Regjistroni domainin tuaj .al

Armët Kimike Shqiptare, Vdekja e fshehur prapa Dajtit

Shkruar nga:  
Postuar më: 7 vite mĂ« parĂ«

Armët Kimike Shqiptare, Vdekja e fshehur prapa Dajtit
Armët Kimike Shqiptare, Vdekja e fshehur prapa Dajtit

Vetëm 300 gram prej tyre, e vendosur si mbushje në një predhë, ishte e mjaftë për të zhdukur çdo formë jete në një sipërfaqe toke prej një dynym dhe do të bënte vdekjeprurës ajrin në një sipërfaqe prej një hektarësh. E imagjinoni dot se çfarë mund të ndodhte me 16 ton helmi të tillë luftarak?”, pyet sërish koloneli N. S., specialist i armës së kimisë. “Tiranën, nja 100 predha të tilla ose vetëm 30-40 kilogram nga këto tonelata, do ta shndërronin në Hiroshimë”.

Rënia në duar të gabuara të “gjuetarëve” të armëve, do të ishte një mundësi e artë për cilindo terrorist që të kthente objektivin e tij në epokën e gurit për shumë e shumë vite. Por me të njëjtin çmim do të paguhej dhe ndonjë pakujdesi njerëzore. Për këto arsye, vendndodhja e këtij tmerri, e mbajtur sekret për vite me rradhë, ruhej në supermasa të rrepta sigurie. “As bankat nuk ruheshin në atë mënyrë. Mure betoni, tela me gjemba, dyer metali solid të salduara, roje të armatosura dhe survejim 24 orësh me kamera”, thotë koloneli shqiptar, i cili gjithashtu për arsye sigurie dhe të ruajtjes së sekretit ushtarak, nuk pranon as të identifikohet dhe as të japë hollësi të mëtejshme.

Sot në Qafë Mollë pak kilometra në lindje të Tiranës, “përbindëshi” është vënë sërish në gjumë. Quhej me disa emra, të cilët kanë qenë familjarë për të gjithë shqiptarët që kanë kaluar në zboret e famshëm të së shkuarës. Iprit, Luizit, Zaharinë dhe Kloropikrinë, ishin katër elementët kryesorë që ruheshin në fuçi metalike të izoluara, të mbledhura që mbas vitit 1992 në një vend të vetëm dhe të shtuara dhe nga një sasi tjetër, e panjohur më parë, dhjetë vjet më pas, në dhjetor 2002. Që atëherë ato u strehuan në Qafë Mollë në kushtet e një sekreti, nga të vetmit e ruajtur me aq fanatizëm nga shteti shqiptar prej publikut. “Do të ishte e kotë të thuhej ndonjë detaj më parë për këtë stok vdekjeprurës. Shoku, paniku dhe tmerri kolektiv do të ishte i pashmangshëm, por dhe i panevojshëm”, thonë në ministrinë e mbrojtjes.

Historia
Edhe mbasi është tejkaluar tërësisht ky rrezik, sërish tmerri nga e panjohura është i jashtëzakonshëm, kur nis e zbulohen detaje për të. Fatmirësisht, një program ndërkombëtar, inicuar kryesisht me inisiativën amerikane të dy senatorëve Nunn dhe Lugar dhe një fondi prej 50 milionë dollarësh të firmosur nga Presidenti amerikan Xhorxh Bush, e ka asgjesuar tërësisht këtë stok të vdekjes. Prej saj ka mbetur vetëm ujë dhe ajër. Që të dy këto “mbetje” plotësisht të padëmshme për shëndetin e njeriut. “Madje uji që del nga djegia e LHL-ve, është në parametrat e ujit të pijshëm”, thotë koloneli shqiptar, që shton me humor se megjithatë nuk ka guxuar të kthejë ndonjë gotë prej tij.

Në mes të korrikut, ministria shqiptare e mbrojtjes njoftoi zyrtarisht fundin e një prej mistereve më të rrezikshëm ushtarakë të fundviteve 90’. Ministria komunikoi se i gjithë arsenali i lëndëve helmuese luftarake, trashëgim nga e kaluara diktatoriale, ishte asgjesuar tërësisht duke shënuar kështu një nga rastet e rralla që Shqipëria ka plotësuar në mënyrë shembullore detyrimet ndërkombëtare që ajo ka firmosur. Por për të mbërritur deri këtu është ecur në një rrugë tepër të gjatë dhe të mbushur me plot paqartësi dhe ankth pritjeje.

Ish-kryeministri Aleksandër Meksi kujton se qeveria e tij ka ratifikuar në korrik 1993 konventën “Për ndalimin e zhvillimit, prodhimit, magazinimit e përdorimit të armëve kimike dhe për shkatërrimin e tyre”. Dhe e vetmja gjë që mund të bënte atëherë Shqipëria që në atë kohë kishte probleme të cilat nisnin që me sigurimin e bukës së përditshme të qytetarit, ishte vetëm që të njoftonte se kishte në dispoziocion arsenalin tashmë të ndaluar luftarak. E pastaj të priste. Dhe do të duhej të kalonin plot 14 vjet, që vendi, përfundimisht të mos e kishte më këtë “luks” të së keqes që fshihej në depot misterioze të ushtrisë. Pas Meksit, një tjetër ish-kryeministër dhe ministër Mbrojtjeje, Pandeli Majko, do të mbante gjatë në tryezën e tij dosjen e nxehtë dhe do t’i kushtohej zgjidhjes së këtij problemi. Që si dhe herë të tjera, erdhi nga jashtë. Kështu, në korrik 2003, Shqipëria nënshkruan një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për parandalimin dhe shkatërrimin e armëve të shkatërrimit në masë, ndërsa një vit më pas implementon konventën po për armët kimike. Në nëntor 2003, Kongresi amerikan miratoi ligjin Nunn-Lugar, që do të thoshte se SHBA autorizonte zgjerimin e këtij aktiviteti edhe në Shqipëri mbas vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik. Autorizimi presidencial i dha startin nisjes së punës në Shqipëri për këtë qëllim duke afruar dhe një fond prej 50 milion dollarësh. “Bota është bërë tani më e sigurtë dhe ky është një kontribut domethënës për sigurinë rajonale dhe atë ndërkombëtare,” reagoi pak ditë më parë vetë Senatori Lugar, njeriu tek i cili Shqipëria ka mbetur në një borxh të jashtëzakonshëm moral.

Hoxha: Ne vend lider në çarmatimin kimik
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Luan Hoxha, beson sinqerisht se ka të drejtë të marrë frymë i lehtësuar. Por nuk e fsheh edhe krenarinë e tij kur thotë se projekti për shkatërrimin e këtyre lëndëve helmuese luftarake është ndoshta projekti më i rëndësishëm i zbatuar deri tani në rang botëror. “Ky është një proces që e ka renditur Shqipërinë si vendin e parë në botë që arrin të shkatërrojë agjentët kimikë sipas kërkesave të Konventës Kimike dhe Shqipëria është një vend lider në fushën e çarmatimit kimik”, thotë Gjeneral Hoxha. Por gjenerali tregohet i rezervuar kur e pyet për shkallën e rrezikut që afronin këto armë. Si një ushtarak profesionist ai mendon se ushtria duhet të bëjë detyrën e saj dhe se në këtë rast, nuk mund të përdorë term tjetër përveçse “e shkëlqyer”, për punën që kanë bërë vartësit e tij. “Dua të them se Forcat e Armatosura në këtë vend janë një gur i jashtëzakonshëm themeli, ndoshta nga më të qëndrueshmit dhe një bosht jetik për të gjithë shoqërinë shqiptare. Ne nuk qëndrojmë në “gazerme” përballë shoqërisë sonë, jemi jashtë tyre dhe në dispozicion të saj”, thotë ai.

Muajt e gjatë të përgatitjes për asgjesimin e lëndëve helmuese kanë përfunduar dhe ai kujton se pothuaj çdo dy javë, njëlloj si dhe paraardhësi i tij në detyrë Gjeneral Pëllumb Qazimi shkonte për të inspektuar depot sekrete në Qafë Mollë. Dhe bashkë me të, në Qafë Mollë, fare pak kilometra në lindje të Tiranës, kanë qëndruar non stop deri në tre inspektorë të huaj të Organizatës së Ndalimit të Armëve Kimike, me qendër në Hagë. Ndërsa çdo dy javë bëhej një raport i hollësishëm për të gjithë procedurën e ndjekur, një të tillë e firmoste pala shqiptare, por që kontrollohej dhe kundërfirmosej nga ekspertët ndërkombëtarë.

Asgjësimi
Në fillim të viteve 90´, hapja e Shqipërisë solli në vend dhe valanga të tëra gazetarësh të huaj që kërkonin të hidhnin dritë mbi këtë qoshe të izoluar e të panjohur të botës. Dhe pothuaj në çdo shkrim me temë nga Shqipëria nuk mungonin dy detaje që përsëriteshin e citoheshin vazhdimisht: varfëria dhe bunkerët. Por gazetarëve ju kishte “shpëtuar” ky mister ushtarak. Shqipëria kishte në zotërim po të njëjtit agjentë kimikë që kishte përdorur për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore diktatori iraken Sadam Hysein, si ndaj popullsisë kurde, po ashtu dhe në Iran gjatë luftës dhjetëvjeçare mes këtyre dy vendeve. Befasia e të ardhurve rishtaz në qeverisje kur u zbulua se Shqipëria posedonte këto armë të shkatërrimit në masë, ishte e jashtëzakonshme. Po aq sa dhe pafuqia e tyre. Në po të njëjtën kohë, një sasi pesticidesh helmuese u zbulua se ndodheshin në stacionin hekurudhor të Bajzës në skajin verior të vendit, në Shkodër, çka shkaktoi vërtet panik dhe u shndërrua në një problem kombëtar. Atë kohë me siguri ushtarakët e paktë që ishin në dijeni të sekretit të armëve kimike që kishte vendi, kanë qeshur me ironi me këtë shqetësim. Njëlloj si koloneli që tregon sot historinë e këtyre armëve. “Pesticidet në Bajzë? Eshtë njëlloj si të shqetësoheshim për ca kuti me parfum kur nën tokë mbanim bomba atomike”, betohet se nuk ekzagjeron ai. Dhe betohet sërish se nuk e di me saktësi origjinën e prodhimit të këtyre armëve që patën si stacion fundor shndërrimin në ujë dhe ajër në Shqipëri. “Di të them se Shqipëria ka pasur aq armë sa është e pamundur ta rrokë një mendje dhe logjikë normale. Në një rast, kur kemi nxjerrë në 99´ nga depot tanket, nga shumë prej tyre, u derdhej grurë dhe oriz nga zinxhirët. Nuk kishin bërë asnjë kilometër në tokë dhe në Shqipëri kishin ardhur nga Kina të fshehur në hambaret e anijeve të ngarkuara po me grurë dhe oriz”, thotë ai për atë kohë të largët, kur Shqipëria bëhej gati të luftonte marrëzisht me gjithë pjesën tjetër të botës. “Dhe nëse ndodhte një gjë e tillë, marrëzia shqiptare mund të shkaktonte një kasapanë të tmerrshme”, shton me frikë.

Koloneli tregon se falë dollarëve amerikanë, por dhe vendosmërisë së dy senatorëve Nunn dhe Lugar, Shqipëria mundi të hyjë në programin e shkatërrimit të këtyre armëve. Vitin e kaluar në Qafë Mollë u instalua makineria kombinat që do të mundësonte këtë shkatërrim. Vlera e investimit 5 milion dollarë. “Eshtë si një furrnaltë gjigante. Oxhaqet e saj janë deri në 15 metra të lartë. Brenda saj bëhej djegia e materialit që kalonte pastaj në një mori filtrash. Domethënë, në barkun e makinës hynte vdekje dhe dilte jetë, ujë i pijshëm dhe ajër i pastër. Mbas çdo procesi, bëheshin analizat e detajuara të materialit që mbeste. “Ngjante si një magji e vërtetë”, thotë koloneli që ende është i mahnitur nga ajo kryevepër inxhinierike dhe elektronike. E cila tashmë është një thesar në pronësi të shtetit shqiptar që mund ta verë sërish në punë. “Mund të djegë mbeturinat spitalore apo çdo gjë tjetër të rrezikshme për ambientin. Vetëm se kërkohen fonde për mirëmbajtjen e saj dhe si do të funksionojë më pas kjo punë, unë nuk di më shumë”.

Koloneli N.S. ka vapë. Vapë është dhe në lartësinë e Dajtit, fare pranë vendit më të izoluar në Shqipëri kur për muaj të tërë, në fshehtësi të plotë, është bërë asgjesimi i armëve kimike, të njëjta me ato që kanë vrarë me dhjetra mijëra civilë e ushtarakë në Iran dhe Irak 30 vjet më parë. Ai shkopsit një kopsë të xhaketës së tij ushtarake dhe në gjoks i dallohet një shenjë djegieje. Ndjen vështrimin tek shenja e plagës së diegies dhe qesh. “E kam peshqesh po prej tyre, nga një stërvitje treguese shumë e shumë vite më parë. Por kjo nuk asgjë asgjë në krahasim me përvëlimin që të shkaktojnë ato armë. Nuk ka vdekje më të tmerrshme sesa ajo që shkaktojnë lëndët helmuese luftarake. Eshtë një vdekje që nuk dallon dhe merr me vetë gjithkënd. Një vdekje që nuk fle, por gëlltit jetë dhe shumë e shumë vite më pas. Për zotin, kemi shpëtuar paq”, përmend për herë të parë zotin në bisedë ai. Por një zot, që sipas tij, nuk kishte mundur të shihte se çfarë fshihej për vite e vite me rradhë në katakombet ushtarake. Prej nga i nxorrën 50 milionë dollarët e amerikanëve dhe vendosmëria e dy senatorëve të urtë po amerikanë. Senatorët Nunn dhe Lugar pritet të vijnë në Shqipëri brenda këtij viti në një konferencë ky me siguri do të marrin duartrokitje dhe mirënjohje shqiptare. Me siguri dhe dekoratat më të larta të shtetit shqiptar, që kësaj rradhe arriti të shkëputet nga një mallkim i vjetër i së shkuarës. Po ende jo plotësisht sa për të dhënë një përgjigje serioze për pyetjen ironike të gazetarit të Washington Post, pothuaj dy vjet më parë: “”Po Irakun pse e kemi sulmuar? Pse nuk sulmuam më parë Shqipërinë”?

Lorenc Vangjeli : Revista Mapo

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi