Sipas tij, Pep kishte marrë shpërblimin e një trajneri të suksesshëm, por ndihet i lodhur nga katër vite të vështira në krye të klubit katalanas. “Pep është i lodhur, absolutisht, nga mbingarkesa me punë. Ai ishte duke menduar për futbollin 24 orë në ditë. Gjithmonë mendonte për tifozët dhe njerëzit që kujdesen në lidhje me klubin. Kjo ishte një përgjegjësi e madhe për të, – tha Valenti, babai i Pep, duke folur për “Radio Catalunya”. – Unë nuk e di se çfarë do të bëjë tjetër në të ardhmen, por nuk mund të them se në një punë të re do të ketë angazhim të njëjtë me atë që tregoi në stolin e Barcelonës”.
Ndërkohë, Dolors Guardiola, nëna e Pep, ishte e impresionuar me lamtumirën e 41-vjeçarit, të cilën ia rezervoi Barcelona fundjavën e kaluar. “Lamtumira e tij nga Barcelona ishte shumë e bukur dhe prekëse. Kur Pep më tha se do të largohet nga Barcelona, kuptova se ai kishte nevojë për qetësi. Ishte një ndarje që dhemb, sepse Barça është Barça, por shëndeti vjen para çdo gjëje tjetër.”
Guardiola ka edhe dy ndeshje për t’i luajtur në krye të Barcelonës, teksa do të luajë ndeshjen e La Liga-s kundër Betis, të shtunën, para se të mbyllë gjithçka me Atletik Bilbao, në finalen e “Copa del Rey”, më 25 maj.











