Tirana dorezon ne Bruksel raportin per vizatYlli Pata

Tirana dorezon ne Bruksel raportin per vizatYlli Pata
Tirana zyrtare ka dorëzuar dje në Bruksel raportin e grupit negociator shqiptar për zbatimin e të gjitha kushteve për liberalizimin e vizave. Siç mësohet, ky dokument përfshin periudhën e bisedimeve për kushtet shtesë që u zhvilluan në datat 14 dhe 15 korrik e deri në ditën e sotme. Por përveç kushteve shtesë, që tashmë janë bërë publike, mësohet se një pjesë të mirë të raportit e ka “ngrënë” përkushtimi konkret i Tiranës zyrtare për të ndalur një “eksod” masiv të mundshëm në vendet e BE-së nga qytetarët shqiptarë, pas heqjes së vizave nga 27 ministrat e Bashkimit Europian.

Raporti i Tiranës zyrtare ka bërë të qartë se qeveria garanton se kontrollon si sistemin e kufijve, por edhe ka pasqyruar një plan “profilaktik” për të parandaluar një largim masiv, siç ndodhi me qytetarët e Serbisë dhe Maqedonisë pas dhjetorit të vitit të kaluar. Konkretisht është bërë e qartë se policia kufitare shqiptare do të kontrollojë në mënyrë të rreptë të gjitha grupet masive që do të lëvizin nëpër vendet kryesore të Bashkimit Europian për qëllime turizmi pas heqjes së vizave. Në raport mësohet se ka një plan të detajuar me të gjithë operatorët dhe agjencitë në terren.

Detaje më të hollësishme për këtë plan nuk bëhen të ditura, por mësohet se është lënë edhe një takim i radhës mes ekspertëve për të shtjelluar me hollësi planin. Kryenegociatori në nivel teknik për Shqipërinë, Gazmend Turdiu, deklaroi dje se nuk ka një kalendar fiks të zhvillimeve deri në marrjen e vendimit për lëvizjen pa viza. Kreu i grupit negociator u shpreh optimist se qytetarët shqiptarë do të lëvizin lirisht në vendet e BE-së në fund të këtij viti. Sipas Turdiut, maksimumi brenda muajit shtator pritej që Parlamenti Europian të miratonte qëndrimin e komisionit për këtë qëllim dhe më e vona deri në nëntor të arrihet në vendimin e Ministrave të Brendshëm të 27 shteteve të Bashkimit Europian. Nëse ky vendim do të merret në nëntor, atëherë do të duhet të pritet deri në publikimin në Fletoren Zyrtare, që automatikisht bën që vendimi për heqjen e vizave të hyjë në fuqi.

Azili

Bashkimi Europian i ka vënë kushte të tjera shtesë Shqipërisë në lidhje me liberalizimin e vizave. Brukseli zyrtar, vendimin për heqjen përfundimtare të vizave tani ia ka lënë në dorë të 27 vendeve anëtare dhe do të jenë ministrat e Brendshëm që duhet të japim dritën jeshile për këtë çështje. Por, burime diplomatike bënë të ditur se Komisioni Europian po përgatitet në rastin e vendimit pozitiv, duke u referuar te përvoja e hidhur që ndodhi me Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë, të cilave iu hoqën vizat vitin e kaluar. Siç mësohet, zyrtarët e Brukselit i kanë bërë të ditur Tiranës zyrtare se në rast se me heqjen e vizave do të ketë valë të madhe largimesh masive të qytetarëve shqiptarë drejt shteteve të BE-së dhe do të kërkojnë leje qëndrimi, atëherë përgjegjësinë do të duhet ta mbajë Tirana zyrtare.

Komisioni Europian pritet që në shtator të dërgojë në kryeqytetin shqiptar një delegacion të nivelit të lartë në, ku do të bëhet e qartë një platformë e cila do të pasqyrojë të gjithë “nëse-të”, për të cilat Europa është e alarmuar dhe i frikësohet një eksodi masiv. Strategjia e hartuar në Bruksel është e qartë: Nëse vendimi për heqjen e vizave do të jetë pozitiv, atëherë do të ngrihet një grup monitorimi për situatën, i cili do ta ndjekë hap pas hapi dhe do të komunikojë me grupin negociator në Ministrinë e Jashtme shqiptare për të shkëmbyer informacionet. Politika e Brukselit është e prerë: “penalizime individuale, por dhe kolektive, nëse shqiptarët shkelin afatet strikte të Bashkimit Europian pas liberalizimit të vizave”. Kryenegociatori i këtij procesi me BE-në, Gazmend Turdiu, deklaroi se përveç përjashtimit 5-vjeçar nga vendet e zonës “Shengen”, për abuzuesit, rrezikohet pezullimi i procesit të liberalizimit për të gjithë vendin.

 “Nëse do të ketë raste shkeljesh, nëse do të ketë parregullsi, nëse do të ketë vend për përmirësimin, këto do të diskutohen dhe do të merret një vendim i përbashkët se si do të vijohet më tej. Një person, i cili qoftë nga mosdija, qoftë nga papërgjegjshmëria apo përpjekja për të abuzuar me këtë dimension të ri, do të ketë ndalimin e hyrjes deri në pesë vjet. Nëse numri i këtyre shkeljeve do të ishte tej disa normave, atëherë ndoshta kjo do të penalizonte deri në një farë mase edhe qytetarët e tjerë”, theksoi Turdiu.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama