Himara dhe dosja Shqiptaro-greke

Himara dhe dosja Shqiptaro-greke
Një javë pas ngjarjes tragjike në të dalë të Himarës, e cila i mori jetën një 35 vjeçari vendas, politika dhe opinioni publik në Shqipëri vazhdojnë të pyesin veten rreth shkaqeve konkrete që sollën këtë vdekje të dhimbshme, por ndoshta më tepër rreth shkallës ekstreme të politizimit që ajo pësoi në Himarë, Tiranë dhe Athinë, nga faktorët më të rëndësishëm respektivë lokalë, kombëtarë e ndërkombëtarë.

Vështirë se i ndjeri Aristotel Guma e ka menduar se do të vdesë aq shpoejt dhe në atë mënyrë. Aq më pak duhet ta ketë menduar që ikja e tij nga kjo botë do ta kthente atë në një emër aq të njohur pas vdekjes, në të gjitha mediat e dy vendeve, por edhe në një simbol të sforcuar të një urrejtjeje ndëretnike, e cila duket më shumë e stisur, sesa reale.

Një rrugë e re s’mund të jetë motiv dëshpërimi dhe fataliteti. Me të drejtë kryeministri Berisha e ka nënvizuar shpesh se aksi i ri turistik Vlorë-Sarandë ofron shanse të reja për turizëm, integrim e zhvillim. Megjithatë për Gumën dhe aksidentuesit e tij kjo rrugë u kthye në një burim fatkeqësie. Paradoksalisht, me atë që ndodhi, të vjen të mendosh një çast se vërshimi i turistëve që nisi me hapjen e rrugës së re, ka sjellë bashkë me bumin e vogël ekonomik në ato anë, edhe një ndjenjë frustrimi e ndoshta një dëshirë vetëizolimi të banorëve lokalë. Më saktë, të një pjese të tyre, që mesa duket acarohen nga kjo “prezencë shqiptare”.

Natyrshëm vdekja e një të riu nxjerr në shesh fjalë dhe ndjenja ekstreme të cilat duhen kuptuar dhe falur. Por thirrjet anti-shqiptare në varrimin e Gumës, veshja e gjithçkaje dhe e gjithkujt me një vello të dukshme në blu dhe të bardhë (ngjyrat e flamurit grek) dhe shkalla e lartë e tensionit gjithsesi të tepërt e të sforcuar, janë të gjitha simptoma jo të një ndarjeje etnike mes shqiptarëve dhe grekëve, por prova të prekshme të një vullneti të caktuar për të vijuar instrumentalizimin etnik të bregut të Jonit.

Gazeta MAPO është marrë gjerësisht gjatë kësaj jave me dinamikën e zhvillimeve në Himarë, pas vrasjes së Aristotel Gumës. Revista MAPO, në vijim, ka vendosur të sjellë edhe një herë në vëmendjen e lexuesve të saj një pjesë, atë më modernen, e dosjes së marrëdhënieve të vështira mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në dy dekada, pas rënies së komunizmit, mes dy vendeve është konsumuar një sagë ngjarjesh krejt specifike nga ajo mes Shqipërisë dhe pjesës tjetër të botës.

Rreth 700 mijë emigrantë kanë bërë që kjo histori plot hije dhe fantazma të së shkuarës, të rrjedhë kështu dhe jo ndryshe. Por edhe interesa, shumë interesa politike, ekonomike dhe të natyrës historike, kanë influencuar që gardhi me dy komshinjve ballkanikë të jetë shpesh simbol sherri e tensionesh, e jo urë lidhjesh e shans për të jetuar në paqe.

Në këtë tiradë ngjarjesh, të cilat i lidh mes tyre dosja problematike shqiptaro-greke, mund të vërehet evolucioni i vështirë dhe plot gropa, kurthe e të përpjeta, ku kanë shkelur marrëdhëniet mes dy vendeve. Aty mund të vërehet gjithashtu edhe mënyra sesi kanë vëpruar në kohë figura të njohura politike shqiptare ndaj fenomenesh të ngjashme, çka jep mundësinë të kuptohet drejt sesa i sinqertë dhe realist ka qenë dhe është qëndrimi i tyre në lidhje me çeshtjen në fjalë.

Dy dekada të një konflikti të hershëm 1987, Ligji i Luftës, votimi i dështuar në parlamentin grek

Ky episod shënon përplasjen e parë në distancë mes dy vendeve,në prag të mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së komunizmit në Shqipëri. Siç kishte premtuar, qeveria e Papandreut tentoi të kalojë në parlamentin grek nismën për nxjerrjen jashtë funksionit të Ligjin e Luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë, por kjo s’u pranua nga ligjvënësit helenë.

1993, Incidenti me priftin grek Maidonis

Prifti grek Kristostomu Maidonis u shpall persona nga autoritetet shqiptare “persona non grata” dhe u përzu nga Shqipëria. Sipas deklarimeve zyrtare, ai kishte qenë aktiv në shpërndarjen e propogandës antishqiptare, duke përhapur materiale si harta të Vorioepirit etj. Do të ishte incidenti i parë konkret mes dy vendeve pas instalimit të një qeverie antikomuniste në Tiranë.

1993, Nikolas Gejxh, Plan për Vorioepirin

Këshilltari i kryeministrit të kohës Micotaqis, Nikolas Gejxh, harton një plan me gjashtë pika për Vorioepirin. Aty kërkohet rritja e presionit mbi Tiranën për të drejtat e grekëve, hapjen e shkollave helene jo vetëm në minoritet dhe barazim të statusit të zonës minoritare me atë që do të marrte Kosova.

1994, Janullatos dhe projektkushtetuta

Një nen i Projektkushtetutës së propozuar në vitin 1994 u bë shkak që marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës të ftoheshin më tepër. Projektkushtetuta përjashtonte mundësinë e zgjedhjes në krye të kishës shqiptare të një peshkopi, i cili nuk kishte nënshtetësinë shqiptare. Kjo gjë nuk u pëlqye nga kisha greke që kishte emëruar në Shqipëri kryepeshkopin Anastas Janullatos, i cili nuk kishte nënshtetësinë shqiptare. Kjo bëri që Tirana të merrte shumë kritika nga fqinjët.

1994, masakra e Peshkopisë

Ende sot ky kujtohet si incidenti më i rëndë i armatosur dhe me pasoja afatgjata, që ka ndodhur mes dy shteteve. Ngjarja është kjo: një komando greke prej 8 personash, hynë më 10 prill në territorin shqiptar, në afërsi të fshatit Peshkëpi, duike iu afruar një reparti ushtarak që ndodhej aty pranë. Komandot greke vrasnë ushtarin Arsen Gjini, kapitenin Fatmir Shehu dhe plagosën tre shqiptarë të tjerë. Dëshmitarët pohojnë se ata bërtisnin “I keni për Vorioepirin”, ndërsa godisnin ushtarakët shqiptarë. Shtypi grek do të publikonte me vonë lajmin se vrasja ishte marrë përsipër nga grupi terrorist “MAVI”.

Shtator 1994, të pestët e Omonias në burg

Pesë zyrtarë të njohur të organizatës minoritare “Omonia” u arrestuan me akuzën e spiunazhit në favor të Greqisë. Kjo i acaroi më tepër marrëdhëniet, edhe ashtu të tensionuara greko-shqiptare, pasi shënoi pikën më të lartë të krizës mes presidentit Berisha dhe qeverisë greke të kohës. Amerikanët kritikuan ashpër qëndrimin e Shqipërisë. Pas shumë presionesh, kryesisht nga jashtë vendit, Gjykata Kushtetuese i liroi ata pas një viti.

1995, ndalohet në kufi Nikolas Gejxh

Nikolas Gejxh, i njohur si aktivist i çeshtjes së Vorioepirit, nuk u lejua të hyjë në këtë vit në Shqipëri, pasi ishte shpallur paraprakisht nga Tirana si “persona non grata”. Ai kishte tentuar të kalonte përmes aeroportit të Rinasit, së bashku me kongresmenin amerikan Tom Lantosh. Shkaku, sipas njoftimit zyrtar ishte se ai dyshohej si një nga organizatorët e masakrës së Peshkëpisë.

Maj 1999, Flamur Pisli dhe autobusi i marrë peng

Emigranti Flamur Plisi, 25 vjeç, u bë papritur ikona e mediave greke e shqiptare, kur rrëmbimeu 8 persona, në autobusin e linjës Tiranë-Athinë për të protestuar ndaj indiferencës së shtetit Shqiptar dhe trajtimit të shtetit grek për emigrantët. Emigranti kërkonte dënimin e një polici grek, i cili nuk e kishte paguar për punën që kishte kryer. Autori i pengmarrjes tragjike, e cila u ndoq “live” nga mediat e dy vendeve, mbeti i vrarë pas ndërhyrjes së policisë shqiptare, në dalje të Elbasanit. Bashkë me të humbi jetën edhe një peng grek.

Tetor 2000, nis “saga”elektorale me emrin Himarë

Eshtë ndoshta kjo zanafilla e protagonizmit politik të Himarës në skenën politike shqiptare. Tre parti, PD,PS e PBDNJ u përplasën në zgjedhjet lokale të atij viti, që përfunduan me fitoren e dyshes PD-PS. Tensioni arriti kulmin, kur deputetë grekë dhe media të ardhura nga Athina, ushtruan presion psikologjik në favor të PBDNJ. Imazhet e një të riu që i nxirrte gjuhën mediave shqiptare dhe shante me fjalë të ndyra, bënë xhiron e botës. Parlamenti reagoi duke miratuar një rezolutë për këto incidente.

2004-2006, tre vrasje makabre shqiptarësh

Ka paguar me jetë gëzimin për fitoren e kombëtares tonë ndaj asaj të Greqisë. Në shtator 2004, shqiptari Gramoz Palushi u vra me thikë nga Panajotis Kladhis , vetëm pasi po festonte fitoren. Pak ditë pas tij, vdes në Athinë Gëzim Bërdëllima, i cili u qëllua për vdekje në një lokal nga një polic grek. Janë kohë të vështira për emigrantët tanë në Greqi, të cilët përballen me një klimë tensioni dhe ekstremizmi etnik të banorëve vendas. Kështu, në Kretë, në njërin ndër ishujt më racistë të Greqisë, ndodhi një konflikt mes disa shtetasve grekë dhe disa emigrantëve shqiptarë, për shkak se një shqiptar mbante një bluzë me flamurin shqiptar, çka u pasua nga përplasje mes palëve, ku mbeti i vdekur Edison Jahaj, 17 vjeç. Protesta të fuqishem u zhvilluan me këtë rast në Shqipëri.

Nëntor 2005, dështon takimi Moisiu- Papulias në Sarandë

Disa parulla në hyrje të konsullatës greke në Gjirokastër, ku reklamoheshin të drejtat e çamëve, kanë bërë që presidenti grek Papulias të mos vijonte vizitën e tij në Sarandë, ku e priste homologu i tij Moisiu, por të ikte drejt Janinës. Incidenti solli ftohje në marrëdhëniet mes dy shteteve.

Shkurt 2006, ëndrra greke për shkollën bëhet realitet në Himarë

Atë që s’e dha Nano, e dha Berisha. Hapja e shkollës së parë greke “Omiros” në Himarë ndodhi vetëm pak muaj pasi në Tiranë u krye rotacioni politik mes PS-PD. Inaugurimi i shkollës së parë greke ndodhi në Himarë, ku mori pjesë numri dy i arsimit nga Athina dhe homologu i tij shqiptar. Polemika të forta ngjalli kjo ngjarje në politikën dhe mediat shqiptare, të cilate shihnin si një koncesion të rrezikshëm të qeverisë për helenizimin e Jugut të vendit.

Qershor 2006, eshtra fëmijësh zhvarrosen në Kosinë, Përmet

Kaosi diplomatik shqiptaro-grek, i nisur me shkollën e Himarës, u pasua nga zhvarrosja masive e eshtrave në një varrezë në një fshat të Përmetit. Nën drejtimin e priftit Vasil Thomollari, kishte nisur kërkimi për eshtrat e ushtarëve grekë të Luftës së Dytë Botërore. Siç do të zbulohej më vonë, nëpër arkat metalike u futën eshtra banorësh vendas, deri edhe fëmijësh. Ndërhyrja e palës greke pengoi hetimet brenda territorit të kishës së fshatit.

Mars 2007 – “Me zorrët tuaja do lidhim këpucët”

Këto vargje të një kënge të kënduar nga ushtarët grekë gjatë stërvitjes, u xhiruan në mars 2007 nga një videoamator. E gjitha kjo përfundoi në media, gjë që shkaktoi një furtunë të vërtetë diplomatike mes dy vendeve. “I shikoni ata, janë shqiptarë. Me zorrët e tyre do të bëjmë lidhëse këpucësh”,

Janar 2010, pyetësori për regjistrimin me bazë etnike

Në mediat e Tiranës shfaqet pyetësori me 69 pika, mbi regjistrimin e popullsisë së vendit. Mes pyetjeve të shumta, zenë vend për herë të parë edhe ato mbi fenë dhe etninë, dy aspekte të cilat qeveritë e mëparshme shqiptare i kanë evituar me kujdes, për shkak të shkallës së lartë të ndjeshmërisë dhe impaktit të mundshëm që kanë këto çeshtje brenda dhe jashtë Shqipërisë. Regjistrimi duhet të fillojë në 1 janar të vitit të ardhshëm, ndërkohë që reagimi politik dhe publik ndaj kësaj nisme vjen e shtohet. PBDNJ ka dalë hapur në favor të këtij projekti, i cili, sipas skeptikëve, do ta shumëfishonte artificialisht numrin e minoritarëve në vend.

16 prill 2010, vendimi për Marrëveshjen Detare

Ja një hap që opozita shqiptare e ndërmori duke shkelur me këmbë interesat e saj të momentit. Paraqitja e ankimimit në fillim të vitit, për marrëveshjen detare me Greqinë që Kuvendi miratoi mes polemikash të forta, solli një vendim unanim (9 me zero) të Gjykatës Kushtetuese, kundër marrëveshjes. Sipa saj, një sipërfaqe jo e vogël detare do t’i kalohej Greqisë, e cila e kërkonte me ngulm nga kryeministri Berisha miratimin e këtij akti.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama