Grate e politikes se re - Si u bene pellumbat skiftere

Grate e politikes se re - Si u bene pellumbat skiftere
Eshtë e pamundur të mungojë Ai. Edhe kur bëhet fjalë për gratë. Edhe kur bëhet fjalë për burrat. Edhe kur bëhet fjalë për homoseksualët. Në të gjitha rrethanat, në të gjitha diskutimet, në të gjitha skenat dhe skemat, Ai do të jetë absolutisht i pranishëm. Një burrë i fortë, një “macho man” i politikës shqiptare, notar dhe fjalëformues i palodhur i gjuhës shqipe dhe krijues i metaforave të shpeshta, shpesh të pagoditura, Sali Berisha, në mbledhjen e fundit të qeverisë, të mërkurën, duke folur për turizmin, foli edhe për turistë të huaj, për gratë e burrat shqiptarë dhe përmendi edhe fjalën “gay”.

“Në një udhëtim që ka bërë në Perandorinë otomane, Andrè Zhid shkroi për vendin tonë: “Aty gjeta dy gjera më impresionuese, njëra ishte ushqimi i shijshëm dhe tjetra ishin burrat e bukur.” Kur e lexova për herë të parë, shumë e shumë vite me parë, mendova se shqiptarët nga fanatizmi nuk i kishin nxjerrë gratë, kur u thellova me tej zbulova se ai kishte qenë gay”.

Vështirë të kuptohet se çfarë ka dashur të thotë me këtë lloj ironie për bashkëqytetarët e tij të hershëm partizani i ri i mbrojtjes së të drejtave të pakicave seksuale, njeriu që pranoi i parë të bëjë ligj për legalizimin e martesave të individëve me të njëjtin seks në verën e vitin të kaluar – kjo është sërish një nga metaforat e pagoditura të tij – por një gjë është e qartë: duke mos pranuar më fanatizmin, Berisha ka zgjedhur të bëjë modernin.

Kryetari i PD-së Sali Berisha ka qenë një nga promotorët e barazisë gjinore në politikë. Me hir për shkak të bindjes apo me pahir për shkak të detyrimeve që duhen respektuar, ai ka qenë një nga nxitësit e fiksimit edhe në Kodin Zgjedhor të kufirit minimal të përfaqësimit prej 30 për qind të grave në listat zgjedhore. Një risi e kodit, e cila, veç të tjerash, synonte që të “zbuste” politikën e ashpër dhe mashkullore tradicionale në Shqipëri.

Një vit më pas, ana tjetër e medaljes, realiteti, dëshmon të kundërtën e synimit të vetë kryeministrit. I ashpër, prepotent dhe arrogant, stili i tij i zakontë i politikëbërjes, në shumicën dërmuese, në vend të elegancës femërore, u ka dhënë dhe grave vetë, natyrisht me përjashtime, tipare të egra mashkullore. Si një pasqyrë para të cilës duhet të kalojnë të gjithë. Madje, përqasja në politikë e tyre, shpesh bëhet edhe më e fortë se ajo e zakonta e burrave, çka ka sjellë një denatyrim të idesë mjaft të mirë fillestare. Tani, në Kuvendin e Shqipërisë apo në sallat e konferencave të shtypit, frazat e forta, akuzat më të rënda dhe fjalorin më të ashpër, zakonisht e përdorin gratë e politikës. Sidomos kur flasin kundër njëra-tjetrës.

Këshilla e Avokatit të Popullit

Katër vjet më parë, në tetor 2006, Avokati i Popullit i dërgon Kuvendit të Shqipërisë një rekomandim për parashikimin në Kodin Zgjedhor të kuotave të përfaqësimit të grave në politikë. Një kuotë e fiksuar në shifrën 30 për qind. Shqipëria ishte në prag të zgjedhjeve lokale dhe rekomandimi u konsiderua i vlefshëm, u pranua dhe u jetësua në letër. Por megjithatë, praktika dëshmoi se, në zgjedhjet e shkurtit 2007, numri i grave kryetare bashkie, kryetare komunash apo anëtare të këshillave bashkiakë, është ende larg kësaj shifre.

Në rekomandim përmendej neni 7 i Konventës për eliminimin e të gjtiha formave të diskriminimit të grave, ratifikuar në Shqipëri në vitin 1994, i cili shprehej se “Shtetet palë marrin të gjitha masat e duhura për të eleminuar diskriminimin e gruas në jetën politike dhe publike të vendit”.

Në krahasim me standartin evropian që shkon mesatarisht në rreth 40 për qind, gratë shqiptare kishin siguruar vetëm 7.1 për qind të vendeve në Kuvend në legjislaturën e vitit 2005-2009. Një shifër mjaft e ulët, edhe pse Kodi i Etikës, i firmosur nga të gjitha forcat politike në vend, për zgjedhjet e vitit 2005, siguronte vullnetin e shprehur se do të nxitej dhe mbështetej konkretisht pjesmarrja e grave si kandidate dhe si anëtare të komisioneve në procesin zgjedhor. Synimi afatmesëm i idesë së barazisë gjinore, përcaktohet si një tendencë për të kapur dora dorës kuota përfaqësimi të grave nga 20, 30 dhe 40 për qind, deri në arritjen e pikës ideale prej 50 për qind të pjesmarrjes së grave në politikë.

Komiteti i Kombeve të Bashkuara për eliminimin e diskriminimit kundër Grave, në atë kohë ka dërguar një raport në Shqipëri për këtë problem dhe është shprehur: “Ndersa mirëpriti përdorimin e kuotave minimale të kandidateve gra nga disa parti politike shqiptare në zgjedhjet lokale, komiteti shpreh shqetësimin për përfaqësimin e ulët të grave në nivelet e larta të zgjedhura dhe të emeruara dhe i bën thirrje Qeverisë shqiptare të marrë masa që përfshijnë përmirësime në ligjin elektoral, rritjen e përfaqësimit të grave në organet e zgjedhura apo të emëruara nëpërmjet zbatimit të masave të përkohshme specifike, me qëllim që të realizojë të drejtat e grave për t’u përfshirë në të gjitha fushat e jetes publike, veçanërisht në nivelet e larta të vendimmarrjes”. Të mërkurën e kësaj jave, në Tiranë mbërrin një tjetër raport.

 Komiteti për Eliminimin e Diskriminimit ndaj grave dhe vajzave në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, publikoi rekomandimet e fundit për Shqipërinë në lidhje me të drejtat e grave: “Rekomandohet gjithashtu që të ndërmerren hapa konkretë për të fuqizuar më shumë gratë e vajzat në mënyrë që të mbrohen efektivisht nga çdo lloj diskriminimi, për të vendosur de facto, e jo vetëm de jure, balancën gjinore qoftë në nivel qëndror e qoftë në atë lokal, për të siguruar arsimimin, edukimin dhe mbrojtjen sociale të cdo gruaje shqiptare e sidomos për të përmirësuar kushtet ekonomiko-sociale të grave e vajzave që u përkasin minoriteteve etnike, seksuale apo grupeve të tjera të margjiinalizuara”. Fatkeqësisht, përtej të thënës dhe të bërës, ndodhet edhe shumë ujë deti.

Kodi Zgjedhor për zgjedhjet 2009

Në letër është shkruar mirë. Neni 67 i Kodit, pika 5 e tij, përcakton se lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive duhet të jetë ndërtuar në këtë mënyrë: “Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore një në çdo tre emra në listë duhet t’i përkasë secilës gjini”. Ligjvënësi madje përcakton se nëse një subjekt nuk e përmbush këtë kërkesë të ligjit, lista e paraqitur refuzohet nga KQZ-ja. Ndërsa në rastin e zgjedhjeve vendore, i njëjti faull, do të ndëshkohej me “gjobë nga KQZ-ja me 30 000 lekë për çdo zonë zgjedhore”.
Pothuaj të gjitha partitë politike në garën e 29 qershorit 2009, u penalizuan nga ky nen dhe u detyruan t´i korrigjojnë listat e tyre. Listat e para u refuzuan nga KQZ-ja dhe më pas u ripranuan me korrigjimet e nevojshme.

Si funksionoi?

Sërish në letër funksionoi mirë. Madje edhe në realitet: u rrit më shumë se dy herë përfaqësimi i grave në Kuvend nga legjislatura e shkuar, por sërish është vetëm gjysma e parashikimit dhe “angazhimit” të marrë nga Shqipëria. Sot, në Kuvend ka 15 për qind gra, nga të dyja forcat politike. Në total, një numër prej 21 ligjvënësesh.

Shifrat e tjera janë më të zymta. Në kabinetin qeverisës, ka vetëm një anëtare të qeverisë, nga 16 portofole të tillë. Ai mbahet nga Majlinda Bregu, ministre e integrimit, e cila ka ruajtur të njëjtin pozicion si dhe në kabinetin Berisha 1. Disi më ndryshe është përfaqësimi në nivel zëvendësministrash. Janë tetë të tilla, gra, nga një listë e fryrë prej 35 zëvendësministrash të emëruar nga Kryeministri, rreth 23 për qind në total.

Edhe gratë, “burra” në politikë

E megjithatë, edhe në këtë legjislaturë, gratë nuk u lanë të japin atë që mundeshin: “zbutjen” e politikës. Por me një risi origjinale kësaj here. Gratë vihen përballë njëra-tjetrës dhe akuzat apo kundërshtitë ndaj një gruaje të njërit kamp politik, zakonisht artikulohen nga gratë e kampit tjetër politik. Çiftet ndërmjet përfaqësueseve të PD-PS të tilla si Topalli-Ligori, Përnaska-Felaj, Doda-Shkreli, Vokshi-Xhaçka, Bregu-Kodheli, e të tjerë, janë bërë shpesh skaje të një debati të fortë dhe të ashpër. Debate në të cilat nuk kanë munguar as fyerjet dhe as fyerjet e nisura mbi përkatësinë gjinore, qoftë dhe atëherë kur fjalitë e tyre ndaj kundërshtareve nisnin me fjalët: “...si grua dhe si nënë...”

Kulmi u arrit në grevën e urisë së Partisë Socialiste në prill-maj 2010, kur sidomos deputetet gra të PS-së u fyen rëndë dhe u kërkua të ironizohen më së shumti nga koleget e tyre femra. Madje edhe në mediat proqeveritare, shkrimet kundër tyre, që përfshinin që nga morali e deri tek akuzat për thyerje të rregullave të grevës së urisë, më së shumti, ishin firmosur me emra grash. Në ato akuza nuk munguan as fyerje që kishin të bënin me make up-in apo dhe mënyrën e bërjes së dushit.

Në listën e klasifikimit të ashpërsisë, qëndron padyshim kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli. Qoftë për shkak të pranisë më të madhe të saj në publik, qoftë dhe për shkak të natyrës së saj, tonet e përdorura prej saj kanë qenë gjithmonë të lartë dhe burrërorë. Vetë zonja Topalli ka qenë në vijimësi në shënjestër të akuzave, të cilat përgjithësisht, gjithashtu, kanë qenë më të ashpra dhe simetrike nga koleget e saj në PS.
Një kërkim i thjeshtë në “google” me emrat e deputeteve gra, tregon këtë rezultat të trishtuar. Kur pavarësisht zërit të butë që i shqipton, fjalët kanë qenë të rënda. Ky është një realitet që i bën ato aksionere në faj, por pa qenë pronare të fajit.

Në vend që të “zbusnin” politikën, ato u detyruan të egërsohen. Për shkak të një klime politike e cila nuk ka qenë kurrë e qetë, të një kulture politike tradicionale dhe qëndrime tradicionaliste maskiliste që vjen që nga e shkuara. Por jo siç bindet, kohë më pas nga “leximi i parë” edhe vetë kryeministri, thjesht dhe vetëm nga fanatizmi shqiptar ndaj grave. Shembulli që ai dha në mbledhjen e qeverisë, me udhëtarin e huaj Zhid, për të cilin “zbuloi” vite më pas se ishte gay dhe ndaj i pëlqenin burrat e bukur, gjithsesi mund të shpjegojë diçka më shumë. Natyrisht, mungesën e fajit tek gratë e politikës që u nisën si pëllumba dhe tabani i ndotur i politikës shqiptare kërkon t´i kthejë në skifterë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama