Falënderimet Alegri e konsideron veten një trajner me fat por, mbi të gjitha, falënderon presidentin Berluskoni për mbështetjen dhe investimet në skuadër: “Raporti im me presidentin Berluskoni është tepër korrekt. Ai më ka siguruar se do di të ndërtojë një skuadër kompetitive në Evropë dhe unë po punoj së bashku me Galianin për ta shndërruar ëndrrën e tij në realitet”.
Largimi i Pirlos Masimiliano Alegri u është përgjigjur kështu gazetarëve të pranishëm, që e pyesnin mbi largimin e Pirlos: “Dy kampionate më parë e spostova Pirlon në të majtë, pasi në qendër kundërshtarët e markonin sistematikisht. Unë nuk e kam vënë kurrë në diskutim klasin e Andreas, por nuk isha i gatshëm ta vija të gjithë skuadrën në dispozicion të tij për ta mbrojtur dhe për t’i ofruar atij lirshmërinë për të vepruar me topin. Ndërsa te Juventusi ai po shkëlqen, pasi Konte i ka shndërruar mesfushorët e tij në ushtarë të Pirlos, në truproja të tij, kurse unë nuk e kisha luksin ta bëja këtë gjë, nuk mund të sakrifikoja të tjerë për të”.
E ardhmja Tekniku kuqezi duket i sigurt për sa i përket të ardhmes së tij: “Do qëndroj te Milani deri në fund të kontratës sime”. Pyetjes se cilin preferon ndërmjet Tevezit apo Balotelit, Alegri i përgjigjet shkurt: “Mario duhet të piqet akoma, ndërsa Tevez është një futbollist i kompletuar. Pastaj, te Milani nuk ka vend”. Faktikisht Alegri i ka piketuar tri shtyllat kryesore të Milanit të ri: “Do ta nisim gjithçka nga Ibra, Tiago dhe Boateng. Që të tre këta futbollistë janë e ardhmja e Milanit. Pastaj të mos harrojmë që kemi edhe Kasanon dhe Paton, tek të cilët kam shumë besim”.
Idetë e Alegrit Tekniku kuqezi, si rrallëherë, hedh dritë mbi formacionin e ardhshëm: “Montolivo luan në krah, por edhe përpara mbrojtjes. Alternativa tjetër është Muntari. Traore është një mesfushor krahu, Emanuelson duhet të rrisë nivelin e lojës së tij si mbrojtës krahu së bashku me De Shiljon. Mekses gëzon besimin tim, ndërsa pas sulmuesve kemi Boan dhe Robinjon”.
Lamtumirat Largimet e senatorëve kanë prekur edhe Alegrin: “Me largimin e atyre djemve Milani ka humbur shumë, por ne do vazhdojmë përpara. Tre janë rregullat që i kërkoj çdo futbollisti: puna, respekti, dhe edukata. Pastaj dihet që, lojtarë si Nesta lindin një herë në 50 vjet”.
“Pas vdekjes së Morozinit mendova tërheqjen time”
“Pas operacionit në zemër isha optimist, por kur pashë të vdisnin në fushë atletë si Vigor Bovalenta dhe Piermario Morozini mendova të hiqja dorë”. Kështu është shprehur sulmuesi i Milanit, Antonio Kasano, për revistën “Chi”: “Papritmas më iku dëshira për të bërë gjithçka. Ime shoqe u shqetësua shumë. Sepse rrija gjithë ditën i ulur mbi divan duke fiksuar murin. Doja t’i jepja fund me futbollin.
Dhe u thosha shpesh miqve të mi se po të kthehesha në fushë do përfundoja si Morozini i gjorë”. Mesa duket, barezi më pas gjeti forcat për të luftuar: “Kur mjekët më komunikuan se mund të luaja, qava. Nuk do ta harroj kurrë rikthimin tim në fushë. Ishte ndeshja Milan- Fiorentina dhe Alegri më tha: ‘Bëhu gati’. Këmbët më dridheshin si kurrë më parë. Por e ndjeja se po filloja të jetoja. Dhe kur u futa në fushë, isha njeriu më i lumtur në botë”. Sa i përket impenjimit të tij në kampionatin evropian, Kasano shton: “Prandeli ma ka bërë të ditur gjithmonë besimin e tij. Pikërisht falë tij nuk u dorëzova. Dhe tani ndihem gati. Shpresoj të jap maksimumin”,











