Në veçanti euforik është dukur kapiteni Xhon Terri, i cili mungoi në finale si i skualifikuar. Kortezhi triumfal i Çelsit nisi në orën 16. 00 (17.00 me orën tonë) nga hyrja lindore e stadiumit “Stamford Bridge”, për të vazhduar më pas në Fulham Road, Hortensia Road, King’s Road e New King’s Road përpara se të përfundonte në Eel Brook Common. Shumë rrugë ishin mbyllur nga trafiku disa orë para parakalimit të Lampard me shokë. Shtypi anglez i ditës ishte shpërthyes pas suksesit të “Blues”-ave në finalen e Mynihut ndaj Bajernit. Drogba me shokë “Gladiatori”, Champions “Grali i Shenjtë” shkruhej nëpër tituj. “Didi did it” (“Didier ia doli) është titulli i “The Sun”, duke kujtuar që “një skuadër angleze më në fund i mund gjermanët pas gjuajtjes së 11-metërshave, ku Çelsi jofavorit fitoi për surprizë Championsin”. “Drogba e Çeh sjellin Gralin e Shenjtë: ‘Blues’-at kurorëzohen sovranë të Europës”, e hap faqen e saj “Mail on Sunday”.
“Një sezon që ka vënë në diskutim besueshmërinë e Çelsit, ka bërë një jehonë epike në një natë vere, lexohet në të. Drogba, me atë që mund të ketë qenë gjuajtja e tij e fundit për klubin e tij, realizoi një penallti dhe i dha fund një odiseje që zgjaste prej 9 vitesh, që kur Abramoviç bleu Çelsin dhe e transformoi futbollin europian”. “Champions” titullonte “Sunday Express”: “Gladiatorët e Abramoviç mbretërojnë Europën, shiun e Moskës 2008 e zëvendësojnë lumenj lotësh të lavdishëm”. Ndërkohë që disa gazeta i kushtojnë jo pak rëndësi fabulës së “Zotërisë së panjohur”, trajnerit Roberto Di Mateo, i cili në 100 ditë mundi të fitonte fronin e Europës.











