Regjistroni domainin tuaj .al

ISSH: Hapja e nje biznesi, sa kontribute duhen paguar

Shkruar nga:  
Postuar më: 4 vite më parë

ISSH: Hapja e nje biznesi, sa kontribute duhen paguar
ISSH: Hapja e nje biznesi, sa kontribute duhen paguar

Instituti i Sigurimeve Shëndetësore publikon skemën e kontributeve që duhet të paguajnë bizneset e reja, pagesën e kontributeve, afatet e pagesës si dhe kush përfiton. Skema përcakton se çfarë përfitohet si i vetëpunësuar nga pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Gjithashtu ajo përcakton detyrimet e punëdhënësve për pagesën e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, brenda afateve të përcaktuara për çdo punëmarrës.

ISSH publikon të dhënat se mbi ç’pagë duhet të llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për çdo punëmarrës. Skema tregon se si mund të regjistrohesh për të filluar një veprimtari ekonomike dhe se cila është procedura dhe afatet për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Ç’duhet të bëjmë për të filluar një biznes të ri. Ku duhet të regjistrohem nëse filloj një biznes të ri?

1. Përpara fillimit të veprimtarisë ekonomike dhe për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, fillimisht ju duhet të regjistroheni në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Më pas duhet të paraqisni pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore kopjen e certifikatës së identifikimit të personit të tatueshëm. Agjencia e Sigurimeve Shoqërore, mbështetur në këtë dokument, realizon regjistrimin tuaj në organet e sigurimeve shoqërore.

2. I vetëpunësuari, dy ditë pas regjistrimit në QKR, duhet të dorëzojë në organin tatimor listën e punonjësve të papaguar të familjes me të cilët punon e bashkëjeton, formularin E-SIG 027/a “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe e të larguarve nga puna”.
Si bëhet llogaritja e kontributeve

Të vetëpunësuarit dhe personat e papaguar të familjes që ushtrojnë veprimtari ekonomike, sigurohen në mënyrë të detyrueshme për barrë-lindje, pensione dhe sigurim shëndetësor. Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vete dhe për punonjësit e papaguar të familjes, mbi 16 vjeç, që punojnë e jetojnë ligjërisht, llogariten mbi bazën e pagës mujore minimale, e cila duke filluar nga data 01.07.2010 e në vazhdim është 16 820 lekë në muaj.

- Për kontributet e sigurimeve shoqërore ju paguani 23% të pagës minimale mujore prej 16 820 lekësh, e barabartë kjo me 3 868 lekë në muaj;

- Për kontributet e sigurimeve shëndetësore ju paguani 7% të pagës minimale mujore prej 16 820 lekësh, pra 1 177 lekë në muaj.
Cilat janë afatet e pagesës së kontributeve

Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore paguhen çdo tremujor, brenda datës 20 të muajit të parë, pas përfundimit të çdo tremujori kalendarik. Pra jo më vonë se datat: 20 prill, 20 korrik, 20 tetor, 20 janar. Kujdes! Nëse kontributet nuk paguhen në kohë, zbatohen penalitete.

Ku dhe si mund të paguhen kontributet

- Ju mund t’i paguani kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në filialet e bankave të nivelit të dytë ose të Postës Shqiptare sh.a.;

- Pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ju dhe pjesëtarët e familjes me të cilët ju punoni do të pajiseni nga Agjencia e Sigurimeve Shoqërore me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
Çfarë përfitohet si i vetëpunësuar nga pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore?

Nga pjesëmarrja në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përfitohen të gjitha llojet e pensioneve:

- pension bazë pleqërie;
- pension i pjesshëm pleqërie;
- pension pleqërie i reduktuar;
- pension familjar;
- pension invaliditeti;
- pension i pjesshëm invaliditeti;
- shërbim shëndetësor dhe rimbursim ilaçesh.

Kush quhet punëdhënës:

“Punëdhënës” quhen të gjithë personat fizikë e juridikë që punësojnë persona të tjerë me ose pa kontratë.

Cilat janë detyrimet si punëdhënës

- Në mbështetje të Kodit të Punës punëdhënësi është i detyruar të nënshkruajë një kontratë pune me punëmarrësit, me kohë të plotë ose të pjesshme;

- Punëdhënësi duhet të mbajë regjistra për periudhën e marrëdhënieve të punës dhe shumat e paguara për çdo punëmarrës, me kohë të plotë ose të pjesshme;

- Të bëjë sigurimin e çdo punëmarrësi, me kohë të plotë ose të pjesshme, duke filluar nga data e fillimit të punës, sipas përcaktimit në kontratën e punës ose në aktin e emërimit;

- Të bëjë llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, brenda afateve të përcaktuara për çdo punëmarrës.

Mbi ç’pagë duhet të llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për çdo punëmarrës

Paga bruto e punonjësve bëhet në mbështetje të VKM nr. 285, datë 04.05.2007 “Mbi pagat referuese...”. Pagat referuese janë përcaktuar në këtë VKM sipas:

- Rrethit ku zhvillohet veprimtaria ekonomike.
- Llojeve të veprimtarive ekonomike.
- Pozicionit të punës.

- Llogaritja e kontributeve për çdo punëmarrës individual mbështetet në pagën bruto mbi kufirin e pagës minimale mujore, deri në kufirin e pagës maksimale mujore. Paga bruto evidentohet në listë-pagesën tip, e cila është dokumenti bazë për evidentimin e kontributeve individuale.

- Paga bazë minimale mujore për punonjësit për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në shkallë vendi është 19 000 lekë, ndërsa paga maksimale është 84 100 lekë.

Ku dhe si mund të regjistrohesh për të filluar një veprimtari ekonomike

Përpara fillimit të veprimtarisë ekonomike dhe për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, së pari bëhet regjistrimi në Qendrën Kombëtare te Regjistrimit. Dy ditë pune pas regjistrimit në QKR, dorëzohet pranë organit tatimor lista e të punësuarve, me pagën përkatëse, sipas formularit E-SIG 027/a “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe të larguarve nga puna”.

Cila është procedura dhe afatet për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore

Pagesa e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kryhet nga punëdhënësi sipas afateve të përcaktuara me ligj. Dokumentet bazë për pagesën e tyre janë bashkangjitur në aneksin e këtij manuali

- Punëdhënësi ka detyrim ligjor për llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve në kohën dhe masën e duhur. Listë-pagesa është një deklaratë e subjektit, në të cilën evidentohen kontributet individuale dhe, si e tillë, në mbështetje të Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, tatimpaguesi që nuk lëshon deklaratën tatimore në afat dënohet me gjobë me 10 000 lekë për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar.

- Punëdhënësi, i cili nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën 48 orë përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, detyrohet të paguajë edhe një gjobë 10 000 – 20 000 lekë për çdo rast.

- Punëdhënësi duhet të dorëzojë rregullisht sipas afatit të caktuar listë-pagesat, të cilat janë i vetmi dokument, që vërteton pagesën e kontributeve për çdo punonjës. Listë-pagesa është dokumenti bazë për dhënien dhe llogaritjen e përfitimeve për çdo punonjës, si dhe vërtetimeve të kërkuara prej tyre.

Si bëhet pajisja e punëmarrësve me librezat e kontributeve

Instituti i Sigurimeve Shoqërore pajis punëdhënësit me librezat e kontributeve të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, sipas kërkesave që bëhen pranë këtyre organeve. Punëdhënësi i pajis të punësuarit me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, dhe e plotëson çdo muaj, në datën e pagesës së pagës mujore.

Si duhen trajtuar përfitimet afatshkurtra?

- Mbështetur në ligjin për sigurimet shoqërore, punëdhënësit duhet të llogarisin dhe të paguajnë për punëmarrësit e tyre përfitimet afatshkurtra, si për sëmundje ashtu edhe për barrë-lindje.

- Kur punëmarrësi është i sëmurë ose përkujdeset për fëmijën e sëmurë, që ka në ngarkim, të vërtetuar me raporte mjekësore, kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore deri në ditën e 14 me raport mjekësor deklarohen njëlloj sikur punëmarrësi të mos jetë i sëmurë dhe paguhen sipas përcaktimit në Kodin e Punës, ndërsa nga dita e 15 e raportit mjekësor punëmarrësi i siguruar ka të drejtë të marrë përfitime për paaftësi të përkohshme nga fondet e sigurimeve shoqërore.

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi