Olimpiada Flamurmbajtesi Sahit Prizreni jep fjalen se do te ngjitet ne podium
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Vetëm 24 orë nga nis ja e ekipit olimpik kombëtar për në Azinë e largët për Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, mundësi Sahit Prizreni pohon se do të kërkojë medaljen në Olimpiadë. Medalisti, i cili do të mbajë flamurin gjatë parakalimit në ceremoninë e hapjes theksoi se ndihet shumë krenar dhe se ka besim për një rezultat pozitiv. “Të them të drejtën nuk është se kam pretenduar, por është një farë krenarie dhe përgjegjësie në të njëjtën kohë që të mbash flamurin shqiptar dhe atë mund ta mbante një nga kolegët e mi të tjerë. Por mendoj se përderisa stafi dhe shokët e Ekipit Olimpik më votuan mua, do të thotë që më kanë dhënë një përparësi. Unë me të vërtetë do të mundohem që ta shpërblej besimin e stafit, të Presidentit të Republikës, besimin e të gjithë shqiptarëve, pse jo edhe me një medalje”, ka deklaruar olimpisti Sahit Prizreni për “Radio Kosova”. Edhe pse kushtet lënë shumë për të dëshiruar, Prizreni ka vendosur t’i qëndrojë edhe më pas besnik fanellës kuqezi. “Në vitin 2005 unë u largova nga Shqipëria dhe qëndrova 2 vjet e gjysmë në Amerikë. Të them të drejtën, unë vërtetë isha në Amerikë, por mendjen e kisha në Shqipëri dhe është krenari, që ne sportistët e ndjejmë dhe nuk ka fjalë për t’u shprehur. Të ngresh flamurin shqiptar në një veprimtari të rëndësishme është një kënaqësi e pakufizueshme. Mesazhi më i mirë është që t’i mbrojmë këto ngjyra kuqezi që kemi se është një krenari më vete, një kënaqësi që jo rrallë, por është e pamundur që ta marrësh në një shtet tjetër. Kështu që thjesht u them të gjithë sportistëve, të gjithë shqiptarëve të bëjnë maksimumin për flamurin kuqezi”, nënvizoi Prizreni, i cili nuk e fsheh dashurinë edhe për Kosovën. “Vij nga një qytet me traditë siç është qyteti i Kukësit për sportin e mundjes. Pjesën më të madhe të fëmijërisë e kam kaluar aty. Pas klasës së 8-të u shpërngula nga Kukësi dhe vazhdova stërvitjen time në klubin e Tiranës ku jam edhe sot. Mbiemri im vjen nga qyteti i Prizrenit, ku gjyshi im është lindur dhe prej atij qyteti ka ardhur edhe mbiemri. Mund të them se kam një lidhje me Prizrenin dhe shtetin e Kosovës. Kështu që ndjej një farë krenarie, që me anë të mbiemrit, me anë të origjinës përfaqësoj Kosovën dhe Shqipërinë në të njëjtën kohë. Fëmijëria ime ka qenë mjaft, një familje mesatare, e cila ka bërë gjithçka që të mos ndjej kurrfarë mungese përgjatë gjithë karrierës time sportive”, është shprehur Sahit Prizreni për “Radio Kosovën”. Shqipëria do të përfaqësohet në “Pekin 2008” me 11 sportistë në gjashtë disiplina të ndryshme, rekord ky për pjesëmarrjen e një delegacioni shqiptar në Lojërat Olimpike.