e cila është urë automobilistike dhe shërben për të përballuar një fluks të madh kalimi të mjeteve dhe njerëzve, të cilët vijnë nga shumë qytete të Shqipërisë, për të shkuar në bregdetin e Vlorës apo në Fier. Edhe kjo urë iu nënshtrua rindërtimit në vitin 1945, pasi në 15 tetor 1944, gjatë tërheqjes, ushtria gjermane e hodhi në erë. Ura lidh dy lagje të vjetra të qytetin: Sheqin e madh dhe Bishtanaken, aty ku zë fill subjekti i romanit "Lumi i Vdekur" i shkrimtarit Jakov Xoxe. Nuk duhet harruar as ura tjetër mbi Gjanicë, një urë xheniere e cila lidh Sheqin e vogël me lagjen "Liri" të qytetit. Është urë këmbësorësh dhe autoveturash, e tonazheve të vogla. Por kjo urë nuk po mirëmbahet dhe në një pjesë të saj dërrasat me të cilën është ndërtuar dyshemeja, janë të thyera. Një tjetër urë mbi Gjanicë është ura e lagjes "1 Maj" e cila shërben si urë automobilistike e Unazës së Fierit, duke lidhur akset Vlorë-Fier me atë Fier - Tiranë, Fier - Berat dhe Fier - Kakavijë. E fundit mbi Gjanicë është ura hekurudhore që ndodhet në veri të lagjes "Bishanakë". E ndërtuar në vitin 1967, vit i ndërtimit të hekurudhës Lushnjë - Fier, ajo është ura që ka më shumë këmbë, gjashtë gjithsej.

Pas Gjanicës lumi me më shumë ura, është lumi Seman. Në veri të tij kemi urat e Mbrostarit. Në qendër ndodhet ura automobilistike e hekurt. Ajo është njëkalimshe dhe është fabrikuar në Dortmund të Gjermanisë. Ura është ndërtuar në vitin 1934 nga një shoqëri gjermane, e cila ndërtoi njëkohësisht edhe rrugën automobilistike Lushnjë - Fier, 27 km e gjatë. Sot te kjo urë rrallë kalojnë makinat, pasi vitet kanë bërë punën e tyre. Ajo më shumë është një relike e çmueshme dhe me vlerë në morinë e urave të sipërpërmendura, shprehet Gjika.

Dhe urat në Fier vazhdojnë më tej. Janë ura të ndërtuara para 30-40 vitesh.

Në të majtë të kësaj ure, ndodhet ura hekurudhore, ndërtuar në vitin 1967, ndërsa në të djathtë ndodhet ura e re automobilistike, e cila është ndërtuar në fillim të viteve 1980 për të përballuar fluksin e madh të kalimeve në këtë arterie komunikimi. Ndërkohë që në mesin e viteve '50 nisi në Myzeqenë e Fierit edhe bonifikimi i fushave kënetore. Për këtë qëllim u hap edhe kolektori i Myzeqesë së vogël, shprehet më tej Gjika. Është një kanal i madh kullues, i cili niste nga Marinza dhe vazhdonte drejt veriut të Fierit, duke iu drejtuar Adriatikut, ku derdhej në jug të plazhit të Semanit. Kështu lindi nevoja e ndërtimit të një ure automobilistike mbi këtë kanal në lagjen veriore të Fierit të quajtur Sheq i madh. Hapja e këtij kanali solli edhe një dukuri të çuditshme. Nga deti Adriatik në të nisën të futeshin shumë peshq dhe specie detare, mes të cilave edhe ngjala.

Kështu nisi një veprimtari sa sportive, po aq edhe ekonomike për atë kohë, siç ishte gjuetia e ngjalës, kësaj specieje të veçantë detare. Kjo gjueti solli edhe një toponim të ri siç ishte emërtimi "Vija e Ngjalës", i cili ruhet dhe përdoret edhe sot në qytetin e Fierit. Por sot ky lumë është tej mase i ndotur për shkak të derdhjeve të hidrokarbureve në zonat naftëmbajtëse dhe pothuajse ka zhdukur speciet nënujore. Në vitin 1967 në Vijën e ngjalës u ndërtua edhe ura hekurudhore e trasesë Lushnjë-Fier. Ndërsa ura më e re që do t'i bashkëngjitet urës së vjetër që lidh Fierin me shumë qytete të Shqipërisë nga ana e saj veriore, pritet të ndërtohet shumë shpejt. Pra, morisë së urave do t'i shtohet edhe kjo urë që do të rrisë numrin në 13 në lumin Gjanicë, në një distancë prej 1,5 kilometrash.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama