Van Basten Arritje historike

Van Basten: Arritje historike
Një Holandë e papërmbajtshme dominoi ndaj kampionëve të botës në fuqi në Bernë, duke shënuar dy gola që në pjesën e parë, në fillim me anë të Rud van Nistelroit e më pas me një kundërsulm fantastik të konkluduar nga Uesli Shnaijder. Xhiovani van Bronckhorst kompletoi rezultatin përfundimtar 10 minuta para fundit të takimit, duke iu dhënë holandezëve një fitore të bujshme, të parët ndaj “të kaltërve” pas më shumë se tri dekadave.

Më pas, një Van Basten i ekzaltuar tha se lojtarët e tij kishin shkëlqyer, por paralajmëroi që të kishin kujdes nga vetëkënaqësia për dy ndeshjet e mbetura në grup. “Ishte një ngjarje historike. Kjo ndodhi ndaj Italisë, kampiones së botës. Të fitoje 3-0 kundër Italisë, një skuadër me shumë eksperiencë dhe kualitete në grup, nuk ishte ashtu siç e kishim menduar. Sinqerisht, pashë një paraqitje fantastike nga secili lojtar. Jam i lumtur dhe krenar, por ky ishte vetëm hapi i parë”, tha kreu i pankinës portokalli. Holanda do të përballet me Francën të premten në ndeshjen e dytë, duke ditur që një fitore do t’i garantonte një vend në turin çerekfinale, pavarësisht rezultatit të takimit midis Italisë dhe Rumanisë, që do të luhet e para atë ditë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama