Fatmir Mediu: Këto ligje nuk bëjnë gjë tjetër veçse thellojnë antikushtetutshmërinë, e cila është vendosur që në fillim të demokracisë shqiptare me ligjin 7501 dhe me ligjin 8350. Ligji krijon probleme jo pak të vogla. Ndaj ne duhet të marrim parasysh realitetin dhe jo duke luajtur me dy karta: nga njëra anë të bëjmë sikur mbështesim pronarët si politikë e majtë apo e djathtë, dhe nga ana tjetër t’u mbivendosim atyre në kurriz tituj pronësie që janë përfituar në mënyrë të padrejtë. Ky projektligj zvogëlon apo hedh poshtë mundësinë e kompensimit fizik. Nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të lirë në territorin e Shqipërisë. Kjo faturë e shlyerjes së detyrimeve të pronarëve është fare minimale dhe do të na duheshin rreth 3500 vjet për të kompensuar pronarët, pasi fatura financiare është rreth 30 miliardë dollarë, në bazë të kalkulimeve të metodologjisë sot.
Eduard Shalsi: Ministri i fundit që sapo foli, nuk e kuptoj se ç’bënë në këto 20 vjet me Berishën, ndërkohë që parimi mbi të cilin partia e tij është ngritur janë pronarët. Megjithëse Berisha është tallur dhe nuk ka zgjidhur asgjë, s’e kuptoj se si ky njeri vazhdon të jetë prapë me Sali Berishën. Dhe sot minimumi duhet t’u kërkonte një ndjesë të madhe atyre që e kanë votuar dhe shqiptarëve, sepse është në një aleancë pa kurrfarë parimi dhe ideali. Do kurajë që të dalësh nga një klan, nga një koalicion me të cilin nuk përputhet as boshti, mbi të cilin ti ke ngritur filozofinë e partisë tënde.
Mediu: Që Kuvendi ndonjëherë është kthyer në teatër absurd dhe qesharak, ku njerëz që nuk kanë as principe dhe as qëllime dhe nuk kanë përcjellë ndonjëherë asgjë, por dinë vetëm të drejtojnë gishtat dhe të kërkojnë përgjegjësi tek të tjerët, kjo nuk është hera e parë. Zoti Shalsi më kërkon të kërkoj falje. Unë që në ’91-in kam qenë për pronën private, kam qenë në grevë urie bashkë me pronarët, kam bërë Kushtetutën në favor të pronarëve, kam përcjellë 5 akte ligjore kur ju keni qenë në pushtet. Falje duhet të kërkoni ju që i keni burgosur; falje duhet të kërkoni ju që u keni marrë pronën; falje duhet t’u kërkoni ju që i keni quajtur bejlerë dhe agallarë; falje duhet t’u kërkoni ju që iu thoni se nuk i përkisni partisë sonë. Qenia ime në mazhorancë është se unë i përkas këtij krahu dhe nuk jam mësuar të kaloj gardhin. Kam familjen time që është e djathtë. Përpiquni njëherë të sqaroni pozicionin tuaj. Mos luani me dy këmbë, një andej-një këtej, jeni për pronarët apo për 7501…
Shalsi: Kam të drejtën për replikë.
Topalli: Jo nuk të takon për replikë. S’ka replikë për replikë. Nuk është punë qejfi, por është punë rregulloreje.
Shalsi: Të them të drejtën, nuk e kuptoj acarimin e Fatmir Mediut. Por dua të them një ndryshim të madh që kemi bashkë: ti ke 20 vjet në politikë dhe unë 2 vjet dhe nuk më bën përshtypje ajo që the më përpara. Ke qenë ministër në kohën kur Shqipërisë i ka ndodhur një fatkeqësi, duhet të ishe kokulur dhe syulur dhe nuk duhet të flisje. 26 veta janë vrarë dhe ke kurajë të më thuash mua për 20 vjet apo për të kaluarën. Turp të kesh, turp!
Topalli: Ky është kapërcim, ndaj është faji im që të dhashë 10-sekondëshin. Sa për Gërdecin, nëse ju e kishit fjalën, zotërinj ishit ju që propozuat për nënkryetar të KLD-së avokatin e Gërdecit. Absolutisht, ndaj kërko të falur një herë ne këtu deputetëve, të gjithë shqiptarëve, sepse i keni gënjyer tri vite rresht duke u thënë se ju ka vrarë qeveria, Jozefina, Fatmiri e të gjithë me radhë. Ndërkohë që gjykata tha se ishte aksident. Zotërinj kërkoni të falur, sepse na keni borxh të falurën. Na kërkoni të falur, sepse avokatin e Gërdecit ju e prutë si nënkryetar të KLD-së. Apo jeni në krizë të madhe morale? Jeni në krizë të madhe morale!
Mediu: Ty dhe gjithë të tjerëve, për herë të fundit po ju them vetëm kaq: të kishe pasur minimumin e kurajës që e kam për t’u përballur me drejtësinë. As një herë të vetme nuk kam hezituar dhe kam kërkuar të zbardhet ajo që ka ndodhur. Po nëse do ishe deputet këtu, duhet të kërkoje vërtet se çfarë ka ndodhur, në mënyrë që të mos bësh kukuvajkën për 26 viktimat, por të ndjeje dhimbjen reale. As e kam fshehur dhe as e fsheh ndonjëherë veten, por kur them që jeni kthyer në aktor absurd dhe karagjoz komedian në këtë Kuvend, e bëni vetëm për interes politik dhe asgjë tjetër. Pozicionin tim me Gërdecin e kam bërë më të qartë se kushdo tjetër. Kam vetëm një dhimbje dhe ajo është dhimbja morale për shkak se kam qenë në atë pozicion, pa pasur asnjë përgjegjësi ligjore. Dhe jam përballur me vite me radhë për atë çështje dhe me turpin tuaj për të akuzuar atë që nuk është e vërtetë.
Topalli: Iku zoti Shalsi. Ore në politikë, politika nuk është anti-moral. Në politikë ka moral. Në qoftë se ju i shihni të hidhta, mjerë ju për veten tuaj! Por në krizë morale që jeni more zotërinj, kriza më e madhe morale që politika ka pasur ndonjëherë në 20 vjet. Dhe pastaj ikni se s’jeni burra.











