Me anë të një vendimi të posaçëm i cili është dekretuar nga Presidenti Topi me dekret nr.6838 më datë 5.1.2010 qeveria rrit ndjeshëm çmimin e akcizës për mallrat e tatueshme. Kështu, për kafenë e pjekur e dekafeinizuar ose jo, më parë akciza ishte 80 lekë/kg, tashmë me ligjin i cili është botuar në fletoren zyrtare dhe që hyn në fuqi pas 15 ditësh, bëhet 140 lekë/kg. Po ashtu rritje të akcizës ka edhe për pijet alkoolike, për produktet e duhanit, etj.
Ajo që vihet re në vendimin e qeverisë është zgjerimi i listës së mallrave me akcizë. Kështu, me ndryshimet në ligj, mallra me akcizë do të jenë edhe llambat inkandeshente, pilat dhe bateritë primare, akumulatorët, etj, të cilët kanë një akcizë shumë të lartë. Ndërkohë, me ligjin e ri trajtohen si mallra me akcizë edhe disa mallra të tjera që kanë ndikim mjedisor si ambalazhet e plastikës, qelqit, gomat, etj. Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Financave konsistojnë në zgjerimin e listës së produkteve të akcizueshme, që përfshin edhe disa mallra me ndikim mjedisor; uljen e akcizës për disa produkte si kafeja, me qëllim nxitjen e industrisë së përpunimit të kafesë në vend; heqjen nga lista të produkteve të akcizueshme të mallrave të parfumerisë dhe kozmetikës, jo vetëm me qëllim shmangien e kontrabandës, por edhe si praktikë që është në përputhje me atë të shumicës së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.