Regjistroni domainin tuaj .al

Puke, te mos kesh nevoje per pune ne qytetin e papune?!

Shkruar nga:  
Postuar më: 2 vite më parë

Puke, te mos kesh nevoje per pune ne qytetin e papune?!
Puke, te mos kesh nevoje per pune ne qytetin e papune?!

Të papunë të shumtë vetëm rrotullohen në qytetin, i cili s’të afron më asnjë mundësi. Por, gjithsesi jetojnë me ato pak kërpudha që mbledhin një sezon të shkurtër vjetor, ato punë që kanë mbetur nga druri dhe nga tutje-tëhu. Një fabrikë këpucësh, që mbledh një masë të madhe njerëzish, përveç disa muajve, nuk ka më jetë si më parë. Pak njerëz shquhen për ndryshim, mes tyre i përhershmi Përparim Laçi, sportist i njohur, që ka bërë një biznes familjar dhe lufton ta bëjë Pukën pikë referimi për turizmin shqiptar. Anipse, pak ia vënë veshin pukianët, që duket sikur të gjithë shesin dhe pinë kafe...në qytetin gati mbi 800 metra mbi nivelin e detit
 
G. P. e shtyn të gjithë ditën e Zotit i qetë. I papuni 46 vjeçar, me një katandi, e cila i shërben vetëm të fusë kokën dhe të përsiatë ndonjë nga ëndrrat e shuara, vetëm baret. Me aq sa mund të jesh në qytetin e vogël, ku një rrugë e përshkon në mes Pukën, dikur edhe arteria që lidhte pjesën tjetër të vendit me juglindjen shqiptare. Rruga është spostuar dukshëm tutje me autostradën e kombit, ndërsa sot, ai që vjen në Pukë, mbërrin si në një stacion të fundit. Dikur, kishte dy itinerare Milot-Rrëshen-Pukë, ku në fund, ajo që të mbetej në mëndje ishte natyra e bukur dhe segmenti Bushat-Vau i Dejës-Pukë, i cili sot nga Tirana  përshkohet në gati 2 orë e gjysmë. G.P. dhe shumë të tjerë si ai kanë kohë që nuk lëvizin nga qyteti. Hapat e tyre janë bërë edhe më të shkurtër në rrugën e madhe dhe të vetme, si për të dashur ta mbajnë sa më shumë ditën. Koha, s’ka asnjë vlerë në Pukë. Njësoj dhe personazhet tona. Janë thjesht emra në listën e bashkisë...
 
Kronikë e varfër

Në statistikat e bashkisë, gjërat janë më të shkoqura: Të punësuar në shtet 743. Të punësuar në privat 220; Papunësia rreth 40%; Njësi shërbimi me shumicë dhe pakicë më 2011: 112; në fruta, perime, ushqimore:15; shërbime fotografie, rrobaqepësi, zanate, etj:12; bar-restorante, fast-food, internet etj:52; fruta, perime, ushqimore:15; artikuj industria:l34; lojëra fati: 3; biznes i madh prodhim:4; Numri i familjeve në ndihmë ekonomike: 260; Nr. i personave në asistencë 61... G.P. është njëri prej tyre. I gjithë qyteti duket se ka vetëm kafe dhe markete të vogla.

Madje dhe një emisare të Caritas-it që vjen të ndihë gratë e dhunuara të trevës, e gjej të ulur me një vendase në një syresh. Duhet të apelosh për nxënësit në konvikt, më thotë. Por, ç’mund të apelosh më parë këtu. G.P. që më shoqëron më tërheq më andej. Tani ngutet. Do t’më tregojë si jetojnë. “Ehu...Kta t’hujt”. Pse të mos e them emrin, i them pak hapa më pas. “E ku merren vesh sot punët”- më sqaron. Ka fytyrë të pastër dhe një shëndet të mirë kudo...Ka dhe frikë. Mund t’ia shkurtojnë ndihmën, po të llapi shumë. Në një shtëpi të zakonshme ku shquhet televizori i thjeshtë dhe një frigorifer, ai bën jetën e përditshme. Gruaja bën një punë, duke ndihur diku. Kjo e bën të jetojë. I shmanget bisedës për fëmijët.

Po si jeton? Ngre supet. Më duket si shenjë kombëtare kjo, sepse të gjithë vetëm ngrenë supet. “Bëj ndonjë punë. Andej nga Fushë-Arrëzi, po lëvizin gjërat. Ktu hiç fare. Ndonjë dru. E kështu...”. E kështu! E kështu!..Të gjithë i shmangen asaj që duan të thonë. Dal ashtu si kam hyrë. Drejt e në udhë.
Puka, edhe pse në dukje larg, ka qenë e privilegjuar nga udhët. Mes udhëve historike rrugore të natyrës ekonomike dhe ushtarake Adriatik-Dardani dhe një aneks për Maqedoni -Serbi, ajo ka përcjellë ushtarë, zyrtarë, klerikë, pak nuse dhe pafund karvanë.

Vështrim interesant për qytetin na ka lënë prof. Zija Shkodra. Në studimet e tij, qyteti ishte vetëm një qendër e vogël, rritur dora-dorës. Lulëzoi diku në socializëm, për të rënë sërish tanimë. E ndërsa më 1990 arriti kulmin, kur qyteti frymonte me rreth 54 mijë banorë, tashmë s’ka më shumë se 36 mijë banorë. Migrimi ka qenë zakonisht i brendshëm dhe pukianët kanë lëvizur ngado në vend për t’i shpëtuar varfërisë së emrit Pukë. Po ti? - i them G.P. “Ku mund të shkoj?”, ma pret. Më prezanton me disa miq. Të gjithë ankohen dhe baresin. A ka mundësi me ik, që këndej, i them. Të lëvizë nga Puka, atij i duket njësoj sikur po e përcjellin në hapësirë. Dhe, nuk janë larg të tjerët. Njësoj S.D., që sot ka gjetur një punë diku, dhe ndjehet mirë. Askush s’do me ia përmend emrin. Më duken si ushtri inicialesh. Edhe pse qyteti po tkurret nga dita në ditë, të rinjtë e mbetur bajagi të shumtë, mblidhen të gjithë nëpër kafe.

Në një largësi gati ku mund të dëgjojnë njëri-tjetrit, të gjithë para një filxhani kafe, flasin e flasin, sikur të gjithë punët të bëhen në këtë vend. Nuk e kuptoj pse prishet një moment kjo statusquo. Poterja që shoqëron Përparim Laçin është e vetmja që e prish shpesh këtë qetësi. Kur dy minuta më vonë jemi në kafe me mikun sportist, atëherë do të kuptosh se në këtë përgjumje të madhe ekziston dhe fati: “Po kërkoj punëtorë”, na thotë. G.P. i dëgjon të gjitha nga përtej po nuk flet. Na vjen për të qeshur, sepse në këtë moment të thuash që po kërkoj punëtorë është një habi e madhe. Kthej instinktivisht kokën por G.P rri i qetë me dy miq të tij, zhytur në një zezonë mendimi, që duket sikur i rrethon ngado. “Më duhen punëtorë” mbetet në ajër. Ka dy ditë që s’më vinë punëtorë, më thotë burri. “Këtu janë të gjithë papunë dhe nuk duan të punojnë. Ma shpjegon dot ti?”. Jo, i them.   

Pukianët kanë një traditë modeste në bujqësi, por ama nga toka në atë fazë të shkurtër lulëzimi prej motit, kanë kultivuar grurin, thekrën, fasulen, qepën, hudhrën, kastravecin, kungullin, lakrën. Me pemët frutore kanë shtuar edhe më shumë begatinë e tyre: gështenja, molla, vreshta, thana i has kudo. Në lashtësi, pukianët kishin emër për Pezhvjen (përpunimin e rrëshirës),  poçerinë, prodhimin e gjërave të drurit, fuçive etj. Jo vetëm kaq. Shkolla e parë shqipe u krijua në Iballë më 15 Tetor 1903 dhe e Pukës më 1922. Por vetëm më 1963, Puka bëri një shkollë të mesme dhe tashmë në referencat e vitit të shkuar janë 3102 nxënës nga këta: në Ciklin e Ulët 1502 dhe në Ciklin e Lartë 1600 syresh.
 
Përparimi

Ndryshe nga zezona që më tregojnë të gjithë dhe se si e shtyjnë, apo se si sakrifica më e madhe bëhet në fshat, Përparim Laçi tregon krenarisht dhe për të kush-e-di-sa-tën-herë se si alpinizmi i dha mundësi të bëhej biznesmen. Në fakt ka të drejtë, nga një udhëtim i largët në Himalaje, ai ndërtoi iniciativën e tij të jashtëzakonshme. Pak javë më vonë, ia shpjegoi ish-ministrit Pango dhe ky i fundit arriti ta materializojë me projektin për 40 hanet. Hani i tij pret sot rreth 50-60 bujtës në 20 ditë dhe është një biznes familjar, që e bën më fëmijët.

Çmimi është i arsyeshëm, 20-25 mijë lekë për një natë fjetje dhe 3 vakte ushqimi, kurse të tjerat, udhëtimi në shpella, me varkë në liqen, me kalë apo ski i afron falas. Po ky, do i them G.P., pak më vonë. “Ehu, ky e ka në terezi”, ma pret. Si e ka në terezi? “Asht’përnimen i zoti”. Përparimi, kohët e fundit, e ka shtuar biznesin e tij dhe Puka në dimër vizitohet thjesht nga hani i tij, ku has mundësinë për të vizituar shpellat, për t’i vizituar ato me varkë, me kalë dhe shumë vende të tjera turistike. S’mbaron këtu: fjetja dhe shoqërimi, mësimi i skive dhe të gjitha janë falas, qoftë shëtitjen me kalë etj.

Pse nuk e bëjnë dhe të tjerët? “Sepse do pak iniciativë. Sepse nuk duhet të flenë dhe sepse shteti duhet t’i ndihmojë njerëzit e vet”, ma pret. Dhe, ai sipas modelit, që solli nga Himalajet ka krijuar dhe arritur të mbarështojë bagëti dhe raca alpine franceze, dhi vendi, ngrehina pulash, dy parqe me bletë, që i shërben e gjitha si ekonomi ndihmëse. Po pse nuk punojnë, i them dhe të tjerët? “Sepse bashkia fle gjumë dhe po të kishte mundësi, këtu të gjithë mund të bënin punë”. Nga tutje, një të huaji, që është me shqiptarë po i thonë pak a shumë gjërat që mund të hasësh këtu: fli dhe tavë dheu, mish ne gaca, qumësht, bulmet, mjaltë, vezë fshati, kërpudha, reçel nga më të ndryshmet si; reçel kumbulle, fiku, molle, fruta të thata dhe tre lloje salcash. Tjetri vetëm pohon. Përparimi ndahet duke dhënë urdhra...
 
Më pas

Vërtetë Puka është braktisur nga makinat e shumta, por kjo s’do të thotë se është braktisur nga njerëz, që e shikojnë si vend për turizëm.  Makina të shumta me targa kosovare, por edhe motoçiklistë të huaj, të cilët e preferojnë këtë lloj turizmi, i shikon shpesh e më shpesh. Rruga vende-vende është shkatërruar dhe duket se është riparuar lokalisht në faza zgjedhore. Vendasit nuk kanë se ku t’i shesin prodhimet dhe qyteti po bëhet gjithnjë më i ngushtë për ata pak banorë që janë. Sa për argëtimin! Harroje. Asnjë institucion argëtimi s’është më në qytet. Sikur pati shumë shpresë me ndërtimin e një biznesi këpucësh, që futi në punë mbi 100 njerëz. Por sot e kësaj dite, ajo punon gjithnjë e më pak dhe banorët janë gjithnjë e më tepër të shqetësuar.

E vetmja gjë mbetet ajo që ka bërë Përparimi dhe që mund të shtrihej edhe më tej, por për këtë pak njerëz e vënë ujin në zjarr. Në fakt, pushteti lokal dhe qendror s’janë aq shumë të interesuar, si kudo në vend. Bashkia ka një buxhet të pamjaftueshëm dhe ka të trashëguar borxhe. Të papunët që rrotullohen kot u duhet të bëjnë lloj-lloj gjërash që të mbijetojnë. Po atëherë si mund ta shtyni? Ka dasht Zoti? Përgjigje alla Migjen. I ngrati u soll shumë kohë këndej dhe kaloi shumë kohë nga jeta e tij. Madje, disa nga personazhet e tij, do mbarseshin që këndej. Një pjesë ka gjetur mundësinë të merret me kërpudhat, por edhe kjo zgjat fare pak. Sepse idetë mungojnë në këtë vend, ashtu si kudo. “Nuk dun mor vëlla. A kupton apo jo?”
...
Nuk e di se sa ia vlen, por ndërsa P. G. dhe të tjerët më thonë se përveç natyrës asnjë nuk ia vlen, Përparim Laçi insiston dhe më thotë se këtë vend nuk e ndërron dot me asgjë tjetër në botë. Rrimë edhe pak në bujtinën e tij dhe ndërkohë dy makina me targa britanike vinë si në shtëpinë e tyre. S’janë vetëm të huajt, por edhe shumë shqiptarë që tashmë Pukën e identifikojmë vetëm me hanin dhe kur kalojnë atypari edhe me masën e madhe së të papunëve që sorollaten në qytetin e papunë. Dhe qytetin e Migjenit. Me G. P. jam ndarë prej kohësh. Vjeshtë 2012.

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi