Muzikaliteti i Korces ne Selanik

Muzikaliteti i Korçës në Selanik
Këto gra me flokë të argjendta që reflektonin dritë nga rezet e nxehta të diellit, duke përcjellë me fjalët nektar vajzat, djemtë, nuset, në provime, në punë a diku gjetkë, kishin dalë të fshinin e pastronin sofatet e rrugicat me kalldrëm që vinin që nga rrëzë kodrave drejt qendrës së qytetit. Edhe ne këtë mëngjes u mblodhëm te sheshi para prefekturës këngëtarë dhe orkestrues, gazetarë e kameramanë dhe u nisëm me një autobus komod për në Selanik. Një kuartet organizativ: Prefektja e qarkut të Korçës prof. dr. Elfrida Zefi, prefekti i Selanikut z. Panajotis Psomiadhis, konsulli i përgjithshëm i konsullatës greke në Korçë z. Konstantinos Moatsos, si dhe konsulli i Shqipërisë në Selanik z. Thoma Nini kishin projektuar bashkërisht një koncert me këngëtarë korçarë në teatrin veror në “Neapoli” në Selanik.

Eurorajoni fillon nga fqinjët, shkëmbimet kulturore-artistike janë një prolog i lëvizjes së lirë të njerëzve, interferimit të kulturave dhe vlerave artistike, forcimit të miqësisë midis popujve, një nga vizionet praktike të Bashkimit Evropian.

Mbasi kalojmë qetësisht duke u përcjellë me mirësi dhe korrektësi nga dy doganat: shqiptare dhe greke, autobusi mori rrugën e asfaltuar mes një gjelbërimi të dendur të pyjeve dushkore, por herë-herë kjo pamje thyhej nga e verdha e purpurt e parcelave me grurë dhe plantacioneve me pjeshkë.

Grekët janë fanatikë në ruajtjen e tokës bujqësore, moszënien e saj me ndërtime. Ata ia dinë mirë vlerën më shumë se kushdo tjetër. Prandaj ndërtimet i bëjnë buzë kodrave, për mos thënë se Kosturi dhe Kavalla shtëpitë i ka të ngulura në shkëmb e që duken si statuja të bardha që mbështeten në supet e njëra-tjetrës, duke parë njëra nga liqeni dhe tjetra nga deti.

Në arat e korrura me grurë dukeshin rulota me kashtë të presuar. Një devolli që kisha aty afër më tha: “Ja ky është nikoqirllëk i fermerit modern…”.

Udhëtimi

Autobusi filloi të gjallërohej nga shakatë plot kripë të Elas, Ornelas, Mitit, Fiorit, etj.

Disa sedilje para meje qëndronte i heshtur Sherif Merdani me Tomi Kondakçinë, në krahë të tyre Laxarela Deti e veshur në të verdha dhe Beni si gjithmonë i qeshur dhe i gatshëm për të ndihmuar këdo.

Kujtimet nuk i zverdh koha. Ato janë si plagët që megjithëse kanë zënë kore mjafton t’i ngacmosh sado pak dhe ato përsëri dhembin, si në ato ditë të vështira të viteve 1956 e tutje, kur ai nga një fshat i largët i Skraparit ku ishte mësues vinte në Çorovodë e këndonte aty mes maleve i shoqëruar me kitarën nga i miri dhe njeriu gojëmbël Thanas Bicolli që tani nuk rron më, nga firzamonika e Piro Kotokës, etj…

Kënga e tyre ishte balsam për djemtë dhe vajzat e reja mësuese në Skrapar që mblidheshin në Çorovodë të shtunave e të dielave. Këto vajza e këta djem ishin nga familjet intelektuale më të mira të Korçës, Beratit, Vlorës, Tiranës, Shkodrës…

Po çfarë mendon Sherif Merdani në këto çaste: vuajtjet që hoqi që kënga e fjala të ishte e lirë…

Çfarë mendon Sherif Merdani, se ambasadorë më të mirë se artistët nuk ka, sepse ai këtë e di më mirë se çdo njeri tjetër, se ka qenë në ambasadën në Romë…

Këtë e di vetëm mendja dhe shpirti i ndjeshëm dhe i pastër i Sherif Merdanit.

Po le ta lemë atë në meditimin e tij, tani që po hyjmë në autostradë, ku për të vajtur në Selanik duhet të kalosh 14 tunele që grekët i kanë qëndisur shumë mirë, 14 tunele janë dhe kur kthehesh, domethënë 28 tunele, 6 nga të cilët janë shumë të gjatë. Këta tunele shkurtojnë shumë kohën e vajtjes nga Korça në Selanik, e cila tani bëhet në tre orë. Të bie në sy, se përveç korsive të gjera, autostrada është bërë larg qendrave të banuara, anët e rrugës të autostradës të asfaltuar janë me perithore shinash hekuri dhe rrjeta teli për të mos kaluar njerëzit dhe kafshët. Në këto raste është i nevojshëm “kloni” se parandalon aksidentet. “Nuk e kuptoj më thoshte bashkëbiseduesi, i cili përdori fjalën “klon”, pse nuk i bëjmë dhe ne autostradat kështu?!...

Ja dhe Selaniku i vendosur në këmbët e një kodre me “panoramën”, ballkonin e këtij qyteti evropian që i ri si vetull kurorë duke parë nga dritaret e shtëpive në horizont detin e kaltër dhe shkumën e bardhë të valëve që puthin bregun.

“Afrodita, hyjnesha e bukurisë dhe e dashurisë parafytyrohej nga grekët se lindi nga shkuma e detit”.

Ja dhe kulla e “Lephospirgos” buzë detit e ndërtuar nga venedikasit 1500 vjet para Krishtit.

Sa herë vij në Selanik më mbijnë në gojë ashtu si padashur titulli i një reportazhi i shkruar në vitin 1991, “Afër dhe larg….”, dhe vargjet për Olimbinë-Olimbiadhën siç e quanin grekët, gruan e parë të Filipit të II, nënën e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, e cila ishte dhe motra e Aleksandrit të Molosëve të Ilirëve…

Do të vete t’i zbuloj varrë,/ Të shikoj, se ç’nur ka marrë,/ Nur të kuq, a nur të bardhë…

Në darkën mikpritëse që u shtrua në “Porto Palace-Hotel” përshëndetën artistët dhe të pranishmit e tjerë, prefekti i Selanikut z. Panajotis Psomiadhis, prefektja e qarkut Korçë znj. Elfrida Zefi, konsulli shqiptar në Selanik z. Thoma Nini. Gjithashtu merrnin pjesë Ilia Milo, kryetar i qarkut Korçë dhe Shaban Memia.

Folësit theksuan rëndësinë e aktiviteteve të tilla artistike, të cilat forcojnë miqësinë midis popujve dhe bëjnë të mundur njohjen e vlerave kulturore-artistike të dy qyteteve, Korçë dhe Selanik, krijimin e një atmosfere të gëzueshme jo vetëm për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Selanik, por dhe për vetë grekët.

Koncerti

Shfaqja u dha në teatrin veror “Neapoli” të Selanikut, ku morën pjesë mbi 2000 spektatorë shqiptarë që jetojnë në Selanik dhe grekë. Ata i përshëndeti prefektja e qarkut Korçë znj. Elfrida Zefi:-Mirëmbrëma! –Ju o njerëz të mrekullueshëm, që jepni me prezencën tuaj madhështinë e bukurinë këtij koncerti. –Kemi ardhur të komunikojmë kësaj radhe me ju me anë të këngës së bukur, që ju e doni dhe e ndjeni kaq fort”.

Spektakli filloi me një grup këngësh përshëndetëse të këngëtarëve grekë, të cilët kënduan bukur dhe u duartrokitën nga të pranishmit.

I pari që u ngjit në skenë nga këngëtarët korçar ishte Sherif Merdani, i cili këndoi 7 këngë që me vokalin dhe interpretimin e tij virtuoz e hipnotizoi spektatorin.

“Pse është i madh Sherif Merdani...”?

Sherifi ka sukses, sepse ai kur këndon ve në këngë, zemrën dhe shpirtin e tij, këndon me një ndjenjë të mahnitshme, të elektrizon, është i besueshëm se dhimbja e tij e shprehur në këngë interferon dhe bëhet pjesë përbërëse e shpirtit të qindra e mijërave njerëzve të mirë. Sherifi duke kënduar në një moment befasues ai ngriti sytë e lëngëzuar drejt qiellit duke e lënë spektatorin të mahnitur e të impresionuar me vargjet, “E ku ishte ti o Zot, kur për një çast ne të mohuam...?!”... ose tek kënga e Nënës, e cila ishte sa tronditëse, aq edhe e bukur, sa shprehëse, aq edhe e dashur, sa e dhimbshme, aq edhe e përmalluar, sa intime, aq dhe mesazh thirrëse, “Mos e harroni kurrë nënën! Kushdo mund të tradhtojë, por zemra e nënës kurrë jo...!”.

Një pamje tjetër japin këngëtaret e talentuara që kënduan plot bukuri e hijeshi Lazarela Deti dhe Zulieta Sheremeni. Me një timbër të veçantë, të bukur, plot delikatesë përcollën për spektatorin këngët e bukura popullore të trevës sonë që e ndezi spektatorin dhe e ngriti në këmbë për të kënduar dhe hequr vallen në teatrin veror të “Neapolit”, duke e kthyer spektaklin në një festë të vërtetë, duke krijuar atë intimitet, atë osmozë artistike këngëtar-spektator.

Pastaj del në skenë këngëtari i ri në moshë, por që këto vitet e fundit ka bërë jehonë dhe është shumë i dashur për spektatorin Mateos Frroku, i cili me vokalin e tij, zhdërvjelltësinë në interpretimin e bukur të këngëve impresiononin spektatorin në teatrin e “Neapolit” të Selanikut ku djemtë dhe vajzat e reja këndonin dhe vallëzonin duke shoqëruar këngëtarin, duke i dhënë spektaklit një ngjyrë të veçantë të bukur e rinore.

Tomi Kondakçi këndon lehtë me kitarë me një zë të ëmbël, bukur, me ndjenjë, me mall këngë nga serenatat korçare, si dikur në rininë e tij, duke iu sjellë spektatorëve një copë jetë nga kujtimet për Korçën e tyre të dashur me sokakët me kalldrëm e mbrëmjet e mbushura me këngë e tinguj kitare…

Koncerti arrin kulmin pas orës 01.00 pas mesnate, kur në skenë dalin vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti me orkestrën e tyre. Një bukuri e rrallë, duet i përkryer, këngë të bukura korçare, por dhe greke, ku përsëri spektatori i elektrizuar dhe i befasuar nga kënaqësia e suksesit u ngrit duke kënduar e vallëzuar. Duartrokitjet ishin të merituara për të gjithë këngëtarët dhe orkestruesit.

Surpriza e spektaklit ishte kur prefekti i Selanikut, Panajotis Psomiadhis, mori mikrofonin dhe këndoi plot 7 këngë, duke treguar talentin e tij jo vetëm si prefekti i suksesshëm i Selanikut me 1 milion e 500 mijë banorë, por dhe si këngëtar i talentuar.

Në fund të shfaqjes Psiomadhis i dhuroi prefektes së Korçës, Elfrida Zefi, bustin e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, kurse ajo i dhuroi prefektit të Selanikut një pikturë me pamje të Korçës dhe kryetarit të Bashkisë së Selanikut bustin e të madhit Skënderbe.

Të gjithë emigrantët që ishin në shfaqe pavarësisht se ishin nga Korça, Shkodra, Berati, Vlora, Tropoja, shpreheshin të entuziazmuar: -Ju lumtë, na nderuat. Na sollët këtu në Selanik këngët e vendit tonë, bukurinë e saj, na bëtë me krahë…

Ja si u shpreh Thimi Gërnioti, këngëtar, djali i boksierit të famshëm korçar që bëri emër në botë Rafail Gërnioti, nga një familje me tradita në boks.

“Kam 15 vjet që jetoj në Selanik, kam kënduar në vitet 1970 me Sherif Merdanin, me Laxarela Detin kam qenë në estradën e Korçës, po kështu me Zhulietën, kam miq vëllezërit Prifti e Tomi Kondakçi, ishte një sukses i merituar, i pritur. Aktivitete të tilla janë shumë të nevojshme, ato na ripërtërijnë, na rritin vlerat si korçarë, si shqiptarë. Grekët kanë dashuri për këngën, e duan atë. Këto aktivitete artistike forcojnë miqësinë ndërrajonale, por dhe më gjerë. Duhet edhe në të ardhmen të kemi aktivitete të tilla. Ne do të ndihmojnë për organizimin më të mirë të tyre, siç bëmë sonte, ku pjesa më e madhe ishin të rinj dhe të reja emigrantë shqiptarë. Kjo është e rëndësishme”.

Ilia Niço dhe gruaja e tij Mira shprehen: “Ishte një koncert shumë i bukur, dinjitoz, unë kam punuar për disa vjet në Pallatin e Kulturës Korçë. Shfaqja e sotme tregoi se muzika, arti dhe gjinitë e tjera artistike po përparojnë dhe kjo na gëzon ne emigrantët. Ju lumtë organizatorëve të Korçës dhe Selanikut dhe këngëtarëve korçarë të mrekullueshëm”.

Koncerti mbaroi në orët e vona të natës, por këngëtarët dhe orkestruesit ishin të kënaqur me suksesin e arritur dhe nuk ndjenin lodhjen, sepse në veshët e tyre akoma dëgjoheshin duartrokitjet e stuhishme dhe këngët që u kënduan bashkërisht.

Të nesërmen në mëngjes duke u përshëndetur me Selanikun e bukur dhe mikpritës i thamë atij “Mirupafshim!”.

VEHBI FURXHI : Gazeta Metropol

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama