Rilindja e heshtur e shqiptareve te rinj

Rilindja 'e heshtur' e shqiptareve te rinj
Çfarë kanë të përbashkët gjimnastika “Funky”, projekti për ndërtimin e “lopës së çmendur”, apo kurset e gjuhës arbëreshe? Në dukje të parë asgjë. Përse në të vërtetë të gjitha këto dhe veprimtari të tjera kanë përfunduar në një artikull-akuzë të një gazete të përditshme italiane, me titull “shpenzimet e çmendura të shkollës”? Konsiderimi i kulturës arbëreshe si një nga gjërat sipërfaqësore dhe groteske nënkupton grumbullimin e reve të zeza mbi kryet e shqiptarëve të Italisë. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për sa i takon gjuhës së tyre, që ka arritur të mbijetojë që prej 500 vitesh në 41 komunat e shpërndara në 7 rajone të ndryshme të Italisë së mesme dhe asaj së jugut, falë këmbënguljes së rreth 100 mijë banorëve. Por këtë herë bëhet fjalë edhe për kulturën, identitetin dhe vetë ekzistencën e tyre.

Sigurisht që shqiptarët e kanë “lëkurën e fortë”. Në atdheun e tyre të origjinës u kanë bërë ballë turqve e më pas në Itali u kanë bërë ballë ndërhyrjeve të vazhdueshme të kishës katolike kundër riteve tradicionale dhe mbi të gjitha u kanë bërë ballë shekujve të gjatë që mund t’i kishin asimiluar plotësisht. Arbëreshët ngjajnë me pishën e madhe të Lorikatos, simbol i parkut të Polinos, që pavarësisht të gjitha rrebesheve të kohëve, ka arritur të mbijetojë dhe madje konsiderohet si pisha më e vjetër në Europë. Shqiptarët e Italisë kanë rezistuar, pavarësisht se ligji i 15 dhjetorit të vitit 1999 për ndihmën ndaj pakicave etnike për sa i përket gjuhës së origjinës arriti shumë vonë; pavarësisht se emisionet televizive në gjuhën arbëreshe kanë marrë goditje vdekjeprurëse; pavarësisht arsimit që nuk i ka ndihmuar kurrë në mënyrë konkrete të ruajnë gjuhën dhe kulturën e kësaj pjese të rëndësishme të kulturës së jugut të Italisë. Ndërkohë, në disfavor është edhe emigracioni, që vazhdon ta zbrazë vendin në mënyrë të pandërprerë.

Sipas shkrimtarit arbëresh, Carmine Abate, autor i shumë librave që flasin për jetën dhe kulturën e arbëreshëve, si “Motoja e Skënderbeut”, nuk është se po zhduket gjuha, por po zhduken njerëzit. Vendi nga vjen ai, Carfizzi, në vitet ‘70 kishte 1800 banorë, ndërsa aktualisht ka vetëm 800. Është për të ardhur keq, sepse komuniteti i italianëve të gjuhës shqipe, ndryshe nga jugorët e tjerë që e lexojnë historinë e unitetit për së prapthi, e kujton të shkuarën me shumë krenari dhe fisnikëri. Arbëreshët kanë pasur një rol shumë të rëndësishëm në bashkimin e Italisë dhe bëhet fjalë për një peshë shumë më të madhe krahasuar me numrin e popullsisë.

Arbëresh ishte Agesilao Milano, i ushtrisë së burbonëve, që kërkoi të vriste në vitin 1856 Ferdinandin II. I dënuar me vdekje pas një procesi të parregullt gjyqësor, sipas asaj që shkruan Domenico Cassiano në librin “Rilindja në Kalabri”, djaloshi “lutej me zë të lartë, puthte Krishtin në kryq dhe përsëriste në mënyrë të vazhdueshme ‘Rroftë Zoti, feja, liria, atdheu’”. Arbëresh ishte edhe i madhi Jeronim De Rada, që pavarësisht emrit italian dhe dedikimit të madh që i kushtoi bashkimit të Italisë, është ndër poetët më të mëdhenj shqiptarë. Arbëreshë ishin edhe shumë të rinj që humbën jetën nëpër tokat e Kalabrisë në emër të bashkimit të Italisë, si për shembull Rafael Camodeca, i dënuar, si dhe vëllezërit Bandiera në luginën e Rovitos dhe që sipas kujtimeve të Serafino Gropës, “Rafaele ishte një hero i ri, 24 vjeç, në kulmin e jetës dhe të forcave dhe që ra për Italinë me zemrën plot e me fjalët e fundit: Ky është momenti më i lumtur i jetës sime. Rroftë Italia”.

Arbëreshë ishin edhe 500 banorët e Lungros që iu bashkuan marshimit garibaldian drejt Napolit. Arbëresh ishte edhe vetë Francesco Crispi. E në fund, arbëreshë ishin edhe të rinjtë e kolegjit shqiptar të Sën Dhimitër Koronës, që kur Garibaldi kaloi nga anët e tyre, u bashkuan me të dhe kjo ishte një zgjedhje dhe vendim jashtëzakonisht i guximshëm po të kemi parasysh se po flasim për disa liceistë. Pikërisht me këtë veprim të tyrin i vunë në pozitë edhe vetë fshatarët që ishin pro burbonëve dhe që sipas të cilëve, “në Shën Adrian edhe vetë Krishti është Jakobin”.

Po si mund të shpjegohet i gjithë ky dedikim për Italinë? Nga vinte gjithë ky patriotizëm që e bëri vetë poetin e famshëm Zef Serembe ta krahasonte Garibaldin me këmishë të kuqe me Skënderbeun? Përgjigjja e kësaj pyetjeje nuk është e thjeshtë. Ndoshta në këtë mes luajti rol armiqësia me burbonët, ose ndoshta sipas vetë Abates, ishte zgjedhja e shqiptarëve për të mos qenë një komunitet i mbyllur, por tradicionalisht i hapur. Ndoshta ishte penetrimi i idealeve liberale dhe laike. Fakt është se krahasimi mes Garibaldit dhe Skënderbeut thotë në fakt gjithçka. Dashuria për atdheun e gjetur ishte e njëjtë për arbëreshët me dashurinë për atdheun mëmë.

Sepse Gjergj Kastriot Skënderbeu, heroi i rezistencës kundër turqve dhe penetrimit të tyre në civilizimin europian, për arbëreshët është shumë më tepër se një simbol i së shkuarës. Për ta ai është ende një personazh i gjallë, që dominon sajtet e internetit, gazetat dhe radiot shqiptare. Ai është pika e referimit të kësaj pjese të popullit shqiptar, që mbërriti në Itali përgjatë 8 valëve të njëpasnjëshme mërgimtare që nisën nga viti 1399 e vazhduan deri në vitin 1774. Në fakt, vala e fundit i përket verës së vitit 1990, pra pikërisht 20 vite të shkuara, kur një kamionist me emrin Fatos goditi me makinën e tij, “Skoda”, kangjellat e ambasadës italiane në Tiranë, për të kërkuar menjëherë më pas azil politik. Disa muaj më pas, në brigjet pulieze vërshuan refugjatët shqiptarë në anijet e vjetra “Iliria”, “Tirana” dhe “Legjenda”. E kush mund t’i harrojë ato kohë dhe ato anije të mbimbushura? Sigurisht që nuk mund t’i harrojnë kurrë ato ditë të kaluara të mbyllur në stadiumin e Barit, me ushqimet që u hidheshin nga helikopterët. Nuk do t’i harrojnë italianët, që u kujtuan se në ato çaste ishin shndërruar në një vend emigrimi. Dhe pa dyshim që nuk do t’i harrojnë as arbëreshët, që pësuan një tronditje të vërtetë përballë atyre pamjeve të mjera e tragjike.

“Nga ato anije të vjetra zbrisnin pas një udhëtimi që mrekullisht i kishte sjellë gjatë në breg, njerëz që quheshin dhe ata shqiptarë. Edhe ata si refugjatët e lashtë, iknin nga një botë që i kishte shtypur dhe ishin në kërkim të lirisë të një bote më të mirë, por edhe në kërkim të ushqimit dhe mirëqenies, të cilën e kishin parë vetëm përmes pamjeve të televizionit”, ka shkruar Vito Teli. Të sapombërriturit, në fakt nuk kishin asgjë të përbashkët me luftëtarët e së shkuarës. Ishin të palarë, të uritur, të çorientuar. Shqiptarët që po mbërrinin tani nga deti nuk kishin më një civilizim për të mbrojtur. Ishin në ikje nga gërmadhat e regjimit komunist dhe ishin në kërkim të Perëndimit. Për arbëreshët që prej shekujsh prisnin shqiptarët dhe prej dhjetëvjeçarësh kishin vendosur lidhje me ta, ishte e vështirë që të arrinin të kuptonin tiparet e të sapombërriturve dhe patën kështu një lloj ndjesie refuzimi. Në vend që të sapoardhurit t’u forconin ndjenjën e origjinës, të sapoardhurit filluan që t’u ngjallnin shqiptarëve të Kalabrisë një ndjenjë turpi. Ishin njerëz me fytyra të ndryshme, por që flisnin të njëjtën gjuhë me ta. Kishte edhe nga ata që menduan se kishte ardhur momenti që të fshiheshin dhe të mos përziheshin fare me të sapoardhurit.

“Unë jam mik i Tetit, por nuk kam asnjë informacion në lidhje me këtë ‘turp’”, thotë shkrimtari Carmine Abate. “Por ka diçka të vërtetë që këta kushërinj të largët ishin pak ndryshe. Me pak fjalë, deri në atë moment të gjithë ishin identifikuar si shqiptarë të Kalabrisë, të Pulias, të Sicilisë... dhe që nga ai moment preferuam të quheshim thjesht arbëreshë”.

Dhe të ishe shqiptar, nuk ishte aspak e lehtë. Për këtë mjafton që të lexosh kronikat në shtypin e kohës, që ishte mbushur me episode të dhunshme. E megjithatë, tashmë 20 vjet më pas, mund të thuhet se integrimi i shqiptarëve ka qenë më i shpejtë dhe më i heshtur nga sa mendohej. Për sa i përket popullatës, nëse sot ka 100 mijë arbëreshë, për sa u takon shqiptarëve në Itali ndodhen rreth 500 mijë të tillë, ose më mirë një në 6 shqiptarë jeton në Itali. Më impresionues është numri i atyre që kanë dalë nga anonimati i pjatalarësit, duke u shndërruar në sipërmarrës. Sipas shifrave të fundit, në Itali ekzistojnë 27870 firma shqiptare. Rajoni ku kryhet edhe veprimtaria më e madhe e shqiptarëve është Toskana, në të cilën ndodhen plot 5470 firma. Kjo pasohet nga Lombardia dhe më pas Emilia. Sipas Bankës së Shqipërisë, paratë që vijnë në Shqipëri nga një milion e gjysmë shqiptarët që ndodhen jashtë vendit, përbëjnë 19% të Prodhimit Kombëtar Bruto. Por është një sasi parash që është e destinuar të reduktohet, sepse shqiptarët janë gjithnjë e më të lidhur me Italinë dhe preferojnë që të vizitohen nga të afërmit e tyre më shpesh, sesa të shkojnë të gjithë familjarisht në Shqipëri. Kjo edhe për shkak të fëmijëve të lindur në Itali, që e kanë këtë vendin e tyre. Një pjesë e tyre po e humbasin gjuhën dhe kjo është edhe arsyeja e organizimit të shoqatave dhe kurseve për gjuhën shqipe.

Kur Fatmir Kurti hipi në gomonen që e çoi në Itali në vitin 1991, ishte vetëm 22 vjeç. Gjashtë muaj më parë kishte nisur punë si polic në Shkodër dhe kalimi nga ruajtës i ligjit në shkelës së tij ishte një vendim që u mor menjëherë. Me të zbarkuar në Itali, mori një tren për në Friuli dhe një ditë më pas gjeti punë në fushë, e pastaj gjeti një punë në një piceri. Në vitin 1996 doli nga klandestiniteti, pasi bëri dokumentet dhe disa vjet më pas hapi picerinë e tij, në të cilën punon e gjithë familja e tij e madhe. Që prej 6 vitesh ka kërkuar nënshtetësinë italiane. “Që prej 6 vitesh nuk kam marrë asnjë përgjigje. Nuk më kanë thënë as po, as jo”, thotë ai.

Me kalimin e kohës, ndërsa integrimi i kushërinjve shqiptarë vazhdon, arbëreshët duket se e kanë rifituar sërish krenarinë e përkatësisë së tyre. Si në Kalabri, ku sipas kryebashkiakëve
të Shën Dhimitër Koronës dhe Vacarizio Albanese, ku “Piazza Garibaldi” quhet në shqip “Sheshi Garibaldi”, kalabrezët nuk janë përfshirë asnjëherë me Ndrangedan. Por në Sicili është ndryshe. Në këtë rajon, shqiptarët janë përfshirë më shumë. Për sa i përket Kalabrisë, Abate thotë se arbëreshët nuk janë shenjtorë, por e kanë mbajtur Ndrangedan larg jetëve të tyre. “Ndoshta sepse të ikur nga Shqipëria, për të mos rënë në duart e turqve, për të mos duruar zgjedhën e tyre, shqiptarët nuk do të pranonin një tjetër zgjedhë”, thotë Abate.

Por ka edhe një veçori tjetër që i bën krenarë arbëreshët. Le të flasim për shembull për Komunën e Ciros, që është e mbushur me shifra negative si për mbledhjet e taksave, edhe për arsye të tjera. Ndërsa në Shën Dhimitër Korona, përveç mozaikëve të mrekullueshëm të Kishës së Shën Adrianit dhe ullinjve që ndodhen në çdo hap, shifrat statistikore të ekonomisë, rregullit e përputhshmërisë me ligjin janë si të një vendi skandinav.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama