Shanset - Duhet pranuar se teorikisht që të dyja skuadrat kanë shanse reale dhe të barabarta për ta fituar trofeun e Kupës. Duke qenë se ndeshja do të zhvillohet pas përfundimit të kampionatit, kjo në një farë mënyre qartëson edhe skuadrat, të cilat do kenë më shumë mundësi për të bërë llogari (nëse do duhet). Korçarët, me një organikë më se të kompletuar, pasi kanë eliminuar dje Kastriotin, do të mundohen që të mos stonojnë për herë të katërt në historinë e tyre në një finale të Kupës. Më përpara bardhekuqtë kanë qenë në finale në 1958-n, kur u mundën 4-0 nga Partizani, më 1965-n, ku janë munduar minimalisht nga Vllaznia dhe në 1976, ndaj Tiranës, ku kanë humbur në të dyja takimet 3-1 dhe 1-0. Kjo ka qenë në fakt edhe e vetmja herë kur këto skuadra janë ndeshur së bashku në kupë në një ndeshje finale. Nga ana tjetër, Tirana ka shkuar 23 herë (bashkë me të djeshmen) në finale, dhe 14 herë ka arritur ta bëjë të vetin këtë trofe: 1939, 1963, 1976, 1977, 1983, 1984, 1986, 1994, 1996, 1999, 2001, 2002, 2006 dhe 2011. Ndërkohë bardheblutë kanë dalë duarbosh në 1948, 1949, 1952, 1982, 1995, 2005, 2008 dhe 2009. Ndërsa kujtojmë se bardheblutë janë mbajtësit aktualë të trofeut, pasi e fituan vitin e kaluar në finale me Dinamon.
Llogaritë - Ekzistonte vetëm një mundësi që në lojë për Ligën e Evropës të mos futej vendi i katërt në renditjen e Superiores: nëse në finalen e kupës do të shkonte Kastrioti ose Flamurtari. Sakaq, me eliminimin e të dyja këtyre skuadrave, cilado që do ta fitojë trofeun e kupës, Skënderbeu apo Tirana, do t’i japë mundësi edhe skuadrës që do renditet në vend të katërt në fund të kampionatit të luajë në Ligën e Evropës. Në bazë të formulës së nxjerrë nga UEFA, Shqipëria përfaqësohet me një skuadër në Kupën e Kampioneve: fituesja e titullit, e cila e nis nga turi i dytë pre-eliminator; fituesja e kupës merr pjesë nga turi i dytë pre-eliminator në Ligën e Evropës dhe dy skuadrat e tjera, që renditen në pozicionet 2 dhe 3, luajnë nga turi i parë i Ligës së Evropës. Por, duke qenë se Tirana, e cila aktualisht renditet e treta në kampionat, do të marrë pjesë nëpërmjet kupës në Ligën e Evropës, atëherë vendin e saj në bazë të renditjes e merr skuadra që do të jetë në vend të katërt, aktualisht Flamurtari.
Rekordi korçar
Në edicionin e 1975-1976 të kupës ka dalë në finale skuadra e Skënderbeut dhe e Tiranës, nga ku më pas kupa u fitua nga bardheblutë. Por, ajo që bën përshtypje, është fakti se në atë sezon Skënderbeu merrte pjesë në Kategorinë e Dytë në kampionat, ndaj deri tani është e vetmja skuadër në gjithë historinë e futbollit shqiptar që, megjithëse ishte në një kategori inferiore, arriti të dilte në finalen e kupës.
Rubio: Më pëlqen ta kem përballë Skënderbeun
Trajneri spanjoll, Hulian Rubio, u shpreh mjaft i lumtur për kalimin në finale. “Ajo që më intereson më shumë është kalimi në finale. Për sa i përket kundërshtarit, mund të them se më pëlqen të përballem sërish ndaj Skënderbeut, por për mua ishte më e rëndësishme të mbërrija njëherë në finale. Nuk e di se çfarë rëndësie i jepet kupës këtu, por në Spanjë ka ekipe që luajnë vetëm për Kupën e Mbretit. Kemi dy muaj që kemi siguruar një vend në Evropë, pasi diferenca në pikë na e ka mundësuar këtë. Për ndeshjen e sotme (djeshme) mund të them se jam i kënaqur, por mos harroni se vinim nga një takim që na dha goditje morale. Përballja ishte e fortë, pasi Flamurtari nuk është një ekip i fundit i tabelës. Po të kishin kaluar ata të parët në avantazh, atëherë do të ishim shumë nervozë. Me sezonin që kemi bërë deri tani, përfshirë edhe problemet, mendoj se kemi bërë një punë të mirë. Me këto muaj që kam kaluar në Shqipëri, kam parë shumë gjëra që nuk do më lënë më të jem i qetë”, – përfundoi Rubio.
Levi në delir: Por, na pret një finale në… Vlorë
Trajneri i Skënderbeut, Stanislav Levi, nuk e ka fshehur pas ndeshjes gëzimin e tij për arritjen në finalen e kupës. “Qëllimi ynë ishte të shkonim në finale dhe ne atë sot (dje) e realizuam. Edhe pse ekipi nuk u paraqit ashtu siç unë do të dëshiroja, e rëndësishme është që u kualifikuam. Ky është fakti që na gëzon më shumë. Për sa i takon ndeshjes tjetër të radhës në kampionat, mendoj se na pret një tjetër finale në Vlorë. Deri në fund do të luajmë ndeshje shumë të rëndësishme për fatet tona. Ndërkohë, në lidhje me vendin ku do të zhvillohet finalja e kupës, duke qenë se do të luhet ndaj Tiranës, nuk na përket ne të vendosim nëse do të luhet në kryeqytet apo ndonjë qytet tjetër. Kudo që të vendoset për të luajtur, ne do të luajmë për fitore”, deklaroi Levi.











