Drogba Dy sekonda bene historine ndaj Bajernit

Drogba: Dy sekonda bene historine ndaj Bajernit
Didier Drogba humbi një finale të Ligës së Kampioneve në vitin 2008 në Moskë kundër Mançester Junajtid, por goli i tij në penalltinë finale në Mynih do të mbahet mend gjatë në Gjermani. Bomberi i Çelsit, por protagonisti absolut në të mirë e në të keq (shkaktoi penalltinë ndaj Riberisë në sekondat e para të pjesës së parë shtesë) i londinezëve, ka mundësinë të festojë në fund të një takimi shumë emocionues, një finaleje që do të mbesë gjatë në historinë e Ligës së Kampioneve. Futbollisti nga Bregu i Fildishtë, edhe pse vendimtar me 11-metërshin e tij, kërkon t’ia kushtojë këtë triumf të gjithë skuadrës së tij dhe protagonistëve të së kaluarës që dolën duarbosh nga aventura evropiane. “Në ato dy sekonda të goditjes së penalltisë përpara syve më parakaluan të gjitha momentet e përjetuara te Çelsi në tetë sezone.

Por në fund, kur pashë topin në rrjetë, të gjithë kishim mundësinë të fitonim dhe për pak sekonda mbeta i stepur, pasi ende nuk e besoja që ia kishim arritur një gjëje të tillë. E kisha thënë gjatë dhe pa frikë gjatë javëve përpara finales, ne jemi një skuadër që nuk dorëzohemi kurrë dhe dimë të ringjallemi në momentet më të vështira. Kjo skuadër është e jashtëzakonshme, fantastike dhe nuk e di se cili mund të jetë epiteti i saktë për ta përshkruar.

Kemi bërë një arritje historike, madhështore, e cila do të mbahet mend gjatë, por mbase vetëm pasi t’i kemi lënë pas këto emocione të suksesit do arrijmë të kuptojmë vërtetë se çfarë kemi bërë. Ky trofe është yni, por është edhe i gjithë trajnerëve dhe futbollistëve që në gjatë tetë viteve që unë jam pjesë e kësaj skuadre kanë luftuar dhe tentuar ta fitojnë Ligën e Kampioneve. Për mua kjo është një ndeshje me emocione të veçanta, sepse nëse mu deshëm vetëm pak sekonda për të shënuar brenda pak minuta u shndërrova nga një i urryer në hero. Shkaktova penalltinë ndaj Riberisë dhe më pas shënova penalltinë vendimtare.

Diçka e tillë ndodh vetëm në ëndrra, por mesa duket, Zoti e kishte shkruar që ky do të ishte viti ynë. Nuk kam frikë të them se i dashuroj këta djem, trajnerin dhe tifozët. Këtë gjë e them me shpirt dhe duhet ta besoni. Kujt ia dedikoj fitoren? Pa dyshim portierit tonë madhështor Peter Çeh, njeriu që priti penalltinë e Robenit, shkaktuar nga unë, dhe lojtarit vendimtar në aktin final të takimit”, – shprehu heroi Didier Drogba.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama