Regjistroni domainin tuaj .al

Humanizmi dhe etja per dije de kulture

Shkruar nga:  
Postuar më: 7 vite më parë

Këtë mos e harrojnë ata që lejojnë genocidin në mes të Evropës!. Nga gjiri i këtij trungu kanë dalë figura të shquara të historisë botërore, legjendarët Pirro i Epirit dhe Aleksandri i Madh. Ky popull martir i ka dhënë botës 12 perandorë dhe udhëheqës gjeniale gjatë kohërave romake dhe bizantine.

Nga trungu Iliro-shqiptar kanë dalë dy perandorët më të mëdhenj bizantinë: Konstandini i Madh /themelues i Konstandinopojës/dhe Justiniani i Madh /i parë/vepra e të cilit për qytetërimin perëndimor, sidomos në jurisprudencë, ekonomi, kulturë, ndërtimin e qyteteve dhe fortifikimeve etj të bën krenar; ka dalë krykomandanti legjendar i periudhës së sundimit bizantin të Justinianit, Belisari, i cili është shpallur si “ gjenerali më i madh i të gjitha kohrave “. Papa Klementi i XI dhe shumë Kardinalë pas tij rrjedhin nga familja e njohur shqiptare Albani në Romë me prejardhje nga dy emigrantë shqiptarë. Kapedani legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeu mbrojti për 25 vjet krishterimin dhe evropën nga hordhitë barbare osmane dhe për nder të tij bota ka shkruar qindra libra dhe i ka ngritur monumente në mes të Romës dhe, sëfundi, në Gjenevë të Zvicrës. Në të gjitha këto beteja të përgjakëshme për jetë a vdekje, jo vetëm ka dalë në pah vitaliteti dhe papërkulshmëria e shqiptarëve, por edhe shpirtgjërësia dhe humanizmi, që ndonse i ndodhur vetë në kushte të vështira, ka ndihmuar edhe popujt e tjerë që janë ndodhur në vështirësi. A duhet harruar që trungu Iliro-shqiptar mbajti mbi vete furtunat e historisë për rreth 2000 vjet-duke u bërë shesh betejash të pambaruara dhe mbrojti edhe Evropën që të ecte e qetë drejt përparimit. Ai jo vetëm që ka jetuar në harmoni por edhe i ka ndihmuar dhe ka sakrifikuar për fitimin e lirisë e pavarësisë të popujve të tjerë. Le të kujtojmë inkursionet e Pirros dhe të Skënderbeut në Itali, ndihmesën e madhe dhe vendimtare të shqiptarëve në fitoren e revolucionit grek të 1821-së, përkrahjen pa kushte dhe heroizmin e arbreshëve në Lëvizjen Garibaldine, kontributin e shquar të tyre në luftën për pavarësi të Maqedonisë /Lëvizjen e Hrushovos/. Në këto beteja kanë shkëlqyer në histori figura të tilla si Marko e Noti Boçari, Kollokotroni, Miaulët, Xhavellajt, Grivejtë, Vulgarisit, Bubulina etj, për të cilët flet me aq respekt studjuesi objektiv grek A.Kollia, i cili thekson se 90% të herojve të revolucionit grek ishin Arvanitë.

Shqiptarët i kanë dhënë greqisë komandantë dhe udhëheqësa shteti të shquar. Ata janë dalluar si një popull human dhe ky humanizëm u shpreh në shkallën më të lartë te Nënë Tereza, para së cilës përkulet me respekt e gjithë bota..

Shqiptarët nuk janë hakmarrë për mizoritë e çetave andarte greke kundër Çamëve dhe popullsisë shqiptare në Jugë dhe aktet barbare të sërbve dhe maqedonasve kundër popullsisë shqiptare në trevat e tyre. Është rast unikal që populli shqiptar nuk lejoi të masakrohej asnjë çifut nga mizoria barbare naziste gjatë Luftës së dytë Botërore por i strehoi ata në familjet e tij duke i konsideruar si vëllezërit dhe bijtë e tij. Shqiptarët nuk janë treguar as hakmarrës dhe as revanshist por i strehuan dhe i mbrojtën me të gjitha mjetet ish ushtrinë pushtuese italiane për të mos u persekutuar ata nga nazistët. Një Shqipëri e varfër strehoi brënda një jave mbi 500.000 kosovarë që kërkuan mbrojtje nga genocidi sërb.

Bota nuk duhet të harrojë dhe as të injorojë që shqiptarët kanë dhënë një ndihmesë të dukëshme edhe në themelimin e shteteve moderne. Le të kujtojmë këtu Mehmet Ali Pashën e Misirit, themeluesin e shtetit modern egjyptian, Mos harrojmë që edhe perandorë romakë janë shkolluar në Akademinë e Apollonisë.

Shqiptarët e treguan vitalitetin e tyre duke i rezistuar asimilimit dhe mjeteve të dhunës jo vetëm në trevat e tij të pushtuara nga shovinistët fqinj por edhe atje ku u detyruan të emigrojnë. Eshtë një rast unikal që, edhe pas 550 vjetësh, arbëreshët e italisë, ruajnë denjësisht traditat, kulturën, por edhe gjuhën e tyre ndonse shteti amë i la të harruar për dekada e shekuj. Shqiptarët, jo vetëm në trojet e tyre etnike, por kudo që janë ndodhur, ngado që i ka shpërndarë furtuna e historisë, janë dalluar për ndershmëri dhe dinjitet, për aftësi të përvehtësimit të shpejtë të progresit njerëzor dhe janë vënë në radhët e para të intelektualëve e kanë bërë edhe histori në kulturën e popujve të tjerë. Le të kujtojmë këtu Sami Frashërin, poliglotin dhe shkencëtarin e madh, hartuesin e enciklopedisë së parë turke e disa fjalorëve dy-gjuhësh etj, Hasan Tahsinin-filozofin dhe mendimtarin e madh të shumë fushave të dijes, rektorin e parë të Universitetit të Stambollit. Le të mos harrohet shkrimtarja dhe politikanja e shquar Elena Gjika /Dora d`Istria/ dhe fisin Gjika në Rumani, dramaturgun dhe shkrimtarin e shquar rumun me origjinë shqiptare, Viktor Eftimiun, dhe një gjeneratë të tërë dijetarësh e shkrimtarësh në Itali, familjen e njohur Albani në Romë nga kanë dalë Papë, kardinalë dhe teologë të shquar. Mos harrojmë Haxhi Sekretin-një Homer i shekullit të 19-të- që shkroi “Alipashadën” me rreth 10.000 vargje që Greqia e ka lënë në harresë vetëm se ish mysliman. Le të kujtojmë inxhinerin e famshëm Karl Gega në Austri-që për herë të parë projektoi hapjen nga të dyja anët e tunelit të hekurudhës së Simeringut dhe që busti i tij është vendosur në një park të Vienës, e shumë e shumë të tjerë.

Shqiptarët janë dalluar edhe për etjen e tyre të madhe për kulturë dhe si një popull artist duke shkëlqyer në shumë fusha të artit. Le të kujtojmë arkitektët e shquar Sinani dhe Kasëmi / nga një fshat i Skraparit /, ky i fundit mjeshtër i arkitekturës klasike Osmane që me projektimin e Jeni Xhamisë /1595/ u afirmua dhe më 1620 u emërua kryearkitekt i Perandorisë Osmane, ose David Selenicën-piktor i madh ikonografi cili më 1715 pikturoi afresket e kishës së Virgjireshës Kukuzelica në Manastirin e Laurës së madhe në malin Atos, Greqi/si dhe kishën e Shenkollit në Voskopojë; Onufrin e madh, piktor i shquar i shekullit të XVI-të që me pikturat e tij murore dhe të ikonës zbukuroi një varg kishash në Berat, Shpat të Elbasanit, Maqedoni, Greqi etj, piktoren e parë të greqisë së çliruar dhe luftëtaren e vendosur për emancipimin e gruas në Greqi, Eleni Bukurën,Vasil Rotën-themeluesin e Teatrit Kombëtar të Athinës si dhe durrsakun Jan Kukuzeli /shek. XI /figurë e shquar e kulturës muzikore bizantine, i cili mbas mosmarrveshjeve me perandorin bizantin u vendos në malin Athos në Manastirin Laura e Madhe ku u muar me studime muzikore dhe krijoi sistemin e shkrimit muzikor që u quajt Kukuzelik dhe që u përdor për disa shekuj në muzikën kishtare e shumë të tjerë në fushën e pikturës etj.

Shqiptarët nga të parët në Ballkan e më gjërë, përvehtësuan artin e fotografisë- vetëm 12-15 vjet pas lindjes së saj- dhe një plejadë e tërë fotografësh të shquar që bënë zë në Evropë e në botë si Marubët, K. Idromeno, Gjon Mili etj. Shqiptarët Janaq dhe Milto Manaqi u bënë pishtarët e kinematografisë në Ballkan duke xhiruar filma vetëm 10 vjet /1905/ pas shpikjes të këtij arti të magjishëm dhe sugjestionues. Nga radhët e shqiptarëve, me origjinë të afërt ose të largët, kanë dalë edhe një numur i konsiderushëm regjisorësh, aktorësh të teatrit dhe kinematografisë, producentësh dhe veteranësh të kinemasë që kanë ndërtuar dhe drejtuar me dhjetra kinema në trevat shqiptare dhe ballkanike. Nga 5 regjisorët më të mëdhenj të kinematografisë greke 3 janë arvanitas me origjinë /Niko Konduri, Jorgo Xhavella dhe Pandeli Vulgaris/. Në radhët e shumë aktorëve të njohur Grekë me origjinë shqiptare gjejmë figura të tilla madhore si Melina Mërkuri, Irena Papa, Eli Lambeti, Stefan Stratigo, Jani Argjiri, Orest Makri, Dhespo/Dhespina/ Diamanti, Kosta Karajani, Kleopatra Rota, Pandeli Zerva etj të cilët i kanë dhënë vlera të spikatura kinematografisë greke. Midis kineastëve bën pjesë dhe operatori më i njohur dhe me krijimtarinë më të madhe Jorgo Arvaniti.

Përmëndëm këtu disa artistë të fushës së kinematografisë, pa folur për figura të tjera të fushës së letërsisë si p, sh, Odhise Eliti, fitues i Çmimit Nobël. Dhe po të hedhësh një sy historisë të kinemasë, kulturës, muzikës etj Greke /pavarësisht se disa errësohen qëllimisht dhe ata që janë ortodoksë konsiderohen grekë/ gjen mjaft emra artistësh me origjinë arvanite. Ne e quajmë si nder që këta artistë me origjinë shqiptare i kanë dhënë vlera kulturës të popullit mik grek.

Më lart përmendëm vetëm disa figura të njohura të kinemasë origjina shqiptare e të cilëve dëshmohet nga vetë burimet greke, por kërkime të mëtejshme do të nxirrnin në pah edhe shumë të tjerë.

Nga emigrantët shqiptarë në vëndet e tjera mund të përmëndet 12 vjeçarja Elena Qirici e cila, deri më sot, mund të konsiderohet aktorja e parë shqiptare e kinemasë, Mihallaq Mone /regjisori i parë shqiptar i kinemasë/ vëllezërit Belushi që bënë një revolucion në komedinë dhe TV amerikan duke u çmuar si nga aktorët më të shquar në botë, regjisori dhe producenti Sten Asllan Dragoti, ose regjisori dokumentalist nga Kërçova, Ramazan Ajdini, i nderuar me disa çmime në Amerikë, këngëtari dhe aktori i madh i kinemasë rumune Kristaq Antoniu e deri aktorja më e re me origjinë shqiptare Eliza Dushku që interpreton krah aktorëve më të shquar amerikanë si R. De Niro, A. Shvarceneger, L. Di Kapri, superyllin amerikan Sandra Bullock pa folur këtu për Aleksandër Moisiun, figurën madhore të teatrit gjerman dhe botëror.  

I treguam këto ngjarje jo thjesht për të bërë historinë e Shqipërisë por sepse shumica e tyre dhe figurave të shquara që përmëndëm më lart kanë qënë edhe objekt dhe subjekt i filmave dokumentarë shqiptarë që janë xhiruar pas Luftës së Dytë Botërore të cilët jepen kronologjikisht në këtë libër.

 

Abaz Tahir Hoxha

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi