"Euro 2008 do të ketë një efekt edhe më të gjerë në ekonominë evropiane", shpjegon Çaduik. "Impakti do të ndihet thuajse në të gjitha vendet, kryesisht për efekt të sponsorizimeve dhe të ardhurave nga shitjet e produkteve".
Fitimet
Ndërsa impakti i biznesit të këtij turneu është vite dritë larg atij të turneut të parë UEFA, i zhvilluar në vitin 1960, disa prej elementeve në thelb kanë mbetur të pandryshueshme. Skuadrat ende ndahen në katër grupe, ku secila nga skuadrat ndeshet me tjetrën. Dy të parat e secilit grup vazhdojnë në fazën ndjekëse, deri në çastin kur kurorëzohet një kampion i evenimentit. Greqia është kampionia në fuqi dhe i duhet të mbrojë titullin, por favoritët për ta fituar janë Gjermania, Italia dhe Spanja.
Pavarësisht skuadrës që fiton turneun, Austria dhe Zvicra i kanë të garantuara përfitimet ekonomike të krijuara nga mijëra tifozë që kanë vendosur të udhëtojnë për t‘i parë skuadrat e zemrës nëpër stadiume. Kompania konsulent "Rutter & Partner" llogarit se Euro 2008 do t‘i sjellë 358 milionë dollarë fitime ekonomisë zvicerane, ndërsa analogja e saj "SportEconAustria" llogarit se kjo shifër par Austrinë do të jetë diçka më e madhe, 369 milionë.
Ku do shpenzohen gjithë këto para? Kim Hollivud, një prej zëdhënësve të bordit austriak të turizmit, thotë se pjesa më e madhe do u shkojnë industrive të turizmit dhe të shërbimeve. Vetëm gjatë këtyre ditëve të para janë arkëtuar nga prenotimet në hotele rreth 2 milionë dollarë - shumë më tepër nga shifrat që regjistrohen normalisht në këtë fazë të vitit - ndërkohë që janë krijuar më shumë se 11 mijë vende të përkohshme pune për të përballuar kërkesat e fluksit të tifozëve. "Austria ka ndër mend të tregojë se di të festojë", tregoi zëdhënësi.
Monitorë gjigantë Për ata tifozë që nuk do arrijnë të gjejnë bileta për ndonjë prej 31 ndeshjeve të turneut, secili nga tetë qytetet mikpritëse ka investuar miliona dollarë në krijimin e të ashtuquajturave "zona të tifozëve", në përgjithësi të ngritura në zona pranë qendrave ku tifozët mund të grumbullohen për të parë ndeshjet. UEFA ka kontribuar me 13 milionë dollarë për krijimin e infrastrukturës së nevojshme, ku përfshihen edhe monitorë gjigantë për të ndjekur takimet. Sponsorët si "Coca-Cola", "McDonald‘s", dhe "Adidas" gjithashtu kanë shpenzuar miliona dollarë në produkte për promovimin e lidhjes së tyre me Kampionatin Evropian. "Zonat e tifozëve shihen si shumë të rëndësishme për t‘u ofruar njerëzve produktet tona", thotë Xheims Liepnik, shef për lidhjet me Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën i kompanisë "Canon", një prej sponsorëve zyrtarë të evenimentit.
Britania humbje, të tjerët fitime Zhvillimet ekonomike të turneut nuk do t‘i shijojnë vetëm vendet pritëse. Bashkë me shitjen e pijeve e të produkteve ushqimore në mbarë kontinentin, pritet të rriten ndjeshëm edhe të ardhurat nga bastet sportive. Organizatorët britanikë të basteve presin që shifra e tyre t‘i kalojë 700 milionë dollarët gjatë tri javëve të kompeticionit, pjesërisht falë bumit që po njeh kjo industri në internet.
Por kjo dallgë të mirash do rrahë disa vende më pak, ose më shumë se të tjerë. Duke qenë se skuadra kombëtare angleze nuk arriti të kualifikohej në fazën finale të Euro 2008 (edhe kombëtaret e shteteve të tjera britanike Skocia, Uellsi, Irlanda e Veriut, gjithashtu nuk arritën të kualifikoheshin) llogaritet që fitimet e humbura në gjithë Britaninë të jenë qindra miliona dollarë. Më shumë se 40 për qind e anglezëve shprehin "interes të fortë" për futbollin, kështu që Çaduik është i sigurt se shifra e fitimeve të munguara është domethënëse. Sa për të bërë një shembull, kur Anglia arriti të kualifikohej në fazën çerekfinaliste të Kupës së Botës së vitit 2006, vlerësohet se në ekonominë lokale u shpenzuan 3.1 miliardë dollarë.
Mund të konsiderohet humbje vërtet e rëndësishme për Britaninë, por 16 vendet e tjera me plot gojën mund t‘i gëzohen kompeticionit. Nga Portugalia në Rusi, pa asnjë dyshim Kampionati Evropian do t‘u japë shtysa pozitive ekonomive të vendeve.
Nga : Gazeta Shqip











