Armet kimike Baraj Jam kunder

Armet kimike, Baraj: Jam kunder

Deputeti socialist shprehet kundër shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri.
“S’kemi kapacitete për asgjësim, janë të rrezikshme”

Deputeti socialist, Besnik Baraj, shprehet kundër shkatërrimit të lëndëve kimike në Shqipëri. Për Barajn, Shqipëria nuk i ka kapacitetet e duhura për shkatërrimin e këtyre armëve.  “Shqipëria nuk i ka këto kapacitete, nuk ofron mundësi për të bërë shkatërrimin e këtyre lëndëve pa pasur një ndihmesë nga një shtet që ka teknologjinë dhe burime financiare. Por nuk është vetëm kjo, duhet të shprehet dhe të dëgjohet dhe vullneti i vendit pritës. Sigurisht, i takon qeverisë të vendosë”, shprehet Baraj në një intervistë për News 24. Deputeti socialist shikon dhe një paradoks mes qëndrimit që PS ka mbajtur për importin e plehrave dhe pranimin për asgjësim të armëve kimike nga Siria.

 

“Pa dyshim, në klimën e viteve të fundit ne kemi miratuar një ligj që ndalohet në mënyrë të prerë importimi i mbetjeve të rrezikshme për qëllim asgjësimi apo qëllime të tjera. Ne sapo kemi dalë nga një histori mjaft polemizueze për shoqërinë shqiptare, si ajo e mbetjeve. Unë e konsideroj të vështirë të pranohet, pasi do kishte kosto për çdo forcë politike për t’u asgjësuar në Shqipëri, për shkak edhe të fraxhilitetit duhet evituar, dhe partnerët tanë duhet të na mirëkuptojnë, nuk mund ta pranojmë”, shprehet Baraj. Kundërshtimin e asgjësimit të këtyre armëve në Shqipëri, deputeti i PS, njëkohësisht profesor i asociuar i Kimisë Industriale, e sheh te rrezikshmëria që këto armë mund të sjellin në popullsinë tonë.

 

“Nuk ka pse të ketë kosto, kemi burime ujore të shumta dhe kudo ku të jetë e lokalizuar, mund të paraqesë rrezik për kontaminim. Unë personalisht nuk jam dakord të asgjësohen lëndët kimike. Madje kam bërë pjesë edhe në luftën politike të PS për të ndaluar importin e mbetjeve. Mund të ketë kosto për subjektet politike. Lufta jonë politike nuk ishte fiktive. Këto janë mbetje jashtëzakonisht të rrezikshme”, tha Baraj. Për profesorin e asociuar të kimisë, vende si Rusia apo vende afrikane mund të jenë hapësirat më të përshtatshme ku mund të bëhet asgjësimi i armëve kimike siriane. “Është folur që Rusia ka ofruar 2 milionë dollarë, që për mendimin tim janë shumë pak. Por Rusia është një vend që ka hapësira të gjëra gjeografike, dhe shumë mirë mund t’i pranojë në territorin e saj.

 

Por një zgjidhje tjetër mund të jenë edhe vendet afrikane, që mund t’i shkatërrojnë sepse kanë hapësira të shumta, madje edhe shkretëtirë”, tha Baraj.
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka pranuar dy ditë më parë se autoritetet shqiptare janë kontaktuar nga SHBA për shkatërrimin e armëve kimike siriane në territorin tonë. Sipas francezes “Le Monde”, ministri i Jashtëm Bushati deklaroi gjatë takimit me homologun e tij francez, Laurent Fabius, se qeveria shqiptare nuk ka marrë ende asnjë vendim për këtë çështje, madje, sipas tij, nuk është folur dhe as është shtruar në një diskutim teknik. “Le Monde” shkruan se “shumë vende që janë kontaktuar nga Shtetet e Bashkuara e kanë refuzuar tashmë, duke përfshirë Norvegjinë. Shqipëria paraqet disa avantazhe, duke përfshirë ato gjeografike, për shkak të afërsisë së saj dhe lehtësive të transporti të mundshëm të arsenalit përmes rrugëve detare. Përveç kësaj, ajo ka një përvojë të veçantë në fushën e neutralizimit të arsenalit kimik. Në vitin 2007 ajo u bë vendi i parë që shkatërroi plotësisht arsenalin e vet të akumuluar nën regjimin e diktatorit komunist Enver Hoxha”.

Ambientalistët, protestë para kryeministrisë


Shoqatat ambientaliste do të protestojnë sot para godinës së kryeministrisë dhe parlamentit kundër shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Në një ftesë dërguar të gjithë qytetarëve të Tiranës, ambientalisti i njohur Sazan Guri kërkon pjesëmarrjen e çdo qytetari. “Ditën e enjte, 07 Nëntor, ora 13:00 para Kryeministrisë dhe 13:20 para Kuvendit do të protestojmë për t’i thënë ndal armëve kimike nga Siria. Kujtesë dhe kujdes! Sot është koha, nesër po u zyrtarizua është vonë, pasnesër mos u anko për tumoret në shoqërinë shqiptare”, thuhet në njoftim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama