Klasnic Nje enderr qe behet realitet
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Klasniç u prit me duartrokitje të forta nga tifozët e Kroacisë në stadium, në momentin e hyrjes në fushë. Dhe qe pikërisht ai që kaloi në avantazh skuadrën në minutën e 53-të, duke dërguar në rrjetë një top të ardhur nga e majta. Klasniç u zëvendësua në minutën e 74-t. “Jam i lumtur që gjendem këtu dhe ndihem tepër krenar që jam pjesë e kësaj skuadre. Shpresoj që trajneri të më ketë në planet e tij edhe në takimin çerekfinal”, u shpreh vetë sulmuesi. Në janar të 2007-ës, kroati i lindur në Gjermani, Klasniç, vuajti nga probleme të mëdha në veshkë, prandaj iu nënshtrua menjëherë një transplantimi. Mirëpo trupi i tij e refuzoi veshkën e dhuruar nga e ëma. Disa muaj më vonë, ai iu nënshtrua sërish një ndërhyrjeje kirurgjikale për të zëvendësuar veshkën e refuzuar me një tjetër të dhuruar nga i ati. Nëntë muaj më pas, Klasniç bëri një rikthim vërtetë emocionues në futboll me klubin e tij, Verder Bremenin, në Bundesligë. Klasniç ka shënuar nëntë gola në 30 takime ndërkombëtare me Kroacinë. Sulmuesi 28-vjeçar, i cili mban veshur një mburojë me lesh xhami për t’u mbrojtur në fushë, është një nga atletët e rrallë që kthehet në aktivitet pas transplantimit të një organi. Pa atë lloj mbrojtjeje, qoftë edhe një shkelm, mund t’i kërcënoj jetën. “Jemi shumë të kënaqur që e kemi në skuadër, pas asaj eksperience të tmerrshme që ka kaluar, - tha trajneri Slaven Biliç. – Është e pabesueshme që ai u kthye në nivele kaq të larta profesionale dhe në një kohë kaq të shkurtër”.