Regjistroni domainin tuaj .al

Stebleva, bukuri dhe resurse natyrore të pashfrytëzuara

Shkruar nga:  
Postuar më: 7 vite mĂ« parĂ«

Stebleva, bukuri dhe resurse natyrore të pashfrytëzuara
Stebleva, bukuri dhe resurse natyrore të pashfrytëzuara

Veçanërisht këto 3-4 vitet e fundit, numri i të rikthyerve në vendlindje është rritur ndjeshëm. Kështu në Steblevë, Borovë, Sebisht, Zabzun, Fushë-Studën, Llangë, Moglicë, shumë ish-banorë kanë ardhur dhe kanë bërë investime në blegtori, frutikulturë, bujqësi e në fushën e turizmit",- pohon për gazetën Xheviti, kryetar i komunës. Ai shpreson që këtë vit e në vazhdim, për shkak të nisjes së një investimi të rëndësishëm, ndërtimi i segmentit të rrugës nacionale Librazhd- Fushë Studën dhe hapjes së pikës së kalimit kufitar me Maqedoninë, në Steblevë, fluksi i të ardhurve në vendlindje të shtohet ndjeshëm.

"Është një perlë e rrallë zona jonë, me sipërfaqe të mëdha pyjore të ruajtura si askund, me lëndina e gjelbërim të pamatë, burime të shumta ujore si mundësi për hidrocentrale lokale e kultivim të troftës, me resurse të virgjëra për investime në turizëm, shpresojmë që shumë shpejt Stebleva të kthehet në një Park Kombëtar e pikë turistike për vizitorë e pushues të shumtë",- shton Pëllumb Gjini, kryetar i Këshillit të Komunës. Ai tregon se në funksion të këtij qëllimi janë realizuar disa projekte, kryesisht në mbarështim të pyjeve, e të tjera projekte të rëndësishme janë miratuar e pritet të nisin së shpejti nga materializimi.

Braktisja

Dikur, kjo komunë që ndodhet në vijën kufitare me Maqedoninë dhe 25 km larg nga qendra më e afërt urbane, Librazhdi, na tregojnë se para vitit 1990 ka patur mbi 900 shtëpi, me mbi 4500 banorë. Historikisht ka qenë në kufijtë administrativë të Dibrës, por për shkak të afërsisë, zgjidhjes së problemeve jetike (spitale), shkollim në Librazhd, me vendim të veçantë të qeverisë, iu bashkëngjit rrethit të Librazhdit, para më shumë se 2 dekada. Steblevasit, ashtu si gjithë Golloborda, janë të njohur historikisht si mjeshtra ndërtimi. Veprat që kanë ngritur ata në Shqipëri, Shkup, Bullgari e deri në Stamboll, edhe sot mbas shekujsh e dekadash, renditen ndër ndërtimet më të bukura e të qëndrueshme, por dhe me një art të veçantë e kulturë në konstruktin e tyre. Por viti 1990, me ndryshimin e sistemeve politike, mungesën totale të investimeve, mungesën e ndërlidhjes e komunikacionit, bëri që kjo trevë të përballet me mundësitë minimale për mbijetesë. "Nisi ikja nga sytë këmbët drejt emigrimit, por kryesisht në Tiranë, Durrës e Elbasan",- shton Pëllumbi. Sot, në zona të tilla si Kodra e Priftit e Alliasi në Tiranë, Shkozeti dhe zona e Plazhit në Durrës, lagjja "Vullnetari" në Elbasan etj., njihen si ngulmime masive të steblevasve e gollobordasve. Falë intelektit, mjeshtërisë në ndërtimtari, ata jo vetëm u ingranuan shumë shpejt në komunitetet vendase, por falë dhe traditës, iu futën biznesit të ndërtimit e tregtisë, ku shumë prej tyre rezultojnë ndër më të suksesshmit në vend, në këto fusha. "Ikëm nga halli, për bukën e gojës, por me kokën pas dhe me mallin për vendlindjen, pasi ishim të pafuqishëm për ta vënë në funksion gjithë atë pasuri përrallore të natyrës, ato resurse të shumta, pyjet e pamatë. Por me qëllim që në një të ardhme sa më të afërt, të riktheheshim në vendlindje e ta rigjallëronim atë",- na rrëfen 60-vjeçari Iljaz Tamizi, një ndër të ikurit e parë dhe të rikthyerit prej vitesh me investime në vendlindje. Fillimisht ishim pak, shton Iliazi, por nisën që të parët të pasohen nga të tjerë, e shpresojmë që akoma të kthehen e të investojnë në vendlindje.

Habibi, një ndër biznesmenët e suksesshëm në vendlindje

Quhet Habib Kormaku e ende nuk i ka kaluar të 45-at. Ishte ndër të parët që u rikthye para 6 vjetësh për investime në vendlindje, e ka filluar t'i "korrë" frytet e investimit. E takojmë diku në të dalë të fshatit Steblevë, rreth 1 km nga fshati fqinj i Klenjës (nën kufijtë administrativë të Dibrës ky) teksa merret me pemëtarinë. "Kemi hequr shumë këto vite, punë, stërmundim e sakrifica. U vendosëm më 1990 në Tiranë, ku na u desh ta nisnim nga e para. Para e pasuri tjetër nuk kishim. Si shumë bashkëfshatarë, për mbijetesë, na u desh të merreshim me vëllanë me tregti. Rrahëm rrugët e botës, në Maqedoni, Bullgari, Greqi, Rusi, Kinë e deri në Japoninë e largët. Plotësuam nevojat jetike, investuam në Tiranë, por krijuam mundësinë që të vijmë të investojmë në vendlindje",- rrëfen Habibi. Na tregon parcelat me pemë, tashmë të kthyera në një pyll të stërmadh. Na thotë se një pjesë e pemëve, qershitë e kumbullat, kanë dhënë prodhimet e para që prej dy vjetësh, e për ta ka qenë kënaqësia më e madhe. Na rrëfen investimet në pemëtari, që siç na thotë, fillimisht nisën me shifrën e 50 mijë Eurove, teksa ecim së bashku nga njëra parcelë në tjetrën, në vendin e quajtur Orvenik, vendbeteja e lashtë e Skënderbeut me hordhitë osmane. "Kam mbjellë këto vite 7 hektarë tokë me pemëtari. Kam mbjellë e pres prodhimin nga 900 rrënjë arra, 150 rrënjë dardha, 400 rrënjë kumbulla, gështenja, lajthi, ftonj, mollë, qershi etj. Kemi vështirësi nga infrastruktura rrugore, por meqë nisi projekti i rrugës Librazhd-Steblevë, dhe ky problem i rëndësishëm do të ndikojë ndjeshëm në biznesin tonë",- shton Habibi. Por pema është si fëmija, do shërbim. Kështu që atij iu desh të investojë ndërtimin e një ujësjellësi pre 5 km gjatësi, të marrë punëtorë, roje, etj.

"Isha ndër të parët unë,- shton më tej ai,- dikush më quajti dhe të marrë, por pas meje erdhën e investuan dhe të tjerë, erdhi Refik Disha, Iliaz Tamizi, Shaziman Disha, Lumi Mali, etj. Të tjerë erdhën më pas, e të tjerë domosdo janë duke ardhur...".

"Kemi një problem në këtë ndërmarrje të vështirë, mundësinë e investimit në biznesin e pemëve frutore, në blegtori, në pyje e turizëm. Kohët e fundit, nisur nga sa kemi bërë me buxhetin tonë, kemi marrë garanci investimi dhe në këtë fushë, nga donacione e banka",- shton ai.

Largësia nga tregu, rrit koston e investimit në blegtori

Ata që i mbijetuan viteve të para të tranzicionit të vështirë pa braktisur vendlindjen, na thonë se e patën disi më të lehtë, ndërsa të tjerëve që u rikthyen këto vite e janë gati të bëjnë të njëjtën gjë, së pari, duhet ta fillojnë nga rindërtimi i shtëpive. Emrulla Hoxha, bashkë me vëllezërit e tjerë, sapo e ka ringritur shtëpinë në truallin e rrënuar, aty ku ishte dikur, moderne e bashkëkohore. Tashmë, siç mësojmë, edhe ai po bëhet gati të nisë investime të qëndrueshme në vendlindje. Jo pak prej banorëve kanë gjetur si rrugë më të mundshme investimin në blegtori, kryesisht në dele. Sabri Murati e ka shtuar kopenë e deleve nga viti në vit, e sot ka 250 kokë, Lumturi Mali, rreth 350 kokë, Zaim Kita, 200 kokë dele, Adem Balla, 230 kokë dele, po kështu Sazimani, Refiku etj.

"Edhe pse dëshira e mirë dhe përpjekjet për shtimin e blegtorisë ekzistojnë tek banorët, largësia nga tregu, rruga e dëmtuar deri në qytet, bën që kostoja të jetë e lartë dhe humbjet e blegtorëve gjithashtu",- shton kryetari i komunës, Xheviti. Qumështi i blegtorëve steblevas, për shkaqet e mësipërme nuk mund të dalë në treg, ndërkohë që produktet e tij, si djathi, gjiza e misi, mbeten burimet e të ardhurave të pakta të tyre.

"Leksioni" amerikan për turizmin e munguar në zonë

Liqeni i Fushë Studnës, gjelbërimi i pamatë, pyjet e Kallkanit, liqenet malore të Draganit, janë dhuratë e mrekullueshme e natyrës për turizëm, por infrastruktura e rënduar bëjnë që këto resurse të jenë të "fjetura". Mësojmë se mungon një shërbim i kompletuar social, ndonëse disa lokale e njësi shërbimi, kryesisht në Fushë-Studën, janë në aktivitet. "Më shumë ata janë në shërbim të banorëve vendas dhe të pasagjerëve të linjave Librazhd-Bulqizë",- na thotë Pëllumbi, kryetari i Këshillit të Komunës. Vitin e kaluar, në përpjekje për ngritjen e një fshati të vogël turistik, nisi ndërtimi i 6 vilave të para, ndërkohë që na thanë se është dhe një plan tjetër i sapomiratuar për turizmin që pritet të nisë nga investimi. Por atë që nuk e "njohin" apo nuk kanë mundësi ta shfrytëzojnë vendasit, turizmin, prej vitesh e kanë "zbuluar" një grup turistësh amerikanë. Vendasit na treguan se 20 prej tyre, prej 10 vjetësh, vijnë e kalojnë nga një muaj pushime këtu. Kontakti i tyre me këto bukuri natyrore, na thonë se ka qenë i rastësishëm dhe nis para 10 vjetësh. Një 50-vjeçar amerikan, vjen për kuriozitet në vendlindjen e një emigranti vendas, ikur në kontinentin e largët në vitin 1991. U befasua nga natyra dhe çka afronte ajo. Në vitin e ardhshëm e në vazhdim, ai së bashku me të njohur të tij, vijnë për pushime. Ngrenë çadrat, gatuajnë vetë, e ndonëse u mungon dhe energjia elektrike, shfrytëzojnë klimën malore dhe bukuritë e këtij vendi. Drejtuesit lokalë na thonë se ka disa projekte për investime në këtë fushë, deri dhe ndërtimi i dy pistave për sport dimëror (ski) por "thembra e Akilit" vazhdon të jetë komunikacioni i vështirë me qendrën më të afërt urbane.

Investimi i banorëve në infrastrukturë

Ndonëse përgjithësisht të harruar nga shteti, larg shërbimit të kualifikuar shëndetësor (janë regjistruar dhe tragjedi për shkak të asistencës mjekësore në kohë), banorët e Steblevës kanë investuar jo pak me të ardhurat e tyre në infrastrukturë. Në këtë drejtim, siç na thonë drejtuesit lokalë, është gjetur mirëkuptimi mes të gjithëve. Kështu, rreth 8 km rrugë nga Fushë-Studna në Steblevë, përkatësisht tek Stabilimenti i Sharrave, u rehabilituan falë 5 milionë lekëve që dha komuniteti. Me një vlerë të përafërt, u hap rruga dhe u investua (me çezma e vende çlodhje), në vendin e Shenjtë, afër Postës Kufitare Steblevë, janë ndërtuar dy ura lidhëse mes lagjeve të fshatit, si dhe po materializohet investimi i mbjelljes me pemë i 12 km të rrugës nacionale (në të dy anët) nga Llanda tek pika e kalimit kufitar. "Investimet tona nga vetë komuniteti, ai që është në vendlindje e ne që po rikthehemi me investime atje, së shpejti do të jetë shumë më i madh. Projektet i kemi miratuar, e së shpejti do të nisim nga puna",- pohon për gazetën 63-vjeçari Ferhat Ferhati. Këto ditë, siç na thanë drejtuesit lokalë, pritet miratimi i ndërtimit të dy hidrocentraleve të vegjël (një në Steblevë, tjetri në Borovë), i 5 rezervateve të reja peshku (troftë) si dhe përfundimi i 15 km rrugë ndërlidhëse mes fshatrave e lagjeve të tyre.

Banorët në protesta për mbrojtjen e pyjeve

Para dy vjetësh, disa firma pirate nisën shfrytëzimin pa kriter të masiveve pyjore të Steblevës. Automjete të shumtë, ngarkonin lëndë drusore ahu, pishe e bredhi dhe i nisnin drejt kombinateve në Elbasan, Dibër, Tiranë e deri në Vlorë. Banorët vendas të Steblevës, qindra të tjerë të ardhur nga Tirana e qytete të tjera të vendit, përballë heshtjes dhe interesave të pushtetarëve, Policisë Pyjore dhe asaj të Rendit në piraterinë pyjore, zgjodhën rrugën e protestave. Për dy javë rresht, ata bllokuan rrugën nacionale Librazhd-Dibër duke mos lejuar asnjë automjet me lëndë drusore, ndërkohë që bllokuan gjithashtu dhe lëndën drusore të prerë pa lejë në parcela për të mos u evaduar drejt kombinateve. "Falë këmbënguljes së vetë komunitetit, u arrit që kjo pasuri pyjore, burimi kryesor i jetesës për breza të tërë në Gollobordë, të ruhet"- na thotë inxhinieri i pyjeve, Trifon Cfarku. Sipas tij, janë 9245 hektarë pyje, 80% e së cilës ahishte, që është ndër më të mbrojturat, duke bindur Bankën Botërore e donatorë të tjerë që të financojnë projekte në këtë drejtim. Sipas statistikave që na afrojnë drejtuesit lokalë dhe kreu i Shoqatës "Për mbrojtjen e pyjeve", Mehdi Çela, gjatë 4 viteve të fundit janë zbatuar disa projekte në mbarështimin dhe ruajtjen e sipërfaqeve pyjore, me një vlerë të përgjithshme prej 20 milion lekësh të reja. Por me gjithë përpjekjet në këtë drejtim, na tregojnë se parcela pyjore të qëndrueshme në zonën kufitare me Klenjën, Raduçin (Dibër) e Okshtunin, Prodanin (Bulqizë) ende janë objekt i masakrës nga piratë të lëndës drusore. "Kjo zonë është e pasur dhe me bimë medicinale, si dëllinja e zezë, me një pasuri 30 ton në vit, dëllinja e kuqe, 20 ton në vit, trëndafili i egër, lulja e murrizit, lulja e shtogut, etj., që janë një burim i mirë të ardhurash për banorët",- pohon ing.Cfarku. Por për shkak të mungesës së një pike të afërt grumbullimi, shitja e tyre nga fshatarët kalon 2-3 duar, e fitimet për ta janë minimale. Ndërsa kafshët e egra, (mes tyre dhe të rralla) si lepuri, kaprolli, derri i egër, etj., për shkak të mungesës së zbatimit të ligjit, vazhdojnë të jenë pre e gjuetisë ilegale. Pyjet e virgjëra të zonës, përkatësisht masivi Studën- Kallkan-Jabllanicë- Kodra e Borovës- Dragan, shtrirë në dy anët e kufirit shtetëror, vitin që shkoi, siç na konfirmuan specialistët, janë përcaktuar si zonë e mbrojtur nën përkujdesjen e Bankës Botërore, çka pritet të shtojë më tej mundësitë e investimit në këtë pasuri kombëtare.

Investimi në rrugën nacionale

Rilindja e kësaj zone të largët kufitare, lidhet me ndërtimin e aksit të rrugës nacionale, përkatësisht e segmentit prej 25 km Librazhd-Steblevë (Qafa e Studnës) që ka filluar në gjashtëmujorin e fundi të vitit 2005. Njëkohësisht, siç na shpjegon ing.Eduart Abazi, ka filluar dhe ndërtimi i aksit tjetër nga Dibra, përkatësisht Ura e Shupenzës- Steblevë, investim i cili do të lehtësojë jo vetëm ndërlidhjen qytetëse Dibër-Librazhd, por do të jetë jetik e nxitje për mijëra banorë të krahinës së Gollobordës e Çermenikës. Abazi na konfirmon se projekti përfshin një distancë 25 km në territorin e Librazhdit, me një gjerësi 7.5 metra, shtrim-asfaltim, ndërtim i gjithë aksesorëve, si dhe me ndriçim në qendrat e banuara. Loti i Parë, shpjegon ing.Abazi, ishte me një financim prej 470 milionë lekësh të Buxhetit të Shtetit, përfundoi në dhjetor 2007 dhe shtroi 3 km e para nga Librazhdi në Togës. Ndërsa Loti i Dytë, nga i njëjti financim, me vlerën 600 milionë lekë, nis për këto ditë e parashikohet të shkojë deri në vendin e quajtur Qafë Drizë.

"Njëkohësisht, ky aks i rrugës nacionale do të lidhë dhe dy pikat e reja kufitare në këtë zonë, hapja e të cilave është miratuar nga qeveria shqiptare e ajo maqedonase, përkatësisht ajo në Fushën e 30-ës (Steblevë e Librazhdit) dhe ajo e Trebishtit në territorin e qarkut Dibër. "Aksi nacional që ka nisur nga ndërtimi është një garanci e mundësi për ripopullimin e kësaj zone, shtimin e investimeve, veçanërisht në fushën e turizmit, por do të mundësojë dhe komunikim komod mes banorëve, këtej e andej kufirit shtetëror, nga Dibra e Madhe e Ohri me kryeqytetin shqiptar, Tiranën",- shton ing.Abazi.

S..

Dikur, kjo komunë që ndodhet në vijën kufitare me Maqedoninë dhe 25 km larg nga qendra më e afërt urbane, Librazhdi, na tregojnë se para vitit 1990 ka patur mbi 900 shtëpi, me mbi 4500 banorë. Historikisht ka qenë në kufijtë administrativë të Dibrës, por për shkak të afërsisë, zgjidhjes së problemeve jetike (spitale), shkollim në Librazhd, me vendim të veçantë të qeverisë, iu bashkëngjit rrethit të Librazhdit, para më shumë se 2 dekada. Steblevasit, ashtu si gjithë Golloborda, janë të njohur historikisht si mjeshtra ndërtimi.

Rilindja e kësaj zone të largët kufitare, lidhet me ndërtimin e aksit të rrugës nacionale, përkatësisht e segmentit prej 25 km Librazhd-Steblevë (Qafa e Studnës) që ka filluar në gjashtëmujorin e fundi të vitit 2005. Njëkohësisht, siç na shpjegon ing.Eduart Abazi, ka filluar dhe ndërtimi i aksit tjetër nga Dibra, përkatësisht Ura e Shupenzës- Steblevë, investim i cili do të lehtësojë jo vetëm ndërlidhjen qytetëse Dibër-Librazhd, por do të jetë jetik e nxitje për mijëra banorë të krahinës së Gollobordës e Çermenikës

Por atë që nuk e "njohin" apo nuk kanë mundësi ta shfrytëzojnë vendasit, turizmin, prej vitesh e kanë "zbuluar" një grup turistësh amerikanë. Vendasit na treguan se 20 prej tyre, prej 10 vjetësh, vijnë e kalojnë nga një muaj pushime këtu. Kontakti i tyre me këto bukuri natyrore, na thonë se ka qenë i rastësishëm dhe nis para 10 vjetësh. Një 50-vjeçar amerikan, vjen për kuriozitet në vendlindjen e një emigranti vendas, ikur në kontinentin e largët në vitin 1991. U befasua nga natyra dhe çka afronte ajo. Në vitin e ardhshëm e në vazhdim, ai së bashku me të njohur të tij, vijnë për pushime. Ngrenë çadrat, gatuajnë vetë, e ndonëse u mungon dhe energjia elektrike, shfrytëzojnë klimën malore dhe bukuritë e këtij vendi

Kujtim Boriçi nga Gazeta Shekulli

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi