“Si vend, ne gjithmonë kemi treguar neveri kundrejt futbollit italian. Jo thjesht për shkak të fatit, por edhe për shkak të “hileve”. Gjatë këtyre ditëve, kjo neveri do të bëhet më e dukshme se gjithmonë”. Dje në mëngjes, “Marca” deklaronte se italianët “janë ekspertë në ‘futbollin tjetër’, maestro të harxhimit të kohës, të shkatërrimit të ndeshjeve dhe lojës nën rrogoz”. Italia është fantazma që përndjek Spanjën. Pavarësisht ndjenjave të nxehta që shkaktojnë gazetat, Italia nuk ngjall vetëm neveri, ajo ngjall edhe frikë. Shumë frikë. Askush nuk përpiqet të fshehë zhgënjimin kur kujtojnë mundësinë që do të kishin me Rumaninë por që në fakt u kanë rënë sërish për pjesë italianët. Një nga gazetat, dje në mëngjes dilte me titullin e thjeshtë: “Mos!”. “Italia, gjithmonë Italia”, psherëtinte El País. Ndërsa në radoi bëhej një pyetje vërtet e bezdisshme: “A po ju shpëton në brekë?”. Përgjigjja ishte “po”. Rezultati i së martës në mbrëmje ishte gjëja e fundit që donin spanjollët. E tha Luis Aragones, e tha shtypi, e tha edhe një sondazh online. Në emisionin para ndeshjeve në Marca TV, Hozé Visente Hernáez e mbylli me: “Na bëj një nder Holandë, humb! Forca Rumania”. Zëri i tij fliste për të gjithë. Rumania do të kishte qenë ideale; Franca, e pranueshme; Italia, katastrofë. “Nuk janë kundërshtarët që do të dëshironim, kjo është e sigurt”, tha Aragones. Álvaro Arbeloa thotë: “Italia është gjithmonë e njëjta. Zvarritet gjatë turneut dhe pastaj e fiton atë”. Gjë që do të thotë se sigurisht do të kalojë edhe Spanjën. Përkundër gjithë kësaj, Spanja nuk duhet të shqetësohet. Madje ka rastin të varrosë fantazmat kundër një skuadre që, siç na e vunë 37 herë në dukje komentatorët gjatë 10 minutave të fundit, do të jetë pa Andrea Pirlon dhe Xhenaro Gatuzon. Spanja nga ana e saj ka një unitet që nuk e ka pasur më parë, ka një skuadër ku nuk arrin të gjejë vend as një si Sesk Fabregas, ka një shënues si David Vila, zbulimi i botës së futbollit, por që në fakt ka qenë sulmuesi më i mirë në vend për katër vjet. Shpesh e druajtur në të kaluarën, Spanja e tanishme është ndryshe, duke filluar që nga botërori i kaluar, kur spanjollët premtonin ta nxirrnin në pension Zinedin Zidanen tri ndeshje para se ta bënte Materaci dhe e deklaronin veten si skuadra më e mirë në botë pas vetëm një ndeshjeje. E njëjta gjë do të ndodhte edhe tani, në rast se përballë do të ishte Rumania. Por, do të jetë Italia. Dhe, kryeredaktori i “AS” e thotë bukur: “Italia nuk më frikëson. Ajo më tmerron”. Italia, macja e zezë e Spanjës, ndonëse ndeshja e fundit zyrtare ka qenë 14 vjet më parë. Italia, skuadra e pajisur më mirë nga të gjitha për të zbërthyer mesfushën teknike spanjolle, por të peshës së lehtë. Italia, skuadra që nuk është mundur nga Spanja në ndeshje zyrtare prej 88 vjetësh. Në çerekfinale, faza që Spanja nuk e kalon prej 24 vjetësh. Më 22 qershor, data në të cilën janë eliminuar në secilin prej tre turneve të fundit. I vetmi fakt i lumtur është një ndryshim i madh, krahasuar me USA ’94. Jo se nuk do të jetë Tasoti, ai do të jetë i pranishëm në pankinë. Për fat të mirë, këtë herë Spanja ka David Vila dhe Fernando Torres, jo më Hulio Salinas
SID LOWE
THE GUARDIAN