Regjistroni domainin tuaj .al

Kur Zogu bashkepunonte me Konicen dhe Nolin

Shkruar nga:  
Postuar më: 4 vite më parë

Kur Zogu bashkepunonte me Konicen dhe Nolin
Kur Zogu bashkepunonte me Konicen dhe Nolin

Shqipëria është në luftë dhe në vend sapo ka filluar rezistenca antifashiste. Kundërshtarët e Boshtit janë vënë në dijeni për qëndrimin e shqiptarëve dhe me një qëndrim të tyre njohin gjendjen aktuale të Shqipërisë. Kjo bën që pas një deklarate të Departamentit të shtetit amerikan, Faik Konica ka rimarrë përsëri pozicionin e tij, si përfaqësues i Shqipërisë, në vitin 1942. Por, kjo nuk zgjat shumë, sepse ai do të ndërrojë jetë papritmas. Mbreti shqiptar e shpreh haptazi mërzitinë, sipas adjutantit të tij Hysen Selmani, ndërsa vendin e tij, pa asnjë dyshim, i takon Imzot Nolit.

Po botojmë një nga letrat e fundit të Konicës, dërguar Sotir Martinit, përfaqësuesit të Zogut. Po ashtu edhe një letër e Nolit dërguar Zogut, ish-kundërshtarit të tij të madh. Si arritje, në këtë kohë, Mbreti shënon njohjen e luftës prej Fuqive të Mëdha dhe interpretimin e tyre të kësaj lufte. Kjo është arsyeja pse mbreti nuk heziton që t’i shkruajë për ta falënderuar Sekretarin e Shtetit amerikan dhe bashkë me të edhe presidentin Ruzvelt. Në fakt janë vetë amerikanët që po përpiqen që të ndërmarrin vetë hapat e duhur për të tatuar mundësitë që ka Shqipëria për të luftuar kundër pushtuesit. Ndërkohë që adjutanti pranon që të organizojë, përmes një ndihme të Egjiptit, mbretërorët në Shqipëri. Ndërkaq Abaz Kupi dhe Lëvizja Nacionalçlirimtare ndjehen krejtësisht të përçarë. Vendi ndërkohë ka zhvillime të tjera ku kemi mbledhjen e Mukjes dhe dështimin e saj, si edhe pak muaj më vonë dorëheqjen e Musolinit dhe zëvendësimin e tij me Badolion. Ndërkohë, krerët e monarkistëve përgatiten edhe vetë të shkojnë në Shqipëri. Por, sa e mundshme ishte kjo...

Nga Hysen Selmani*
Konferenca në Persie Iran 10.10.194?

Kjo është një pjesë e informacionit, që na sjell Adjutanti për këtë ditë: Konferenca e Aleatëve në Teheran ka qenë shumë entuziaste dhe shpjegohet si provë që Aleatët u morën vesh krejt, sidomos në lëmin e operacioneve ushtarake të ardhshme. Persia mori sigurime për tanesin e indipendencës dhe ndihmën, si do të gjejë me aleatët pas luftës. Ndërsa në Egjypt, konferenca midis Rooseveltit, Churchillit dhe Ismet Inonu, u duk se pati mjaft sukses. Por, u shënua se Turqia erdhi pa eksperiencë ushtarake. Në këtë konferencë morën pjesë edhe rusët, megjithëse ata kanë aleancë me Turqinë.

Churchilli u takua me shumë personalitete aleate në Egjypt dhe u mundua të zgjidhë problemet franceze dhe jugosllave. Pas kësaj konference të Egjyptit u shpërndanë duke mos dhënë asnjë lajm në vendimet e marra hollësisht.

Washington 20 nëndor 1942

Botohet ky lajm, sipas adjutantit: Departamenti i Shtetit Amerikan thirri dhe tani në fund Imzot Nolin dhe Faik Konicën, Kryetar i Panfederatës Shqiptare në Amerikë “Vatra”. Arsyeja ishte për të shprehur mendimet e tyre mbi mënyrën sesi mund të organizohej Qeveria Shqiptare në mërgim. E midis pikave që shënuan ishin:

1-Vetëm një lëvizje shqiptare, që të përmbledhë gjithë personalitetet shqiptare, do të ketë mundësinë për të thirrur gjithë popullin, që të bëjë diçka për Kombet e Bashkuara.

2-Mbreti Zog është personaliteti më me rëndësi si në Shqipëri e në shqiptarët. Dhe përjashtimi i tij do të zhveshi lëvizjen prej forcës së saj.
3-Që asnjë anëtar i këtij fronti të përbashkët nuk do të detyrohet të heqë dorë derisa të sigurohet indipendenca edhe integriteti shqiptar në konferencën e Paqes. Pas së cilës, çdo njeri do të rifitojë lirinë e veprimit të tij.

Londër, 20 dhjetor 1942
Vdekja e papritur e diplomatit të shquar Faik Konitzës

“Lajmi, tepër i idhët më 20 Dhjetor 1942, që u dha mbi vdekjen e patriotit e diplomatit Faik Konicës, Mbretin Zog I e tronditi thellësisht”. Kjo është fjalia e parë që thuhet nga adjutanti.

Më poshtë po ai vijon duke shprehur mendimin e tij se:

“Kjo ndodhi tamam, në këtë moment kritik të Shqipërisë. Faik Konica ka qenë një nga kampionët e indipendencës shqiptare. Shkrimtar, që ka botuar qysh në rininë e tij dhe botimet e tij vazhduan në lënda atdhetarizmi.

Faik Konica më 1926 u emërua Ministër Fuqiplotë në Amerikë dhe qëndroi në detyrë deri më 1939 të vitit fatal, kur Shqipëria u sulmua prej Italisë fashiste të “Premten e Zezë”. Veprimi i fundit, pas okupimit të Shqipërisë prej Italisë, ishte që Departamenti i Shtetit i njohu Faik Konicës, që s’mund të gëzonte privilegjet diplomatike më. Pasi s’kishte më Shqipëri dhe Legata shqiptare në Washington u mbyll. Ajo ka qenë periudha e politikës së përkëdheljes.

Por deri më 1939 për t’i bërë qejfin Musolinit. Por këta nuk e njihnin Musolinin, se ai ishte i pangopur e tani së fundit e panë që u bashkua në luftë me Gjermaninë dhe tani Shtetet e Bashkuara u detyruan të hyjnë në luftë kundër Italisë e Gjermanisë. Kurse, shqiptarët të harruar prej të gjithëve, nuk e lanë luftën kundër Italisë dhe gjithnjë vazhdojnë në malet e Shqipërisë. Më në fund, Washingtoni dhe Londra e kuptuan se shqiptarët vazhdonin në mundësitë e tyre në luftën kundër Boshtit dhe mund të ishin një përkrahje për Kombet e Bashkuara. Kështu erdhi deklarata historike e Sekretarit të Shtetit Cordell Hull, më 10 të këtij muaji. Me anën e së cilës, Shqipëria u sigurua se do ta rifitojë indipendencën e saj sipas Hartës së Atlantikut. Mbreti Zog, duke u bazuar në fjalët e Z.Hull, riemëroi Faik Konicën si përfaqësues të tij në Washington dhe kërkoi njohjen e tij si Kryetar të Qeverisë Shqiptare në mërgim. Faik Konica u paraqit menjëherë në Departamentin e Shtetit, në emrin e Mbretit Zog mbi këtë njohje dhe ky ka qenë veprimi i fundit i Konicës”.

Zotni Kordell Hull, në deklaratën e tij historike mbi Shqipërinë, më 10 Dhjetor tha: “Në vazhdim të politikës së saj të mirëvendosur Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk njohu okupimin tokësor të bërë me forcë dhe nuk njohu kurrë aneksimin e Shqipërisë prej koronës italiane. Në rast që kjo deklaratë ka ndonjë kuptim, ky kuptim është se Shtetet e Bashkuara do të njohin Mbretin Zog e jo Mbretin e Italisë, si Mbret i Shqipërisë.

Xhesti i bukur ka dhe një tjetër provë se: Përgjigja e Departamentit të Shtetit, do të jetë favorabile. Qeveria Amerikane vendosi të dërgojë kufomën e Faik Konitzës në Shqipëri, kur do të vijë koha në mbarimin e luftës. Një kortezh i tillë u bëhet zakonisht vetëm diplomatëve të huaj, që vdesin në shërbim aktiv”.

Më poshtë adjutanti vazhdon: Kjo do të thotë se Faik Konica njihet si përfaqësues i Qeverisë Shqiptare dhe se vdiq në shërbim aktiv. Nga ana tjetër e çmojmë shumë këtë xhest fisnik të Qeverisë Amerikane dhe dimë se Faik Konica e vlente. Vlen të gjejë prehje të vazhdueshme në vendin, që shërbeu gjithë jetën me besnikëri e lealitet. Tani, vendin e të Ndjerit Faik Konicës do ta rimarrë Magr.Noli, personi më i përshtatshëm, i cili ka bashkëpunuar me Konicën dhe është i njohur në politikën shqiptare dhe atë Botërore. Shpresohet që në Departamentin e Shtetit ky të zerë vendin e Konicës me një Dekret të Mbretit Zog.

Marokë, 31 kallndor 1943

Kjo është një kronikë për situatën, e cila na vjen përmes adjutantit: Për 10 ditë rresht Franklin Roosevelti, Winston Churchill dhe Shtatmadhoria Anglo-Amerikane u mblodhën në Casablanca në konferencë. “Atje kanë qenë edhe Gjeneral de Gaule dhe Cirauld. Thuhet se ishin edhe disa vende neutrale si Spanja dhe një përfaqësues Fillandez”. Konfernca mbaroi dhe Presidenti Roosevelt, mbërriti në Amerikë.
Për Churchill-in s’dihet gjë ende. Ushtarakët vazhdojnë konferencën e tyre. Në konferencë duket se u vendosën planet e vitit 1943 dhe u studjua veçanërisht lufta e nëndetëseve. U lajmërua se fuqia Aleate nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Boshtin përveç një dorëzim pa asnjë konditë. Çështja franceze bëri pak përparime dhe u vendos ose mbetën që të dy grupet të kenë një lidhje midis tyre. Komandanti i përgjithshëm i Forcave Aleate në Afrikë është amerikan dhe është Gjenerali Eisenhaëer. Kryetari i Shtatmadhorisë së përgjithshme është britanik dhe është gjenerali Mountgomery dhe Komandanti i Forcave franceze është francezi Gjeneral Cirauldis.

Ndryshimet në Komandën e ushtrisë të Afrikës shpjegohen si provë. Që përgatiteet jo vetëm sulmi kundrejt Tunizisë, por edhe kundrejt Ballkanit dhe Ishujve italiane.

Gjenerali Catroux u emërua prej Gjeneralit de Gaulle, si oficer lidhës me Gjeneralin Cirauld. Kjo bën që gjendja të përmirësohet.
Thuhet se u bë një marrëveshje midis Gjenerali Cirauld dhe Gjeneralit de Gaulle, në bazën e së cilës i pari merr punët ushtarake, kurse i dyti merr punët politike të Perandorisë Franceze. Gjenerali Catroux mbetet si ndërlidhës i të dy shërbimeve.

Jugosllavi, 24 kallndor 1943

Tani na vjen një situatë në Jugosllavi, e cila është e lidhur sipas adjutantit me situatën shqiptare: Duket se gjendja midis çetave të Gjeneralit Mihailoviç Draja dhe të çetave partizane është shumë e ashpërsuar. Ku çetat sllovene kanë akuzuar Mihailoviçin si në lidhje me fashistët e Gjeneral Nediçit. Duket se ndryshimi i fundit i Qeverisë së arratisur Jugosllave kishte për qëllim të merren dhe dy kroatë. Kjo për të afruar pak kroatët që janë të zemëruar. Gjendja politike nuk u zgjidh akoma në mes francezëve të lirë. Janë bërë disa arrestime të reja, ku u diktua një komplot për vrasjen e gjeneralit Cirauld dhe të Ministrit Amerikan Murphy. Gjenerali de Gaulle i bëri një propozim Gjeneral Cirauld, për të gjitha forcat franceze. Pritet që ky propozim do të sqarojë krejtësisht gjendjen me një mënyrë ose me një tjetër.

Stamboll 22 mars 1943

Madhëria e Tij Mbreti Zog I dërgon një telegram udhëzimesh kolonel Husein Selmanit, në Legatën Shqiptare Istanbul. Telegrami është:
“Kam marrë raportin tuaj të fundit stop. Jam duke bërë të gjitha demarshet për shkuarjen tuaj në Shqipëri stop. Mos humbni kontaktin me njerëzit në Shqipëri stop. Bëni çështë e mundur për bashkim stop”.

London 22 Mars 1943 ZOG I
Telegram Kenmore 6780

Albanian Orthodox Church in America
Boston Massachusetts, 27 Maj 1943:

Your Majesty

Unë jam shumë i nderuar për të pasur letrën tuaj dhe për të thënë sepse koha nuk është shumë larg, kur ne mund të takojmë njëri-tjetrin për çlirimin e vendit. Le të shpresojmë se do të jetë shpejt sepse ne kemi shumë gjëra për të biseduar dhe është shumë e vështirë për të ndryshuar pikëpamjet vetëm nëpërmjet postës.

Ndërkohë, Unë kam shumë nevojë për t’ju siguruar se do të kemi shumë bashkëpunime për Frontin e Bashkuar shqiptar nën drejtimin tuaj. Dhe, në opinionin tim, kjo është rruga më e mirë për të ndihmuar Shqipërinë dhe po ashtu edhe Kombet e Bashkuara. Unë jam duke shkruar me detaje nëpërmjet mikut tim Z. Sotir Martini.

(With earnest prayers for you and yours, I remains-Letra është shkruar në anglisht )
To His Majesty King ZOG of Albania, Your in the Lord
Parmmor Henley on Thames, England.
Bishop F.S. Noli, d.v.
(Lettre recue le 10 Juin 1943 par airmail)

Stamboll 12 qershor 1943

Kolonel Husein Selmanit, në këtë ditë në shtëpi i mbërrin shefi i zyrës së informacionit Britanik Z.Kameron. I cili i dorëzoi një letër të Mbretit Zog, nga Londra, ku i ka shprehur. Ja çfarë na vjen nga pena e adjutantit:“I dashtuni kolonel i eme. Mora raportin tuej me 5 Maj 1943. Jam shumë i kënaqur që po shoh se keni mbetun gjithmonë po ai oficer luftëtar, që u kam njohur ka mot. E pëlqej propozimin tuej, që të shkoni në Shqipëri. Bile më duket se udhëtimi juaj është i ngutshëm e i domosdoshëm.

Veprimi juej në Atdhe ka për të qenë organizimi e shtimi i antarëvet e drejtim i gurillavet mbas planit të përgjithshëm dhe direktivave të Komandës Britanike, me të cilën do të jeni në kontakt. Keni për të pasun rast edhe me bindun miqt tanë britanikë, që pretendimet e disa ish nënpunsave të pakënaqun, se gjoja nuk paskemi përkrahjen e popullit tonë janë pa themel.

Veprimi juej për tash, do të ketë një karakter çetash, pa marrë hovin e gjonksin e një kryengritje turmash, se ndryshe po të plaste parakohës një lëvizje e ktillë do të dilte e damshme, si për ne, vetë, po ashtu edhe për miqtë tonë britanikë. Mbasi të gjitha mundësitë tona duhet t’i ruejmë për çastin ma’ të volitshmin për mos me i shkuem kot pa kohë. Po, në këtë mënyrë, i kanë udhzimet e mija edhe njerzit tonë në Shqipni. Kur të vijë dita e veprimit të madh keni për të marrë prej meje urdhrin e nevoishëm. E ndoshta kam me qenë edhe vetë në mest tuej.
Ndërkaqë, unë kam besimin ma të plotin në juve, personalisht e në besnikinë tuej. Ju dërgoj përshëndetjet e mija të përzemërta.

Parmoor Henley – 8 Qershor – 1943
ZOG I.
Recommandations speciales pour kolo. Selmanin. (Rekomandime speciale nga Zogu)

1-Nisja e juej duhet të mbahet e mshefët. Gjithashtu dhe largimi juejë prej Istanbuli deri sa të mbërrini në Shqipni. Gjithë miqtë e të afrit tuej duhet mos me dit kurgja. Përveç jush vetum e gjithashtu dhe zyra e Shërbimeve kompetente britanike asht në dijeni. Kjo asht e nevoishme për sigurimin e juej se për mbi juve dipendon suksesi i operacionit, edhe sigurimi i miqve që janë me juve.

2-Përkthyesi, që do të merrni eventualisht me vedi, duhet mos te ketë asnji lidhje me rrethin e agjentave të anmikut.

3-Tue marrë parasyshë, kapacitetin e zgjutësinë e madhe të Gjeneral Parianit, e sidomos ndër elementat e shërbimit të informacionit të tij, duhet me qenë shumë i rezervuem komplet kundra njerzvet në shërbimin e tij.

4- Në Shqipnie duhet të merrni kontakte, me tanë oficerët e krishnikët, e gjithashtu me gjith komitetet dhe me ata që deklarojnë të jenë kundër nesh. Vetun duhet me kujdesi me u rujtun prej miqëve të anmikut. Tash duhet me i harrue të gjith anmiqësitë personale, po me bashkponue vllaznisht. Për arsy se ky asht një qëllim e nji mision serijozë e importantë.

5- Ma vonë kam për me ju vue në lidhje me Krenët e Kosovës”.

Parmoor Henley – 8 Qershor – 1943

ZOG I.

*Pjesë e ditarit të adjutantit të Mbretit Zog në mërgim.

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi