Redi Jupi Ja e verteta per Xhaken e Shaqirin

Redi Jupi: Ja e verteta per Xhaken e Shaqirin
Ai flet me kompetencë kur vjen puna tek afrimi i talenteve të reja në ekipet tona përfaqësuese. Në gati dy vjet, zyra që ai drejton në FSHF ka bërë shumë testime dhe tratativa, duke afruar një duzinë me lojtarë nga diaspora. Përpos kësaj ambienti futbollistik, ka qenë i ngërthyer gjatë këtyre ditëve më së shumti mbi debatin nëse talente si Xhaka e Shaqiri duhet të luanin apo jo për Shqipërinë.

Pikërisht këtu hyn “në lojë” Redi Jupi, i cili qartëson gjithçka lidhur me tratativat me këta lojtarë dhe jo vetëm. Jupi tregon edhe problematikën që federata ka hasur gjatë kësaj kohe më së shumti me lojtarë shqiptarë, të cilët sipas tij jo vetëm që kanë ndryshuar emra e kanë harrur shqipen, por as që duan t’ia dinë për Kombëtaren shqiptare, duke iu referuar më së shumti lojtarëve që aktivizohen në Greqi.

Nisur nga ajo çka nënvizonte pak ditë më parë në opinionin e tij presidenti Duka lidhur me afrimin e talenteve nga diaspora, do doja të dija nëse këta lojtarë kanë pasur dëshirë vetë të luajnë për Shqipërinë apo janë bindur nga federata?

Shikoni, pavarësisht debatit shterpë që u akumulua para, gjatë dhe pas ndeshjes me Zvicrën, duke marrë në dorë gjoja flamurin e nacionalizimit, për mua jo vetëm që nuk është bërë dhe analizuar nga ekspertë të fushës, por kjo gjë nuk e ndihmon aspak futbollin shqiptar. Thënë këtë duhet të kuptojmë sesi flitet për lojtarë që s’kanë pranuar të luajnë për Shqipërinë kur puna jonë, paçka se mundësitë i kemi pasur të limituara, është më se e dukshme. Jo se aty në atë drejtori jam unë që punoj, por ua them me bindje të plotë se gjatë këtyre dy viteve është bërë një punë kolosale, natyrisht edhe me mbështetjen e presidentit, në afrimin e talenteve në ekipet tona kombëtare.

Ju thoni se është shumë punë, por fakt është ama se lojtarë si Xhaka, Shaqiri sot luajnë për kombëtare të tjera…

Unë personalisht nuk merrem me median, pasi kam vërejtur se është shkruar shumë gjatë këtyre ditëve për këta lojtarë. Unë di t’ju them se me Xhakën dhe familjen e tij kam punuar personalisht më shumë se 2 muaj për ta sjellë në ekipet tona kombëtare. Kam folur me babanë e tij jo vetëm për Granitin, por edhe për Taulantin dhe ata nuk donin që të vinin të luanin për Shqipërinë.

Përse, cila ishte arsyeja që nxirrnin në këtë mes?

Pikë së pari nuk kishin mundësi ligjore, e kam fjalën nuk kishin as pasaporta kosovare dhe as shqiptare, ndërkohë që kishin luajtur për ekipet zinxhir të Zvicrës dhe zviceranët po punonin intensivisht për t’i mbajtur. Tentuam me anë të mamasë, e cila kishte prejardhje nga një fshat i Kukësit në kufirin Kosovë-Shqipëri. Punuam shumë me avokatin e familjes, por në fund nuk u zgjidh asgjë. Tani unë nuk di t’ju them me saktësi, nëse kjo ishte edhe dëshirë e Xhakës dhe e familjes së tij për të luajtur për Zvicrën dhe jo për Shqipërinë, pasi e kam të vështirë të futem në mendjen e njerëzve.

Po për Shaqirin?

Është pak a shumë i njëjti gjykim. Xherdani ka luajtur me ekipet zinxhir të Zvicrës që në moshë fare të vogël, me U-16, U-17 dhe u rrit në ato skuadra. Natyrisht, federata zvicerane punoi shumë edhe nëpërmjet klubit të Bazelit që një lojtar si Shaqiri të luante për ta. Por kjo nuk duhet ngatërruar me nacionalizmin dhe me demagogjitë që kam dëgjuar gjatë këtyre ditëve. Duhet të kuptojmë se një lojtar si Xhaka e Shaqiri, por edhe gjithë të tjerët nuk kanë asnjë detyrim ndaj kombëtareve. Ata nuk paguhen financiarisht për të luajtur me Zvicrën, por thjesht me dëshirën e tyre kanë zgjedhur të luajnë për këtë vend.

Po ju ilustroj një shembull: Bosnja para 15 vitesh vinte në Tiranë dhe ne e mundim 2-0. Kur erdhën te hotel “Dajti” ne u dhamë edhe këpucë e palestrina se nuk kishin me çfarë të luanin, duke qenë se ishte kohë lufte. Por që atëherë ata kishin një lojtar që luante me Barcelonën dhe pranonte të vinte të mbronte ngjyrat e Bosnjës. Duke hequr ndonjë rast shumë specifik, si Ibrahimoviç, në pjesën më të madhe duhet të kuptojmë se lojtarët boshnjakë më të mirët në qarkullim ka dashur dhe luajnë për Bosnjën, po ashtu i njëjti arsyetim edhe për serbët e kroatët. Pra, në fund të fundit, është dëshira e një lojtari mbi çdo gjë tjetër.

Pra, ju thoni se më së shumti është çështje vullneti?

Po, sigurisht. E thashë edhe më lart se në Kombëtare nuk merr shpërblim kur luan, nuk ka pagesë, por vihet nëse e ndjen se duhet t’i mbrosh ngjyrat e vendit tënd, prandaj them se çfarëdolloj gjëje që të bëjë federata, nëse një lojtar nuk dëshiron të vijë, është e kotë që pastaj këtë e kthen edhe në një çështje nacionalizmi.

Dakord, por mund të na thoni se çfarë ndodh kur një ditë, ndoshta edhe shumë shpejt, Kosova do të lejohet që të luajë ndeshje ndërkombëtare si ne? A nuk ekziston mundësia që edhe një pjesë e lojtarëve aktualë kosovarë të ikin nga kombëtarja jonë?

E para njëherë ne si federatë jemi shumë të interesuar që Kosova t’ia arrijë kësaj dite dhe kjo më së pari lidhet me shqiptarizimin që gjithkush duhet ta ndjejë, pra kjo çështje shkon shumë më larg sesa këndvështrimi personal ose futbollistik. Së dyti, ne kemi lojtarë që nuk mund të luajnë për kombëtare të tjera. Ne kemi lojtarë të fashës së dytë, të cilët luajnë për ne edhe se nuk kanë pasur mundësi, alternativë tjetër. U morëm shumë me Xhakën dhe Shaqirin që, në fund të fundit, e kishin shumë të vështirë për çka iu shpjegova që të luanin për Shqipërinë, por kjo mua nuk më shqetëson më shumë sesa fakti se lojtarë shqiptarë, kryesisht në Greqi, nuk duan që të luajnë për ne. Kanë ndryshuar emra, kanë harruar gjuhën dhe nuk duan t’ia dinë fare për ne. Pra, kanë pasaporta shqiptare dhe sërish nuk duan të luajnë për ne, megjithëse ne si federatë kemi bërë gjithçka që na lejohet, kuptohet, që t’i afrojmë.

Gjithsesi, ashtu sikundër Kosova mund t’i marrë lojtarët e vet që luajnë në kombëtare të tjera, të njëjtën gjë mund të bëjë edhe me ne?

Jo, pasi ua thashë se ne kemi kryesisht lojtarë të fashës së dytë dhe Kosova në Evropë ka të paktën 500 lojtarë më të mirë se këta që kemi inkuadruar ne në ekipet tonë kombëtare, ndaj e sigurt që nuk do të kenë nevojë për futbollistët që aktualisht luajnë në ekipet tona. Sakaq, Kosova ka mundësi reale për të pasur në organikën e saj gjithë këta lojtarë si: Xhaka, Shaqiri, Behrami etj., të cilët nuk kanë nevojë që t’i futen “valles” së pajisjes me nënshtetësi e gjëra të këtij lloji. Gjithsesi, është e rëndësishme për ne që Kosova të pranohet në FIFA dhe të luajnë ndeshje zyrtare. Pastaj unë jam i sigurt se shumë shpejt, një dhjetëvjeçar ose më shumë, Shqipëria dhe Kosova do të jenë një realitet unik të bashkuar dhe s’do kemi nevojë të flasim më për tema të tilla.

Sakaq, nëse vërejmë rezultatet e ekipeve të moshave duket se ato nuk janë në përputhje me punën që është bërë për afrimin e elementit të ri…

Nuk jam totalisht dakord me ju. Le t’i marrim me radhë: Kombëtarja U-17 bëri një hap të madh në kualifikimin në “Elite Round”, pra në grupin e skuadrave më të mira të Evropës, çka është shumë për një skuadër si kjo e jona, pasi ishte hera e parë që arrinim një rezultat të tillë. U-19 vetëm për një gol nuk arriti të bënte të njëjtën gjë në grupin e vet, ndërsa U-21 ka zhvilluar ndeshje mjaft të mira dhe rezultati i vetëm negativ, por totalisht i pranueshëm, është humbja me Moldavinë. Megjithëse, duhet të kujtojmë se ne kemi skuadrën më të re në Evropë. Nëse homologët tanë luajnë me lojtarë të datëlindjeve ’91, ne luajmë me ata të datëlindjeve ’93, çka të bën të besosh te ky ekip.

“Rekrutët” e rinj të kuqezinjve

Dymbëdhjetë lojtarë me origjinë nga Kosova ose Maqedonia janë pajisur në dy vitet e fundit me pasaporta shqiptare dhe aktivizohen në përfaqësueset tona, nga U-17 deri te U-21: Imran Bunjaku, Arbnor Fejzullahu, Agonit Sallaj, Mërgim Bajraktari, Leotrim Gashi, Shpend Matoshi, Lorik Aliu, Almedin Murati, Fabian Lokaj, Fatlum Ramadani, Gjelbrim Taipi dhe Berat Beqiri. Që të gjithë këta janë rekrutuar nga zyra e talenteve të FSHF-së.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama