Ahmeti Puna e pare do shes veturen Audi Q7 te Isa Mustafes

Ahmeti: Puna e pare, do shes veturen Audi Q7 te Isa Mustafes

Shpend Ahmeti i është drejtuar mijëra simpatizantëve të Lëvizjes Vetëvendosje pas konfirmimit të tij si fitues i garës për kryetar të komunës së Prishtinës. Ai ka thënë se nuk do të bëjë ndarje se e kujt është Prishtina, duke vlerësuar se kryeqyteti i Kosovës është i të gjithë banorëve të saj.

Ahmeti ka thënë se qytetarët do të festojnë kur Prishtina të ketë ujë të pijshëm, çerdhe për fëmijë, arsim më cilësor, transport publik, etj., duke ritheksuar edhe njëherë se të gjitha pretimet e fushatës zgjedhore do t’i realizojë.

Ahmeti e ka rikonfirmuar sërish se, që në ditët e para të marrjes së mandatit si kryetar i Prishtinës veprimi i parë që do të bëj është shitja e veturës zyrtare “Audi Q7”, që deri sot përdoret nga Isa Mustafa.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që e votuan , duke shtuar se pa një bashkim të tillë nuk do të mund të fitonte zgjedhjet në raundin e dytë.

“Kemi për të festuar deri ne 02:00 të natës, kur mund të lahemi me ujë, kur fëmijët kanë çfarë të hanë nëpër shkolla, kemi për të festuar kur të kemi transport publik dhe nuk do të kemi problem me trafik. Edhe ato fjalë që i kemi thënë gjatë fushatës do t’i mbajmë. Kemi me shit “Audin Q7”, është shprehur Ahmeti.

E kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka thënë se nuk ka fitore më të madhe për Lëvizjen e tij sesa të fitojë kryeqytetin. Sipas Kurtit, VV-ja është fituesja më e madhe në zgjedhjet e 2013-s, duke paralajmëruar se në zgjedhjet në kombëtare do të jenë fituesit më të mëdhenj.

“Në vitin 2013 fituam kryeqytetin e Republikës. Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të vitit 2013. Kjo është një fitore e madhe, e një lëvizje të jashtëzakonshme, e një kandidati të shkëlqyer. Në vitin 2013 kemi fituar kryeqytetin, në vitin 2014 në zgjedhjet parlamentare do të fitojmë në krejt Republikën e Kosovës”, ka deklaruar kreu i VV-së.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama