Kroatet te bindur te kualifikimi

Kroatët, të bindur te kualifikimi
“Nëse do tregojmë durim dhe disiplinë, atëherë besoj se nuk do jetë shumë problem për ta kaluar Turqinë”, kërkoi nga shokët e tij të skuadrës për ndeshjen e sotme, mesfushori 36-vjeçar Niko Kovaç. Për trajnerin kroat, Slaven Biliç, një gjë është mjaft e qartë: “Nuk ka rëndësi se çfarë mund të ndodhë në çerekfinale, ne jemi një skuadër e madhe dhe unë jam mjaft krenar për këta djem që kam përreth vetes”. Kundër Turqisë në çerekfinale trajneri Biliç kërkon të hedhë në fushën e lojës formacionin e tij më të mirë, që doli fitues një javë më parë kundër Gjermanisë. Në stërvitjen e skuadrës janë kthyer edhe dy mesfushorët Ivan Rakitiç dhe Dario Srna, të cilët kohët e fundit kanë pasur disa probleme muskulore. Kundërshtarin e radhës Biliç e ka analizuar gjatë nëpërmjet videokasetave. “Ata janë shumë të fortë teknikisht dhe taktikisht, por edhe si çdo skuadër tjetër, edhe kjo defektet e veta, të cilat ne duhet t’i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë - u shpreh tekniku i përfaqësueses kroate Slaven Biliç. – Gjithsesi, ne jemi skuadra më e mirë”. Ndeshja e parë në një Evropiani për Kroacinë ka qenë pikërisht kundër Turqisë në Evropianin e vitit 1996, ku kroatët kanë fituar me rezultatin minimal 1-0. “Më kujtohet shumë mirë ai takim. Ishte ndeshja jonë e parë si një shtet i pavarur në një kampionat Evropian - deklaroi Slaven Biliç, i cili kërkon të kalojë një tur më tej. - Ne duhet të shkojmë të qetë në këtë përballje, pasi edhe çerekfinalja është një ndeshje si gjithë të tjerat”, theksoi Biliç.


Kroati Kranjçar kërkon gjysmëfinalen


Mesfushori i Kombëtares kroate, Niko Kranjçar, është mjaft i bindur te kualifikimi për në gjysmëfinalet e këtij Evropiani. “Ne i vlerësojmë turqit, pasi janë kualifkuar për në çerekfinale dhe kundër Çekisë kanë zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë. Por ne besojmë shumë te kualiteti ynë dhe jam mjaft i sigurt që do kualifikohemi më tej - deklaroi mesfushori i avancuar Kranjçar. – Çdo skuadër në çerekfinale ka një shans, por nga ana tjetër ne kemi një skuadër më të mirë. Ne gjithnjë e kemi treguar se çfarë kemi mundësi të bëjmë, edhe kësaj radhe jemi gati ta përsëritim një gjë të tillë. I gëzohem shumë kësaj ndeshjeje”. Organizatori i skuadrës së Portsmuthit ka qenë një nga lojtarët kryesorë në fitoren 2-1 ndaj Gjermanisë në fazën e grupeve. “Fitorja 2-1 ndaj Gjermanisë ishte perfekte. Jam ndjerë mjaft mirë në sulm, pasi kam luajtur edhe më parë në këtë repart”, theksoi Kranjçar.


PanoramaSport

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama