Anglezet te sigurt Januzaj zgjedh Kosoven!

Anglezet te sigurt: Januzaj zgjedh Kosoven!

Adnan Januzaj do të veshë fanellën e Kosovës në të ardhmen. Ky është opinioni që qarkullon tashmë në Angli, i përforcuar që pas zyrtarizimit të zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare nga përfaqësuesja kosovare. Menjëherë sapo FIFA ka dhënë lejen që Kosova të mund të luajë ndaj përfaqësueseve të tjera, në Angli i kanë thënë thuajse përfundimisht lamtumirë shpresave të tyre për të parë talentin shqiptar me fanellën e “tre luanëve”.

Gazeta “Daily Mail”, e cila ka qenë ndër të parat që ka propozuar që Januzaj të bëhet menjëherë anglez dhe ndjek me shumë vëmendje karrierën e tij, e ka cilësuar si një lajm të keq faktin që Kosova është lejuar nga FIFA të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare. “Anglia ka shqyrtuar mundësinë për të rekrutuar 18-vjeçarin për ekipin e Roi Hoxhson sapo ai të plotësonte 5 vitet e qëndrimit në këtë vend, por tani mendohet se Kosova, vendi ku ka lindur babai i tij, Abedini, është preferenca e tij. Pengesa e vetme ishte mosnjohja e Kosovës nga FIFA për aktivitete ndërkombëtare. Mbetet për të parë se cilin shtet do të zgjedhë Januzaj përfundimisht, por Federata Angleze e sheh këtë zhvillim të fundit si një pengesë në tentativën për t’i veshur fanellën e kombëtares mesfushorit të Mançester Junajtid. Januzaj, i cili ka qenë një nga lojtarët më të dalluar nën urdhrat e David Mojes gjatë këtij sezoni, ka thënë më parë se është i vendosur ‘ta bëjë Kosovën krenare’, ndërsa babai i tij, me sa duket ka përjashtuar mundësitë për të luajtur për Belgjikën, Shqipërinë dhe Turqinë”, shkruan e përditshmja angleze. Një koment i tillë është pasuar nga ai i tifozëve të shumtë anglezë, të cilët e vlerësojnë këtë si zgjedhjen më natyrale të talentit shqiptar, duke parë origjinën e tij.

Ndërkohë, në Kosovë, ka filluar menjëherë “aksioni” për të afruar Januzajn, por edhe Valmir Berishën, sulmuesin e talentuar që ka shpërthyer në arenën ndërkombëtare. Zëvendëspresidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka qenë ndër të parët që u ka bërë ftesë publike këtyre dy talenteve që të kontribuojnë për kombëtaren e vendit të tyre. “Sot edhe njëherë i kam bërë ftesë publike Adnan Januzajt dhe Valmir Berishës që t’i bashkohen ekipit përfaqësues të Kosovës. Adnan Januzaj dhe Valmir Berisha, duke përzgjedhë që të luajnë për Kosovën, jo vetëm që do të na përfaqësonin denjësisht në arenën ndërkombëtare, por ata do ta afirmonin edhe më shumë Kosovën dhe futbollin e saj. Tani është koha që të gjithë ata futbollistë që kanë pasur ëndërr për të përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare, ta bëjnë atë duke përzgjedhë përfaqësuesen e Kosovës”, ishin fjalët e Haxhiut.

Megjithatë, trajneri i kombëtares kosovare të futbollit, Albert Bunjaku, ka bërë të qartë në një prononcim për televizionin KTV, se çdo hap për të afruar futbollistët shqiptarë, duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe i menduar mirë. “Mendoj se duhet të jemi më të kujdesshëm, se është fjala për miqësore dhe interesi i lojtarëve gjithmonë është që të kenë sa më shumë ndeshje për kualifikime europiane e botërore. Përderisa nuk jemi të pranuar me kushte të plota të UEFA-s e FIFA-s, mendoj se zhvillimi shumë më i madh për ta është ku janë, sesa t’i bashkohen Kosovës në këtë moment. Duhet ta dimë se me pranimin e plotë të Kosovës, gjithë këta lojtarë do të kenë mundësi ta zgjedhin Kosovën, prandaj nuk kemi nevojë të ngutemi në këtë fazë”, ishin fjalët e tij.

Sipas këtyre zhvillimeve të fundit, tashmë duket thuajse i parealizueshëm afrimi i Adnan Januzajt në kombëtaren shqiptare të futbollit. Ndërsa lojtari i afrohet gjithnjë e më shumë Kosovës, FSHF-ja nuk ka arritur të bëjë asnjë hap konkret në kontaktimin e tij dhe me sa duket do të dorëzohet në tentativën për të bindur këtë talent të madh të veshë fanellën kuqezi.

 

Hashim Thaçi



“Dje, mediat botërore raportuan për dy lajme sportive, pranimin e kombëtares kosovare në familjen botërore të futbollit duke mundësuar fillimisht lojërat miqësore për Kosovën, si dhe fitoren e ‘Topit të Artë’ për Kristiano Ronaldon, një lojtar i dashur edhe për djalin tim Endritin. Jam i bindur që në një të ardhme të afërt edhe futbollistë nga Kosova do ta fitojnë ‘Topin e Artë’”, ishte komenti i tij në “Facebook”, ku postoi një foto të autografit që ka nga Kristiano Ronaldo.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama