Mrekullia e fundit quhet “Turqi”

Shkruar nga:  
Postuar më: 4 vite mė parė

Mrekullia e fundit quhet “Turqi”
Mrekullia e fundit quhet “Turqi”

Koha e rregullt përfundoi në një barazim të bardhë pa gola, gjatë së cilës kroatët krijuan edhe rastet më të mira për shënim, por pa qenë të saktë para portës kundërshtare. Në kohën shtesë, të dyja skuadrat vazhduan të luajnë me të njëjtën taktikë, duke u përqendruar te lufta e fortë në mesin e fushës. Megjithatë në fund të saj ka qenë pikërisht Ivan Klasniç ai që lumturoi kroatët, me një gol shënuar në minutën e 119- të, pas një gjuajtjeje të saktë me kokë brenda zonës. Ishte ajo dalje e gabuar e portierit Rushtu, ajo që u shfrytëzua mjaft mirë nga kundërshtarët. Mirëpo, ndeshja nuk përfundoi me kaq. Edhe pse takimi ishte në limitet e tij, turqit nuk u dorëzuan. Menjëherë pas golit kroat, ata arritën të barazojnë mrekullisht. Në minutën e fundit të lojës, Samih Senturk arriti të përfitojë nga një rrëmujë brenda zonës kundërshtare, duke gjuajtur fort dhe saktë në portën e Pletikosës. Një gol që riktheu shpresat e turqve për kualifikim. Dhe u desh më pas pika e bardhë e 11-metërshave që të tregohej qartë ndryshimi midis moralit të dy ekipeve, ku turqit ishin pa diskutim më të bindur te kualifikimi, pasi atij gol mjaft shpresëdhënës në minutën e fundit. I pari që goditi nga pika e bardhë ishte talenti kroat Luka Modriç, që gjuajti jashtë. Një arsye më tepër kjo për t’i shtuar besimin te kualifikimi turqve, të cilët shënuan në të gjitha gjuajtjet e tyre, ndërkohë që për kroatët gaboi nga pika e bardhë edhe Rakitiç e Petriç. Një kualifikim mbresëlënës i Turqisë ky, e cila është e gatshme të sfidojë Gjermaninë në gjysmëfinalet e kampionatit evropian.


Kualifikimi festohet edhe në Tiranë


Kualifikimi i Kombëtares turke për në gjysmëfinalet e kampionatit evropian është festuar edhe në Tiranë. Dhjetëra tifozë të Turqisë dhe shtetas të këtij vendi, të cilët banojnë këtu në kryeqytet, kanë dalë në sheshin “Skënderbej”, ku kanë valëvitur flamujt e kanë përjetuar në mënyrë festive atë fitore të përfaqësueses turke ndaj Kroacisë. Turqia arriti të sigurojë kështu një biletë për në gjysmëfinalet e Euro 2008, pasi eliminoi Kroacinë me anë të gjuajtjes së 11-metërshave, ndërkohë që në raundin tjetër do të përballet me Gjermaninë, e cila eliminoi Kombëtaren e Portugalisë.


Senturk: Ta çojmë ëndrrën deri në fund


Heroi i Kombëtares turke, Samih Senturk, ka deklaruar se po përjeton një ëndërr, të cilën dëshiron ta çojë deri në fund. “Ishte një ndeshje e jashtëzakonshme, të cilën ne e kaluam me sukses. Një rezultat i shkëlqyer, që na dërgon në gjysmëfinalet e Evropianit. Jam shumë i lumtur për kualifikimin dhe për golin. Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta çojmë gjer në fund ëndrrën tonë. Kemi dhënë gjithmonë maksimumin dhe në tre ndeshjet e fundit kemi treguar qartë se jemi një ekip që nuk dorëzohet lehtë”, – theksoi Senturk, i cili realizoi golin e barazimit në mbrëmjen e djeshme, por që gjithashtu shënoi një gol të rëndësishëm edhe në ndeshjen e fundit të fazës në grupe, përballë Çekisë.


Terim: E merituam, sepse besuam


Trajneri i Kombëtares së Turqisë, Fatih Terim, është shprehur shumë i lumtur për kualifikimin e skuadrës së tij për në gjysmëfinalet e kampionatit evropian. Ai e ka cilësuar si të merituar kualifikimin për në raundin tjetër, pasi besimi që treguan për të arritur një gjë të tillë, i çoi drejt suksesit. “Ishte një përballje me shumë emocione. Të dyja skuadrat bënë një lojë të fortë dhe arritën të ekuilibrojnë forcat në fushë. Gjithsesi, ne nuk i humbëm shpresat për asnjë moment. Treguam përsëri se jemi një skuadër që nuk e pranon lehtë humbjen. Edhe pse kroatët shënuan vetëm dy minuta nga fundi i takimit, ne ia dolëm të mblidhnim forcat për të barazuar gjithçka. Ishte një fitore e merituar, sepse besuam te fitorja. Gjithsesi, duhet të përgëzoj edhe Kroacinë, pasi bëri një lojë mjaft të mirë dhe tregoi se është një skuadër me futbollistë të shkëlqyer, të cilët u munduan të japin më të mirën e tyre. Gjuajtja e penalltive ishte në favorin tonë, pasi ishim në gjendje më të mirë psikologjike. Kroatët ishin nën presion dhe këtë e treguan edhe gjatë gjuajtjeve. Tashmë, duhet të shijojmë momentin dhe të mendojmë për ndeshjen e ardhshme”, – përfundoi trajneri Fatih Terim, i cili përgëzoi të gjithë lojtarët e tij.

Jep një mendim mbi këtë temë:

Reklama


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema tė nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA