Rusia fiton dhe ndjen aromė "portokalli"

Shkruar nga:  
Postuar më: 4 vite mė parė

Rusia fiton dhe ndjen aromė
Rusia fiton dhe ndjen aromė "portokalli"

Ishte sulmuesi Roman Pavliuçenko ai që hapi serinë e golave, duke shënuar në minutën e 24-t. Dhe kjo mjaftoi për pjesën e parë të lojës, në të cilën djemtë e trajnerit Hidink mund të kishin shënuar më shumë se një gol. Por gjithashtu edhe pjesa e dytë nisi mjaft mirë për rusët, që dyfishuan rezultatin me anë të Andrei Arshavin, i cili gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 50-të. Arshavin i mungoi kombëtares së tij në dy ndeshjet e para, për shkak të një pezullimi. Kjo u vërtetua më pas, teksa prezenca e tij në fushën e lojës i dha akoma më shumë vizion aksioneve të ekipit. Një fitore që i dërgon rusët në çerekfinale për herë të parë që nga koha që luajnë si shtet i vetëm, ndërkohë që në të kaluarën përfaqësoheshin si Bashkimi Sovjetik. Në raundin tjetër përballja e tyre do jetë akoma më e vështirë, kur do u duhet të ndeshen me kombëtaren e Holandës.


Hidink: Kualifikim i merituar


Trajneri i Rusisë, Gus Hidink, është shprehur shumë i kënaqur për fitoren e arritur ndaj Suedisë, e cila solli edhe kualifikimin për në çerekfinalet e Euro 2008. “Një fitore e rëndësishme dhe një kualifikim po aq i rëndësishëm. Jam shumë i kënaqur me lojtarët e mi, të cilët nuk e ulën ritmin për asnjë minutë. Tashmë duhet të mendojmë për sfidën e ardhshme, e cila do të jetë me të vërtetë mjaft e vështirë. Gjithsesi, ne duhet të vazhdojmë të luajmë me këtë ritëm”, – theksoi kreu i pankinës ruse, Hidink. Gjithsesi, ai nuk e shikon si perfekte lojën e skuadrës së tij, duke kritikuar të njëjtën gjë: “Ne shpërdorojmë mjaft raste për shënim. Kam parë Holandën në ndeshjet e zhvilluara në grup dhe arma e tyre më e fortë është saktësia para portës. Duhet të jemi edhe ne ashtu, për të vazhduar aventurën evropiane”. Trajneri holandez i rusëve e njeh mirë kundërshtarin, ndaj pritet që ta përgatisë me shumë kujdes skuadrën e tij, pavarësisht se do ketë përballë një nga ekipet më në formë të Evropianit.


Lagerbak: Rusia, shumë më mirë fizikisht


Trajneri i Kombëtares së Suedisë, Lars Lagerbak, ka analizuar humbjen me përfaqësuesen ruse, që solli edhe eliminimin nga kampionati evropian. “Ne u munduam të ishim sa më të qetë në fushë dhe të saktë taktikisht. Dëshironim të përdornim kundërsulmin dhe gjuajtjet nga jashtë zone, pasi nuk ishim në formën e duhur fizike. Fakti që Kombëtarja ruse ishte shumë më mirë në këtë aspekt, bëri që ata të dominojnë në fushë dhe të arrijnë të fitojnë. Më vjen keq për një eliminim të tillë, pasi nëse do të kishim qenë në maksimumin tonë, nuk do e kishim diskutuar fitoren”, – u shpreh Lagerbak, i cili la në fushën e lojës për 90 minuta yllin e skuadrës së tij, Zlatan Ibrahimoviç, pavarësisht se ky i fundit nuk ishte i aftë të luante gjithë kohës.


Arshavin: Tani e ka radhën Holanda


 Ylli i Kombëtares ruse, Andrei Arshavin, është shprehur shumë i kënaqur me fitoren e skuadrës së tij dhe deklaruar se ka mjaft besim te forca e lojtarëve të tij. “Ndaj Suedisë arritëm të tregojmë se jemi më të fortë dhe se e meritonim ne kualifikimin për në çerekfinale. Tashmë e ka radhën Holanda. Do jetë një ndeshje tepër e fortë, por ne do të vazhdojmë ëndrrën tonë dhe shpresoj t’i shkojmë deri në fund. Kemi një skuadër kompakte, e cila do të përballonte me sukses çdo kundërshtar. Jam gjithashtu i lumtur që u riktheva nga pezullimi duke shënuar gol”, – tha Arshavin, i cili shënoi golin e dytë për Rusinë.

Jep një mendim mbi këtë temë:

Reklama


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema tė nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA