“Nuk kam vetëm një motiv, por disa. Nuk argëtohem më, shumë pilot thonë se kur ndodh diçka e tillë duan të tërhiqen, por nuk e bëjnë. Vazhdojnë të qëndrojnë për lekët, famën, por për mua këto nuk mjaftojnë. Gjithmonë kam ndjekur një ëndërr, të garojë në MotoGP, të fitoja një titull dhe tani që e kam arritur, zbulova se realiteti është ndryshe nga sa e imagjinoja”, ka thënë kampioni vetëm 26-vjeçar.
Më tej australiani rrëfen se është si fundi i një historie dashurie, për të cilën ishte impenjuar me mish e me shpirt, por që e ka zhgënjyer. “Ky nuk është më kampionati me të cilin isha dashuruar”, pohon ai, duke shtuar se rregullat i kanë ndryshuar pamje, duke e transformuar plotësisht. “Ky duhet të jetë kampionat i rezervuar për prototipa. Por tashmë me Crt nuk është më kështu, janë hedhur hapa pas. Mund ta fshehim, por në këtë moment ka dy kampionate paralele, njëri në krah të tjetri”, thotë Stones, duke theksuar se pasioni i është konsumuar garë pas gare, muaj pas muaj, derisa i është zhdukur plotësisht.
“Ky kampionat akuzohet se është i mërzitshëm, mungojnë betejat, ka pas njerëz të impenjuar dhe çdo gjë është e vërtetë. Por kështu ka qenë edhe para pesë vitesh, veçse tani nuk jemi të aftë të vlerësojmë më atë ç’ka kemi”, shprehet kampioni. Me tej ai rrëfen se vendimi është menduar kohë më parë, maturuar pak nga pak, derisa është konkretizuar dje. “Nuk ka lidhje as lindja e vajzës sime në janar të këtij viti, ndoshta kjo thjesht e lehtësojë marrjen e vendimit. E mendoj që prej vitit 2009, kur zbulova se në këtë botë mungon respekti për punën e tjetrit, se është shumë e lehtë të kritikosh. Gjithmonë ka pasur anë pozitive dhe negative, por nëse deri dje, të parat kalonin të dytat, sot raporti është përmbysur”.
Pas 13 vitesh gara, dy titujsh dhe 42 fitoresh, Stoner ka vendosur të heqë dorë. “Kam folur shumë herë me bashkëshorten time, Adriana dhe me familjen time. Gjithmonë kam thënë të vërtetën dhe tani nuk mund të heshtja më. Kam dhënë maksimumin gjatë gjithë karrierës sime, nuk jam kursyer kurrë dhe nuk do ta bëj deri në fund të sezonit. Kam marrë një impenjim me Hondën dhe skuadrën time, të cilën dua ta respektojë.
Nuk arrij ti shpjegoj emocionet e mia. Motorët kanë qenë gjithë jeta ime, deri më tani. Nuk di se çfarë do të lë në këtë botë, nuk më takon mua ta them. Kujtoj të gjitha betejat e mia, fitoret, janë fiksuar në mendjen time. Por nuk mund të vazhdojë. Mos flisni për një talent të shkuar dëm. Nuk e di nëse ndonjë pilot tjetër është tërhequr në moshë kaq të re sa unë, kur mund të kishte mundësi të fitonte shumë, por nuk pendohem. Thjesht ky është vendimi i duhur”, thotë duke përmbajtur lotët 26-vjeçari australian.











