Bukuria meshkujt shpenzojne me shume se femrat

Bukuria, meshkujt shpenzojne me shume se femrat
Ky është rezultati i një studimi anglez. Pothuajse në të gjitha vendet e botës janë rritur shpenzimet e meshkujve për kurat ndaj trupit dhe fytyrës. Ndryshimet e vetme qëndrojnë në përgatitjen e valixheve: femrat i mbushin më shumë se meshkujt.

Burrat? Janë narcizistë të vërtetë. Jo rastësisht shpenzojnë më shumë se gratë për të blerë produktet e tyre kozmetike, edhe pse me përjashtim të ndonjë rasti kalojnë gjysmën e kohës që të dashurat dhe gratë e tyre harxhojnë para pasqyrës. Konfirmimi për këtë tendencë të re vjen nga një studim anglez i kryer së fundmi. Një sondazh i kryer nga një ndërmarrje integratorësh ushqimorë, në një grup me të rinj nga 18 deri në 35 vjeç, ka treguar se si meshkujt anglezë harxhojnë mesatarisht 11.72 sterlina në javë (shifër e barabartë me 14 euro) për të blerë kremra dhe produkte për flokët: d.m.th. një sterlinë më shumë se gratë. Një në pesë të tillë përdor rregullisht krem hidratant, ndërsa 1 në 20 përdor rregullisht piastrën për flokët.

Kudo njëlloj

“Diferenca mes dy sekseve po shkurtohet gjithmonë e më tepër. Sot meshkujt e ri ndihen më shumë në lartësinë e duhur duke investuar kohë dhe para për lukun e tyre në krahasim me brezat e kaluar”, nënvizon një drejtues i kompanisë që ka bërë këtë studim. Por, mos mendoni se janë vetëm gratë angleze që u duhet të luftojnë me burrat përkatës për të zënë një copë pasqyrë në banjë apo për të blerë ndonjë krem magjik për rrudhat. Edhe në vendet e tjera të Europës, meshkujt janë shumë të ndjeshëm ndaj këtij argumenti. Kështu, një studim për meshkujt italianë ka treguar se ata harxhojnë kryesisht 250 milionë euro në vit për produkte kozmetike specifike, aq sa e thënë nga ekspertët do të jetë ky sektori që mendohet të ketë një zhvillim të madh në vitet në vazhdim.

 Por kjo nuk është e vetmja tendencë e seksit mashkull. Po ashtu është zvogëluar edhe koha që meshkujt i dedikojnë argëtimit, duke preferuar më tepër t’i kushtojnë kohë kurës së trupit dhe ushqyerjes së duhur. Në krahasim me femrat, po sipas studimit, meshkujt e kanë më të vështirë t’i zgjedhin vetë produktet kozmetike dhe ndaj për këtë u drejtohen shpesh specialistëve. Kjo nuk ndodh me seksin e dobët, që e di mirë se çfarë u duhet dhe çfarë jo. Me pak fjalë, për burrat më mirë është mjeku dermatolog se sa shitësja në dyqan për sa i përket zgjedhjes së produkteve.

Femrat

Në klasifikimin europian të bërë në katër shtete, vihen re disa disa dallime: kështu, në vend të parë pozicionohen anglezet, por vetëm për sa i përket trukut. Ndërsa në sektorin tjetër, akoma më elegant, atë të parfumeve, renditen gratë spanjolle. Sipas një kërkimi të quajtur "Parfumet dhe kozmetika në Europë" të zhvilluar nga Mintel, gratë britanike kanë shpenzuar për make-up në vitin e fundit një mesatare prej 52 eurosh për person kundër 46 të francezeve. Po sipas studimit, del se Britania e Madhe ka shpenzuar një shifër rreth një miliard e gjysmë euro në vit për produkte kozmetike, ndërsa në Francë dhe Gjermani shpenzimi rrotullohet rreth shifrave 1 miliard e 200 milionë euro. Spanja renditet e fundit, me vetëm 600 milionë euro.

Por, megjithëse anglezet harxhojnë më shumë për trukun, spanjollet dhe spanjollët kanë investuar rreth 42 euro për person në parfume, ujë, kolonjë dhe after-shave rreth 8 euro më shumë se francezët dhe francezet. Mesa duket, parfumi është një nga armët më të forta për të bërë për vete shokun ose shoqen në Spanjë. Në fakt, sipas këtij kërkimi, gratë spanjolle (rreth 96 për qind) përdorin parfumin dhe një ndër tri hedh parfum më shumë se një herë në ditë. Franca, që gjithmonë është konsideruar si "atdheu" i kozmetikës, sipas "Mintel", mban vendin e parë për sa u përket shpenzimeve të përgjithshme të këtij sektori, jo vetëm për produktet e lyerjes, por edhe për kremrat, prodhime alkoolike dhe për higjienën, e ndjekur nga Britania e Madhe dhe nga Gjermania.

Kirurgjia dhe qendrat estetike

Në vitin 2008, sipas një studimi të kryer në disa vende të Europës, u pa se meshkujt blinin deri në shtatë produkte të ndryshme mes kremrave për fytyrën dhe trupin (gratë blinin deri në dhjetë produkte) me një konsum të barabartë me 30 për qind të totalit dhe një xhiro vjetore prej 10 milionë eurosh. Në të njëjtin kërkim u vu re edhe një rritje e numrit të frekuentuesve të qendrave estetike, me rreth 40 për qind të klientelës së përbërë nga meshkujt. Pas nuk ngeleshin edhe ndërhyrjet kirurgjikale estetike me më shumë se 84 mijë operacione të bëra nga meshkujt.
Diferenca në valixhe

Por nëse meshkujt kërcënojnë se do të kalojnë rekordin që mbajnë fermat për produktet kozmetike, ka edhe stereotipa që rezistojnë prej dhjetëvjeçarësh, si koha që u duhet grave për të dalë mbrëmjeve (thuajse dyfish në krahasim me burrat) apo veshjet që futen në valixhe për t’u marrë me vete me pushime (edhe pse nuk vishen asnjëherë).

Edhe në këtë rast, konfirmimi vjen nga një tjetër kërkim anglez. Këtë radhë nga ‘travelsupermarket.com’, i bërë në 2 mijë gra: kështu, mesatarja e kohës së nevojshme për t’u bërë gati për një takim është 52 minuta për gratë dhe 29 për meshkujt, ndërsa për sa u përket rrobave në valixhe, gjendja është akoma edhe më e keqe. Nëntë gra në dhjetë të tilla pranojnë se nuk i përdorin kurrë të gjitha gjërat që marrin me vete dhe shpesh harrojnë në shtëpi objekte të rëndësishme si (kremra dielli, pastë dhëmbësh apo syze), që më pas duhet t’i blejnë në vendin ku shkojnë.

Sikur të mos mjaftonte, për dy javë pushime një mashkull fut në valixhe një të katërtën e të brendshmeve të një gruaje (2 për qind preferojnë që t’i bëjë ajo valixhet për të mos u stresuar), ndërsa për të njëjtën periudhë pushimesh një në pesë femra pranon se merr me vete minimumi 5 palë këpucë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama