Berisha Koalicioni me LSI vazhdon

Berisha: Koalicioni me LSI vazhdon
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në një konferencë për shtyp të mbajtur para pak castesh se koalicioni me LSI do të vazhdojë pavarësisht dorëheqjes së Ilir Metës nga postet qeveritare.

“Koalicioni vazhdon, objektivat e tij të palëkundur mbeten integrimi, zhvillimi ekonomik dhe ai në rrafshin social”, ka pohuar Berisha.

Sipas kreut të ekzekutivit, vendet e lëna vakante nga largimi i Metës do të zëvendësohen nga përfaqësues të LSI-së.

“Postet që ka mbajtur zoti Meta do t’i mbajnë deputetët e LSI, njësoj sic kanë qenë”, ka saktësuar Berisha, duke nënvizuar se PD do negociojë me LSI për zgjedhjet lokale.

“Do negociojmë për cështje të caktuara por mendoj se fitorja e koalicionit në zgjedhjet e ardhshme do të jetë e ndershme”, ka deklaruar Berisha.

Duke përshëndetur dorëheqjen e parevokueshme të aleatit të tij, e cila sipas kryeministrit është bërë për t’u lehtësuar punën organeve të drejtësisë, Berisha ka akuzuar kreun e PS Edi Rama se ka sajuar gjithë këtë histori.

“Duke përdorur videot Edvin Kristaq Rama bëri cdo gjë për të shantazhuar kreun e LSI, duke i ofruar edhe postin e kryeministrit. Por në këtë përballje, fatëkeqi Rama, kryecimka mjerane e vendit, nuk kuptonte se cili është dallimi mes burrit dhe cimkës”, është shprehur Berisha.

Ai ka akuzuar liderin e opozitës se është kreu i një aleance mafioze, përmes të cilës ka zaptuar kryeqytetin dhe kontrollon trafiqet ilegale.

“Kreu i PS është kreu i një aleance punisto-mafioze, e inicuar nga Rama, e përbërë nga Doshi dhe grupi i bosëve të krimit, drogës dhe parave të pista”, ka theksuar Berisha.

Më tej kreu i qeverisë ka vlerësuar kontributin e Ilir Metës në kabinetin qeveritar, duke e cilësuar atë si “promotor” të reformave integruese.

“Meta ka një kontribut në këtë koalicion, në drejtimin e Ministrisë së Jashtme deri në momentin e heqjes së vizave dhe më pas në drejtimin e asaj të Ekonomisë. Ai ka qenë një nga promotorët e reformave dhe ky është koalicioni më i suksesshëm dhe më eficent që ka pasur ndonjëherë ky vend”, ka shtuar Berisha.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama