Regjistroni domainin tuaj .al

Shpikjet që na ndihmojnë të jetojmë më mirë

Shkruar nga:  
Postuar më: 7 vite mĂ« parĂ«

Shpikjet që na ndihmojnë të jetojmë më mirë
Shpikjet që na ndihmojnë të jetojmë më mirë

Mrekullia e dizajnit është një shishe plastike për ujin, ose një protezë, që kushton vetëm tetë dollarë, për të ecur dhe, ndoshta, për të vrapuar si gjithë të tjerët. Objekte të thjeshta, por të rëndësishme, sepse ndonjëherë thjeshtësia është gjëja më e vështirë në botë. Vërtet që nuk mund të quhen si ide gjeniale, por, në fund të fundit, na ndihmojnë dhe na shpëtojnë nga shumë gjëra. Por, mbi të gjitha, për të ndryshuar gjithçka mjaftojnë vetëm pak euro. "Dizajni që përmirëson jetën", siç thotë edhe titulli i "Index 2007", çmimi ndërkombëtar i dizajnit që vetëm dy ditë më parë në Kopenhagë u ndau nga një çmim prej 100 mijë eurosh pesë fituesve, por gjithashtu edhe nga një premtim: të gjejnë nga një zgjidhje më të thjeshtë për gjërat më komplekse. Pesë finalistë, pesë kategori: trupi, puna, loja, komuniteti shtëpia. Një qëllim i përbashkët, të kërkojnë thelbin dhe funksionin, domethënë ta bëjnë jetën më të thjeshtë. Le t‘i marrim me radhë, për shembull shishja plastike. Dizajnuar nga Alberto Meda dhe argjentinasi Francisco Gomez Paz, shishja "Solar Bottle" ka fituar për sa i përket seksionit për gjërat e shtëpisë. Mund t‘ju duket banale, po brenda saj është një revolucion i vërtetë: e ekspozuar në diell pastron ujin duke e bërë atë të pijshëm; transparente, me njërën anë ngjyrë metali, për të rritur efektin reflektues të rrezeve të diellit dhe një dorezë e rehatshme për ta mbajtur në krah, ose për ta përdorur si një lloj çante. Pas një qëndrimi rreth gjashtë orë në diell bakteret patogjene që mund të shkaktojnë diarre, hepatit A dhe kolerën, eliminohen tërësisht. Nuk është akoma në qarkullim, por së shpejti nuk do të mungojë, duke pasur parasysh se një e gjashta e popullsisë në botë vuan nga mungesa ujit të pijshëm. Por, mbi të gjitha, është një shishe që kushton pak, përveç se është edhe e bukur. Edhe shëndeti mund të jetë një e mirë "low cost". Proteza e kanadezit Sebastien Dubois mund të prodhohet me tetë dollarë, ndryshe nga ato që prodhoheshin më parë me një çmim nga një mijë deri në katër mijë dollarë. "Nuk kisha shumë para, ndaj mendova të bëj diçka të vlefshme.

Doja të bëja sa më të ngushtë diferencën mes atyre që ecin dhe atyre që nuk mund ta kenë këtë mundësi". E lehtë, rezistente, është vërtet një shpëtim duke menduar rreth 25 mijë njerëzit që humbin gjymtyrët çdo vit për shkak të minave. Quhet "lëvizje për të gjithë" dhe duket më shumë si një spot publicitar, por sipas dizajnuesit të saj është "reklama për ata që duan të jenë të lirë". Një tjetër revolucion është edhe "One laptop per Child" (OLPC) kompjuteri me kosto të ulët për fëmijët e e vendeve të botës së tretë, që ka fituar në kategorinë "komuniteti". I ideuar në vitin 2004, prapa tij qëndrojnë, Nicolas Negroponte, një grup të rinjsh kreativë dhe shoqëria "Quanta". Do të kushtojë vetëm 100 dollarë brenda 2008-ës dhe do të ketë internet dhe antenë wi-fi. "Ccmime të arsyeshme, nuk do të thotë cilësi e keqe. Të bësh bashkë energjitë më të mira dhe numrin më të madh të personave mund të japë produkte të shkëlqyera dhe me çmime shumë të arsyeshme". Në kategorinë e "punës" çmimi i ka takuar një "gjuhëthithëseje" ide e një grupi anglez, që lindi pas atentateve në Londër, në korrik të vitit 2005. Ndoshta nuk është e bukur, por sigurisht që është e dobishme për të shpëtuar dikë që pasi ka humbur ndjenjat rrezikon të mbytet për shkak të ikjes së gjuhës që i zë fytin. Çmimi i fundit në kategorinë e lojës i ka takuar një makine sportive elektrike, e shoqërisë amerikane "Tesla Motors", 100 për qind me bateri dhe pa emetime në natyrë. Është e shpejtë, por bashkë me të ideja e një të ardhmeje më të mirë ecën akoma më shpejt.

Mendimi

Alberto Meda, një emër i rëndësishëm në industrinë e dizajnit

Mjaft më me produktet e pavlera

Projektuesit duhet të ndryshojnë

Alberto Meda ka fituar dy "Kompaste të arta", përveç një numri të madh çmimesh të tjera. Ai ka punuar për shumë ndërmarrje prestigjioze si "alfa romeo", "Alessi" dhe "philips". Së bashku me argjentinasin Francisko Gomez Paz ai fitoi çmimin "Index 2007" me shishen diellore.


Një objekt vërtet i çuditshëm. Si ju erdhi në mend kjo ide?


Gjatë një udhëtimi në Etiopi në vitin 2006. Aty njerëzit kishin vështirësi të mëdha për të siguruar ujin. Jo se nuk e dija, por duke i parë me sytë e mi gjërat ndryshuan shumë. Kur u ktheva në Milano pashë një ekspozitë që titullohej "H2O". Ishte viti i ujit dhe shumë manifestime dhe diskutime i kushtoheshin atij. Mendova për një proces pastrimi përmes ekspozimit të diell, në bashkëpunim edhe me një mikun tim argjentinas, edhe ai disenjator. Rezultati, siç e shihni, është "Solar Bottle".

E bukur dhe e dobishme. Nuk është më një binom i paprekshëm

Është kombinimi ideal i dizajnit duke parë edhe raportet mes njeriut dhe objekteve. Për vite me radhë projektuesit e kanë braktisur këtë rrugë, për t‘iu përgjigjur më shumë dëshirave, sesa nevojave të njerëzve. Mendoj se sot dizajni është ai që ndryshon jetën e njeriut, duke krijuar zgjidhje të dobishme dhe të qëndrueshme por, sigurisht, jo të shëmtuara.

Idetë e vlerësuara

PC 100$

Një minikompjuter për fëmijët e botës së tretë. Sot kushton 135$, ndërsa në 2008 do të kushtojë 100$.


Dizajnues Y. Behar, SHBA

 

Proteza Hi-tech


Është menduar për 25 mijë të gjymtuarit nga minat. Mund të realizohet vetëm me 8 dollarë


Dizajnues: S. Dubois, Kanada

 

Kundra mbytjes


Një objekt i çuditshëm për të evituar ikjen poshtë të gjuhës për një njeri që ka humbur ndjenjat


Dizanjues Tesla Motors, SHBA

Makina elektrike


Makina elektrike që mund të ecë nga 0 deri në 60 km brenda 4 sekondave. Karikohet brenda 3 orëve me një kosto të barabartë me 1 dollar për milje

 

Dizanjues P. Greer, Angli

Marre nga : Gazeta Shqip

 

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi