Mavraj dhe Salihi Ekipi yne ka vlera

Mavraj dhe Salihi: Ekipi yne ka vlera

Mërgim Mavraj dhe Hamdi Salihi janë shumë të zhgënjyer që nuk e luajnë këtë ndeshje si një nga finalet më të rëndësishme për kombëtaren tonë, por janë të bindur që do të japin maksimumin deri në fund të këtyre eliminatoreve. Përpara gazetarëve ata nuk kanë dashur të flasin shumë për shqiptarët e Zvicrës dhe kanë thënë se ata janë thjesht kundërshtarë për këtë ndeshje. Mërgim Mavraj e ka vënë theksin tek ndeshja me Zvicrën dhe ka thënë se nuk është koha e duhur që të bëjnë llogaritë. “Obligimi jonë është të tregojmë fytyrën e vërtetë të kombëtares.

Luajmë përpara tifozërisë tonë dhe duhet të tregojmë ende dëshirë për t’u kualifikuar. Çfarë ndodh në fund nuk e di, pasi ky është futbolli”, ka thënë Mavraj. Edhe pse kuqezinjtë janë me një këmbë jashtë edhe matematikisht ai ka thënë se duhet të hyjnë në fushë për të bërë maksimumin. “Pavarësisht se çfarë ndodh ne duhet të futemi në fushë vetëm për fitore. Rezultati pastaj do të shihet në fund të dy ndeshjeve. Së pari të përqendrohemi tek Zvicra”, përfundoi mbrojtësi i kuqezinjve.

Salihi: Të pranojmë rezultatet Sulmuesi shkodran, Hamdi Salihi e ka vënë theksin tek fakti se tifozët dhe media në Shqipëri nuk duhet t’i bëjë rezultatet dramatike dhe të krijojë situata të pakënaqshme. “Ishim shumë pranë realizimit të një ëndrre, por nuk ia dolëm. Ama ajo sërish mbeti një ëndërr, por tifozët dhe mediet duhet të mbështesin gjithmonë kombëtaren. Opinioni duhet të sensibilizohet dhe të jetë më sportiv për të pranuar çdo rezultat. Nuk duhet të bëhet asnjë lloj drame dhe të jemi me këmbë në tokë për të gjitha rezultatet”, ka thënë shkodrani. Ai ka theksuar se djemtë duhet të bëjnë gjithçka për t’i mbyllur sa më mirë këto eliminatore. “Them se këto ndeshjet e fundit duhet t’i mbyllim ashtu siç e filluam këtë edicion, me përjetim më special sesa të tjerat”, përfundoi numri 18 i kuqezinjve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama