Shala nė 360 gradė: Nga rekordet te lotėt

Shkruar nga:  
Postuar më: 4 vite mė parė

Shala nė 360 gradė: Nga rekordet te lotėt
Shala nė 360 gradė: Nga rekordet te lotėt

Te Klodiana Shala duket se “nëna natyrë” ka derdhur gjithçka: bukuri fizike, pasion për sportin, trofe e medalje. Atletja më popullore në Shqipëri, “pronare absolute” e mëse 50 rekordeve kombëtare dhe rekordmene shqiptare në katër disiplina (100, 200, 400 metra e 400 metra me pengesa). Klodi është një ndër 11 sportistët shqiptarë që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, por edhe me një rekord të veçantë: është e vetmja sportiste shqiptare që ka në llogarinë e saj tre Olimpiada: “Sidnej 2000”, “Athinë 2004” dhe tani “Pekin 2008”. Pjesëmarrësja e më se 70 arave ndërkombëtare në 13-vjet aktivitet sportiv dhe “pronarja” e një muzeu simpatik medaljesh të arta, argjendi e bronzi, ka zbritur për herë të parë në pistë (në atë me dhe të “Qemal Stafës” e “Selman Stërmasit”) në moshën 15-vjeç, dhe gjatë 13-viteve të saj është shndërruar nga një atlete premtuese në një “princeshë” të “Mbretëreshës së sporteve”, siç konsiderohet atletika. Takimi me rekordmenen shqiptare “Albania-sport.com”- e realizoi pikërisht në pistën e “Qemal Stafës” (prej dy vjetësh një pistë sintetike e nivelit evropian) gjatë seancave stërvitore në prag të nisjes për në Lojërat Olimpikë të Kinës, nën drejtimin e trajnerit personal të saj, Taulant Stërmasi, njëherësh edhe bashkëshorti i saj i ardhshëm. “Një stërvitje tërësisht moderne me metodologjinë më të përparuar europiane, për të kapur rezultatin më të mirë në Kinë”, - thotë Shala, e mbytur në djersë pas vrapimeve. “Unë kam qenë pjesëmarrëse e të gjitha aktiviteteve të mëdha ndërkombëtare të atletikës, në pista të hapura e salla të mbyllura, në Olimpiada, Kampionate Botërore, evropiane, ballkanike, turne ndërkombëtare e Lojëra Mesdhetare, madje në këtë të fundit, në Almeria të Spanjës, ka vendosur edhe rekordin kombëtar në 400 metra me pengesa, me kohën 56”48. Në “Almeria 2006” kam marrë edhe medalje”- thotë Shala. 2008-a ka qenë një vit i ngjeshur me aktivitete kombëtare e ndërkombëtare. Në Kupën e Europës “Bruno Zauli” e katërt, në Çmimin e Madh të Greqisë në Kastoria e para.

Shala, jeni sportistja më popullore në Shqipëri, pronare e një numri të madh rekordesh dhe rekordmene në disiplinat ku merrni pjesë. Tani jeni jo vetëm një ndër 11 sportistët shqiptarë që do të merrni pjesë në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, por mbani edhe një rekord të veçantë, jeni e vetmja sportiste shqiptare që keni tre olimpiada në llogarinë tuaj.

- Është vërtet një gjë e bukur për mua, që do të shkoj për herë të tretë në Lojërat Olimpikë, që janë ëndërr për të gjithë sportistët. Përveç faktit që marr pjesë për herë të tretë në evenimentin më të madh në botë, termi “ëndërr” ka tjetër kuptim për mua, pasi tani synoj dhe kërkoj rezultate.

Për herë të parë në Lojërat Olimpike “Sidnej 2000”, ku garuat në garën e 400 metrave drejt (koha 56”41). Shqipëria u paraqit me katër sportistë: peshëngritësin Ilirjan Suli, qitësen Diana Mata, atletin Oltion Luli dhe ju. Cilat ishin mbresat e një Klodiane, tetë vjet më të re?

- Pjesëmarrja në Olimpiadën e Australisë ishte me tërë kuptimin e fjalës realizimi i një ëndrre, pasi isha një vajzë e re (21 vjeçe). Gjithsesi, tani e konsideroj veten më shumë një pjesëmarrëse se një atlete, duke e parë Klodin e atëhershëm nga dita e sotme. Isha një kampione kombëtare në garën time (400 m), por në raport me kundërshtarët një atlete amatore e pa eksperiencë. Mbresa më e veçantë për mua ishte organizimi, përcjellja e mbështetja e tifozerisë, madje derdha edhe disa lot kur u futa në stadiumin olimpik të Sidnejit.

Katër vjet më pas në “Athinë 2004”, flamurmbajtësja midis shtatë sportistëve shqiptarë që morën pjesë në Lojërat Olimpike greke. Nëse në “Sidnej 2000” konkurruat në garën e 400 metrave drejt, në Athinë në 400 metra me pengesa. Sa ndikoi ky ndryshim te rezultatet e tua.

- Nga viti 2003 nisa të ndihesha një sportiste profesioniste, më tërë kuptimin e fjalës, por edhe kundërshtarët më kanë parë me këtë sy. Në Athinë shkova për rezultat të mirë, por fati atë ditë nuk ishte me mua në garën time në 400 metra. Më dhembi shumë, pasi nuk dola me atë rezultat ku të gjithë, përfshirë edhe trajnerin tim Taulant Stërmasi prisnim. Në “Athinë 2004” ditëlindjen e festova mbyllur në dhomë, duke qarë, pasi unë garova, më 21 gusht dhe pata një rezultat të keq. Qëndrova e mbyllur në dhomë për dy ditë rresht dhe vetëm thirrja me megafon e vullnetareve shqiptare, të cilat kishin ardhur edhe me një tortë, me riktheu humorin dhe më bënë të kujtoja se kisha ditëlindjen dhe mbushja 25 vjeç”.

Përpara se të ndalojmë në “stacionin e Pekinit”, le të ndalemi në atë të Goteborgut. Në Kampionatin Europian të Goteborgut në vitin 2006 vendosët edhe rekordin tuaj në 400 metra, me kohën 52”86, pikërisht më 8 gusht 2006, datë që përkon edhe me nisjen e Lojërave Olimpike “Pekin 2008”’ më 8 gusht 2008.

- Oh, atëherë shpresoj të jetë shans për mua (qesh). Kampionati i Goteborgut ishte një aktivitet goxha i madh dhe me rezultate shumë të mira për mua. Mora pjesë në garën e 200 dhe 400 metrave. Në garën e 200 metrave arrita deri në gjysmëfinale dhe gjithashtu theva edhe rekordin kombëtar, duke e çuar atë në 23 sekonda e 55 të qindtat (23”55), që është një rezultat shumë i mirë. Në garën e 400 metrave arrita kohën 52”86, edhe ky një tjetër rekord. Në “Pekin 2008” shkoj si një atlete profesioniste dhe rekordmene e katër disiplinave (50, 100, 200 e 400 metra), me pjesëmarrje të rregullta në kampionate botërore e evropiane, në pista të hapura e salla të mbyllura, e me rezultate goxha të larta. Në Pekin do të garoj në 400 metra drejt dhe gara do të zhvillohet, më, 16 gusht, në orën 6:00 me atë shqiptare.

“Më pëlqejnë pengesat”

Shala është rekordmene absolute në garat e 50, 100, 200, 400, 110 në vijë të drejtë, por edhe në 400 metra me pengesa. Por ku e ndjen veten më mirë Klodiana? “Gara e 400 metrave drejt mund të jetë më e lehtë, por më mirë dhe për të marrë medalje do të thosha se jam në garën e 400 metrave me pengesa”.

Imazhi i spoteve të AMC-së

Ikona e atletikës shqiptare, Klodiana Shala, është imazhi i kompanisë më të madhe të shërbimit celular në Shqipëri, AMC-së. “Kam filluar në vitin 2003 dhe vazhdoj akoma me AMC-në. Pas spotit publicitar të vitit 2006, shumë shpejt do të dalë edhe një i ri, ku unë jam në qendër të tij, pasi dhe xhirimet për mua kanë përfunduar para disa ditësh”.

Stërmasi, trajner e bashkëshort

Klodiana Shala e Taulant Stërmasi, sportistja e trajneri, por edhe bashkëshortët e ardhshëm, të cilët për momentin prej disa vitesh bashkëjetojnë. Stërmasi ka dalë tri herë kampion si futbollist me Tiranën (1995-96, 1996-97, 1998-99). “Taulanti ka dhënë çdo gjë për mua. Ka sakrifikuar tre vjet për mua, për të arritur këtu ku jam. Besoj se dhe ai nuk është pishman”

Shumë sportistë amatorë

Vetë trajneri Stërmasi stërvit nëntë sportist të ekipit kombëtar, një pjesë e tyre rekordmenë në garat e tyre. “Një nga këta është edhe Admir Bregu, - thotë Stërmasi, - i cili është një nga dy sportistët më të mirë që stërviten në Shqipëri”. Bregu garon në garën e kërcimit së gjati dhe mban rekordin në këtë garë duke fituar disa medalje në garat e fundit ndërkombëtare. Shqipëria, në fakt, ka vetëm katër emra elitarë në qarkullim: Klodiana Shalën, Dorian Çollakun (hedhje çekiçi), Admir Bregun e Elton Bitinckën (110 metra me pengesa). Por, pse janë kaq pak? Stërmasi thotë: “Kanë parametra shumë të lartë dhe janë vërtet profesionistë. Kam tre sportistë, të cilët janë sportistë absolutë në Shqipëri. Përveç Klodit e Admirit, janë edhe dy të rinj Suad Panahori, i cili garon 100, 200 e 400 metra dhe nuk diskuton askënd në garën e tij, si dhe Luiza Gega, që ka rekordin e të rejave në 800 metra, nga 2’14 në 2’10. Ekziston një diferencë e madhe e të pestit më të mirë në Shqipëri me këtë katërshe, kjo parë edhe në raport me pikët olimpike të çdo sportisti. Kjo bën dallimin edhe të profesionistit nga amatori. Në Shqipëri shumica janë amatorë. Një profesionist për të arritur në nivele të larta, ia kushton gjithë jetën e tij sportit. Klodi, për shembull bën 11 seanca stërvitore në javë, kur ka të tjerë që nuk i realizojnë ato në muaj”.

Fitimi në sport

Sportistët përgjithësisht konsiderohen njerëz që fitojnë shumë përmes aktivitetit të tyre sportiv. Por, sa e kanë menaxhuar Shala e Stërmasi këtë mundësi të artë. “E kemi filluar si unë e Klodi me vetëm 48 mijë lekë të vjetra, aq merrnim nga federata e atletikës në vitin 2003. Në vitin 2004, Klodi theu rekordin kombëtar në 400 metra drejt dhe në 400 metra me pengesa. Më pas në vitin 2005, 2006, 2007 u thyen çdo vit nga 5-6 rekorde kombëtare, të cilat tani janë pronë e Klodit në 50, 100, 200 e 400 metra, salla të hapura e të mbyllura. Sigurisht, këto kanë pasur edhe shpërblimin e tyre. Klodi dhe Admiri kanë mbërritur në një pikë, që dinë mirë se çfarë mund të përfitojnë prej punës së tyre. Gjithsesi, kanë edhe shpenzimet e tyre, pasi vetëm një seancë fizioterapie kushton 3000 lekë, kur Klodi ka raste që bën edhe 8 të tilla në muaj”.

Një Klodi e re?

Klodiana Shala vlerësohet si atletja më e madhe shqiptare. Për momentin Shqipëria nuk ka një tjetër në parametrat dhe rezultatet e saj. Por kur do të dalë në horizont një Shalë e dytë: “Nuk dua të them se Klodi është absolute, pasi besoj se në të ardhmen mund të vijnë atletë më të mirë se ajo, ashtu si Klodi u bë më e mirë se paraardhësit e saj. Sportistët e rinj janë në një pikë, që ndoshta kënaqen me vendin e parë në Shqipëri, por që kur dalin në kompeticione ndërkombëtare janë turpi i vetes. Për momentin nuk po shoh ndonjë talent të veçantë, përveç Eusebio Halitit, i cili stërvitet në Itali dhe nuk ka zgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë. Është 17-vjeç dhe bën 400-metërshin në 46 sekonda e 77 të qindtat”, - thotë trajneri Stërmasi.

Shala, jashtë piste

Me shikim të parë

Klodi stërvitet nga Stërmasi, trajneri dhe bashkëshorti i saj. “Lidhja joni nisi si një dashuri më shikim të parë. Disa nuk e besojnë, por ne jemi njohur, më 22 gusht 2006, pikërisht gjatë një ditëlindje time dhe që nga ajo ditë bashkëjetojmë”.

Kuzhiniere e mirë

Po cila është Shaka në versionin shtëpiak. “Më pëlqen të jem nikoqire e mirë. Gatuaj si një kuzhiniere e vërtetë. Në shtëpi prej më shumë se një viti jemi vetëm unë dhe Taulanti Jam shumë mishngrënëse, por më pëlqejnë më shumë frutat e detit.”.

Anti-pub

Edhe pse në lukun e saj paraqitet gjithmonë një vajzë trendi, është një sportiste që nuk i pëlqen shumë pub-et. “Klodi është anti-pub, - thotë bashkëshorti i saj, - mund të kemi shkuar me detyrim nga miqtë tanë vetëm dy-tre herë”.

“VIP” në spektakle

Klodiana shumë shpesh ka qenë pjesë e të ftuarve “VIP” në spektakle. “Më thërrasin shpesh dhe më pëlqejnë të shkoj në spektakle, por ka dhe nga ato që kam refuzuar, kur kam parë veten që nuk ndjenja veten mirë qysh në prova”.

Tifoze e Gjermanisë

I pëlqen futbolli dhe ndjek me kënaqësi evenimentet e mëdha futbollistike, madje ishte e ftuar edhe në një emision sportiv për Euro 2008-n. “Në Europian isha tifoze me Gjermaninë. U mërzita që humbi finalen, por Portugalia luajti më mirë”.

Adhuron një sportiste

Pa asnjë dyshim idhull ka kampionen dhe rekordmenen olimpike greke të 400 metrave me pengesa, Fani Halkea. “Kjo edhe nga fakti se kam jetuar për pak kohë në Greqi. E njoh nga afër, pasi jam stërvitur me atë në Athinë dhe është shumë e talentuar”

Makina të shpejta

Shala është një atlete e garave të shpejtësisë dhe makinat i do po të tilla. “Më pëqejnë makinat dhe motorët e shpejtë. Sapo Taulanti më ka dhuruar për një Nisan Vitara, i jap si e çmendur, por për fat nuk kam bërë asnjë aksident apo të gërvishtur”.

10 vjet pa plazh

Shala merr pjesë rregullisht në mitingje ndërkombëtare, që bëhen më së shumti gjatë verës. “Kam 10 vjet që nuk kam bërë plazh, të paktën në kuptimin tradicional, ku të shkojmë për dy javë e të prenotojmë diku, siç bëjnë shumica e shqiptarëve”

Ditëlindja në Olimpiada

Klodiana ka lindur, më 22 gusht 1979, dhe pasur fatin t’i festojë ditëlindjet gjatë Lojërave Olimpike, si në Sidnej kur mbushi 21-vjeç, ashtu dhe në Athinë, kur mbushi 25 vjeç. Më 22 gusht 2008, ajo do të mbushë 29 vjeç dhe do ta festojë në fshatin olimpik kinez, pasi dhe Lojërat Olimpike “Pekin 2008’, përfundojnë në datën 24 gusht.

Shala në zyrë

Klodi ka veshur përveç atleteve edhe kostumin e zyrtares. “Kam qenë në rolin e këshilltares së ish-ministrit të Sporteve, Bujar Leskaj dhe tani jam kryetare e Komisionit të Sportistit pranë Komitetit Olimpik Shqiptar. Dua t’i ndihmoj sportistët dhe luftoj për të drejtat e tyre. Jam shumë e ashpër në këtë drejtim, pasi kam vuajtur vetë””.

Humanizmi për Lorenën

Lorena Drenovci, një nga sportistet e talentuara shqiptare në disiplinën e hedhëses së çekiçit vuante nga një sëmundje e rëndë, duhej urgjentisht të kurohej në Turqi, ku ndërroi jetë më pas. Shala iu përgjigj thirrjes së familjes së Lorenës, duke dhuruar së bashku edhe me bashkëshortin e saj, 8000 euro. “Leku nuk mund të krahasohet me jetën e një njeriu”

Albanian-Sport

Jep një mendim mbi këtë temë:

Reklama


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema tė nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA