Celsi caktivizon Barcelonen vendos goli i Drogbase

Celsi 'caktivizon' Barcelonen, vendos goli i Drogbase
Apoteozë e cinizmit. Kështu mund të përcaktohet e shpjegohet fitorja 1-0 e Celsit kundër Barcelonës në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve. Nuk ishte “Iniestazo” këtë herë, por historia ishte afër përsëritjes. Topi i goditur nga Pedro është ndalur në shtyllën e majtë të Ceh, teksa kronometri i gjyqtarit shënonte minutën e 93-të të ndeshjes. Për pak shohim situatë të njëjtë me atë të vitit 2009, cka ka kulmuar ankthin e të gjithë tifozëve britanikë, por fati – këtë herë – donte të kthehej me blutë e Londrës. Për disa kjo është fitorja e antifutbollit.

Fakti se Celsi thjesht mendoi për t’u mbrojtur në gjysmëfushën e vet gjatë gjithë lojës, e shpërbleu “katenacion” e Di Mateos. Për të tjerët, kjo është mënyra e vetme për të ndaluar një ushtri (pothuajse) të pamposhtur, si ajo katalanase. Mbrojtje hermetike dhe kundërsulm, ishte menuja e londinezëve ndaj Barcelonës në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampioneve. Skuadra e Guardiolë krijoi dhe “bluajti” mundësi për nëntëdhjetë minuta të tëra, por e la “Stamford Bridge” e mposhtur nga ai gol i minutës së 45+2, realizuar nga Drogba. Një fitore minimale, por që ndez adrenalinën e londinezëve të Di Mateos për të qenë ata në finale e “Allianz Arena”.

Herën e fundit që e kishim parë në fushën e lojës kundër Barcelonës e kishim lënë më të nervozuar se kurrë, ofendime të ashpra kundër arbitrit Ovrebo dhe gjeste të turpshme përballë telekamerave të të gjithë botës, pas golit që Iniesta shënoi në minutën e 93-të të takimit, i cili i dërgoi katalanasit në finalen e Ligës së Kampioneve 2009. Por, këtë herë Didier Drogbanë e rigjejmë më të buzëqeshur se kurrë, sepse i takon atij të firmosë golin e hakmarrjes ndaj Barcelonës. Në “Stamford Bridge”, në një ndeshje të kontrolluar totalisht në mbrojtje, Çelsi arrin të marrë maksimumin e tij, fiton 1-0 në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampioneve dhe, nga ana tjetër, shijon Barcelonën që “qan” rastet e saj të shumta për të shënuar, një traversë dhe një shtyllë e goditur dhe të paktën 5 raste flagrante për gol.

Mbrojtje “bunker” - Përpara ndeshjes, të gjithë e kishin pyetur veten se cila do të ishte skema që trajneri italian Di Mateo do të përdorte për t’i mundur katalanasit. Por, me fillimin e takimit, edhe pse në letër vendosja e lojtarëve korrespondon në shifra 4-3-3, në fushën e lojës dallohet qartë që vetëm Drogba është lojtari i avancuar, ndërsa të tjerët janë të gjithë pas vijës së mesfushës, e njëjta metodë që kishte përdorur në 2009-ën Gus Hidink. Me pak fjalë, një katenaço alla italiane për një teknik italian që ka ditur t’i japë shkëlqim një Çelsi që, deri një muaj më parë, dukej në krizë totale. Nga ana tjetër, Guardiola nuk ka frikë të rreshtojë të paktën 5 lojtarë me tipare sulmuese, mes të cilëve është Fabregasin, por pavarësisht kësaj, të gjithë, përfshirë edhe “magjistarin” Mesi duken jashtë forme. Në mbrojtje mungon gjigandi Pike dhe mesa duket kjo zgjedhje u pagua disi shtrenjtë nga kampionët e Evropës në fuqi.

Shpërdorime pa fund - Që taktika e mbrojtjes së hekurt të funksionojë nevojiten tre gjëra: vëmendje maksimale, pak fat i keq që të ndalë Barcelonën dhe të konkretizosh rastet minimale që të krijosh. Dhe Çelsi në pjesën e parë e zbaton këtë recetë me përpikëri, sepse shifrat thonë që blutë e zotëruan sferën në 46 minutat e para vetëm në 30 për qind të kohës. Skuadra e Di Mateos dridhet vetëm pas 9 minutash lojë, kur Sançez trondit traversën, ndërsa brenda pak sekondash Fabregas shpërdoron dy raste të pastra për gol, i vetëm përballë portierit Çeh, i cili ka kohë të festojë vetëm në sekondat e fundit të kësaj pjesë.

Njeriu që i dhuron disa momente feste Çelsit është as më shumë e as më pak se Lionel Mesi. Argjentinasi humb topin në mesfushë, Lampard e rikuperon atë dhe pason shpejt në të majtë për Ramiresin, i cili kontrollon saktë dhe hedh në qendër të zonës pasimin perfekt për këmbët e një “vrasësi” si Drogba, i cili nuk mund të gabojë i vetëm përballë Valdesit. Ishte minuta e dytë e kohës shtesë dhe Barça u drejtohet dhomave të zhveshjes më e mërzitur se kurrë, por edhe plot frikë, pasi “aroma” e hakmarrjes ka mbështjellë Londrën.

Gabime dhe shtylla - Pjesa e dytë e takimit nis me një Mesi më të karikuar se kurrë, sepse “Topi i Artë” e di që faj në disavantazhin e ekipit ka edhe ai, ndaj që në sekondat e para kërkon të shlyejë gabimin. Por, edhe pse numri 10 i Barcelonës arrin në dy raste ta vërë në punë të gjithë cilësitë e tij, topi duket se nuk u përgjigjet komandave të spanjollëve dhe Barça nis të kuptojë më mirë sesi do të përfundojë ky takim. Bindja bëhet edhe më e plotë kur sërish Sançez, pas traversës së goditur nuk shndërron në gol asistin perfekt të Fabregasit, dhe i vetëm përballë portës gabon sërish në mënyrë flagrante.

Guardiola nis të dridhet dhe provon të gjitha alternativat që ka në stol për t’i dhënë efikasitet sulmit të tij. Në fushë zbresin Kuensa dhe Pedro, por edhe këtij të fundit festimi për gol do t’i mbësë në tentativë, sepse në minutën e 93-të, lojtari që zëvendësoi Sançezin do të bëjë të njëjtën figurë si kiliani. Pedro godet me të gjithë forcën që ka në këmbët e tij, por edhe këtë herë, topi thotë jo, sepse ai do përfundojë vetëm në shtyllë, ndërsa Buskets do ta dërgojë karambolimin e sferës në këmbët e tij jashtë kuadratit, edhe pse ai ishte i boshatisur. Një mbrëmje e pafat për Barcelonën, e cila nis të trembet disi, edhe pse për të gëlltitur frikën e djeshme ka 6 ditë kohë, kur Çelsi do rikthehet në “Kamp Nou”, për të kërkuar kompletimin e hakmarrjes, edhe pse Mesi me shokë nuk dorëzohen kaq lehtë.

“Tashmë Çelsi ka 50% shanse për kualifikim”

Trajneri i Çelsit mendon se skuadra e tij ka arritur të barazojë shanset për kualifikim me rivalët e Barcelonës. “Kemi bërë një ndeshje thuajse perfekte. Të gjithë e dinë forcën e Barcelonës, por ne arritëm të fitojmë pa pësuar asnjë gol. Ata janë shumë të rrezikshëm në sulm dhe dominojnë në zotërimin e topit. Ishim të detyruar që të mbroheshim gjatë gjithë kohës dhe të mos gabonim në rastet që do krijonim në sulm.

Gjithçka shkoi siç duhej dhe jam me të vërtetë i lumtur. Tani shanset për kualifikim janë 50-50, pasi më patë ishin 70-30″, – deklaroi Di Mateo. Ndërkohë, për sa i përket të ardhmes së tij, nëse do vazhdojë të qëndrojë në krye të skuadrës po të sigurojë finalen, ai shtoi: “Unë nuk kam provuar asgjë nga aftësitë e mia drejtuese. M’u besua ekipi gjatë kësaj periudhe dhe po mundohem që të arrijmë rezultate pozitive. Nëse po fitojmë, ndodh se lojtarët luajnë me zemër në fushën e lojës”, – shtoi ai. Di Mateo mori drejtimin pas shkarkimit të Vilas Boasit, por po shihet si një kandidat i fortë për të drejtuar ekipin edhe sezonin e ardhshëm.

Guardiola: Luajtëm kundër 10 mbrojtësve

Pep Guardiola e pranon se kanë pësuar një humbje të rrezikshme për sa i përket kualifikimit, ndërkohë që kritikon rastet e shpërdoruara nga futbollistët e tij. “Prisnim që Çelsi të guxonte më shumë në fushë dhe rrjedhimisht ne do kishim hapësira në sulm. Gjithsesi, kemi luajtur kundër 10 mbrojtësve dhe kjo na e vështirësoi shumë punën. Kundërshtari mendoi vetëm për të mos pësuar gol dhe u mbrojtën me të gjitha forcat. Por ne arritëm që, pavarësisht vështirësive, të krijonim raste të mira për shënim. Finalizimi nuk ishte i saktë dhe kjo na pengoi për të mos shënuar asnjëherë në Londër. Të shkosh 24 herë para portës kundërshtare, të gjuash mjaft herë dhe të mos festosh asnjë gol, sigurisht që është problem. Anglezët kanë një virtyt që ne nuk e kemi, pikërisht finalizimin”, – deklaroi Guardiola. Trajneri i katalanasve pranon se kualifikimi nuk është një objektiv i lehtë, por që janë të detyruar ta përmbysin në fushën e tyre. “Humbja 1-0 është me të vërtetë e rrezikshme për kualifikimin, pasi na dënon edhe fakti që nuk kemi shënuar në fushën kundërshtare. Gjithsesi, ne duhet të fitojmë bindshëm në shtëpi dhe jemi të detyruar ta bëjmë, pasi luajmë para tifozëve tanë. Është e vetmja mënyrë për të shkuar në finale dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse të japim maksimumin”, – shtoi 41-vjeçari. Në fundjavë, atë e pret sfida kundër Realit të Madridit, por ai nuk dëshiroi të komentojë gjatë: “Është një tjetër sfidë tepër e rëndësishme, e cila vulos fatet tona për titullin kampion. Gjithsesi, për momentin do merremi me analizën e gabimeve që bëmë kundër Çelsit dhe më pas do të nisim përgatitjet për duelin e së shtunës”. Barcelona do luajë të gjithë sezonin brenda pak ditësh, pasi luan kundër rivalëve për titullin kampion në Spanjë këtë fundjavë dhe më pas ka ndeshjen e kthimit ndaj Çelsit, e cila vulos kualifikimin për në finalen e Champions-it.

“Shpërdoruam, por do e përmbysim në shtëpi”

Andres Iniesta ka fajësuar rastet e shpërdoruara për humbjen ndaj Çelsit, gjithsesi shprehet optimist për kualifikimin në finale. “Ne e dinim që Çelsi është një skuadër që mbrohet shumë mirë dhe i shfrytëzon maksimalisht rastet që krijon. Kjo ndodhi edhe në këtë ndeshje, gjithsesi ne patëm mjaft mundësi për të shënuar, por nuk u treguam të saktë para portës”, – tha Iniesta. Mesfushori shtoi se në “Kamp Nou”, gjithçka do të jetë më e lehtë për ta. “Ne do të kemi publikun në favorin tonë dhe do luajmë në një ambient tepër të rehatshëm. Kjo do na japë mundësinë që të përmbysim humbjen e pësuar në Londër dhe që të shkojmë në finale. Jam optimist”, – u shpreh ai.

“Fitore fantastike e Çelsit”

Didier Drogba shprehet shumë i lumtur për fitoren e arritur dhe mendon se skuadra e tij e ka kaluar me sukses gjysmën e rrugës për në finalen e Champions-it. “Kishim përballë një nga ekipet më të forta në botë, por arritëm të përballojmë me sukses çdo gjë. U mbrojtëm shumë mirë dhe shënuam. Morëm një fitore fantastike, pasi nuk pësuam asnjë gol në fushën tonë. Jam shumë i lumtur, sepse e kemi kaluar me sukses gjysmën e rrugës që na çon në finale. Gjysma tjetër është akoma më e vështirë, por ne kemi të gjithë besim”, – deklaroi heroi i fitores së bluve të Londrës, Drogba.

Mata: Barça dominoi

Mesfushori spanjoll i Çelsit, Huan Mata, e pranon se Barcelona dominoi në fushën e lojës. “Ata ishin superiorë, arritën të krijojnë më shumë raste për shënim dhe të dominojnë në mbajtjen e topit. Gjithsesi, ne nuk gabuam para portës dhe siguruam një fitore të shkëlqyer. Tani, ta çojmë deri në fund misionin tonë”, – u shpreh Huan Mata.

“Patëm shumë durim në fushë”

Kapiteni i Çelsit, Xhon Terri, rrëfen sekretin që i dërgoi te fitorja ndaj Barcelonës. “U munduam të parashikonim çdo gjë, por ajo që na ndihmoi për të marrë fitoren ishte se u treguam të duruar. Kundërshtari dominoi qartë në zotërimin e topit, por ne nuk u shpërqendruam dhe i lejuam që ata të praktikonin taktikën e tyre. Presingu dhe qetësia e mesfushorëve, së bashku me saktësinë në finalizim nga ana e Drogbasë na dhuruan një sukses tepër të rëndësishëm në shtëpi”, – tha Xhon Terri.

“Krenarë, që nuk pësuam gol”

Mbrojtësi Geri Kahill ishte një nga më të mirët në fushën e lojës, duke ndaluar jo pak aksione të rrezikshme të kundërshtarit. Ai ndihet krenar që nuk pësuan asnjë gol ndaj një skuadre si Barcelona. “Të gjithë e dinë se sa të aftë janë sulmuesit e Barçës dhe synimi ynë ishte që të mos pësonim gol. Ndihemi krenarë që e ruajtëm të paprekur portën, pasi kemi bërë me të vërtetë një punë të madhe. Tashmë nuk na ngelet gjë tjetër veçse ta bëjmë edhe në transfertë”, – deklaroi Kahill, i cili luajti si titullar për shkak se u dëmtua David Luiz.

Tom Ovrebo: Para sfidës mora një tjetër kërcënim

Tom Hening Ovrebo, arbitri norvegjez i gjysmëfinales problematike të vitit 2009 mes Çelsit dhe Barcelonës, vazhdon t’i vuajë gabimet e tij, që në fund kualifikuan katalanasit. “Bilbili” i tërhequr edhe pas tri vitesh vazhdon të marrë rregullisht kërcënime për jetën e tij dhe i fundit ka ardhur mëngjesin e djeshëm, pak orë përpara Çelsi- Barcelona. Gjithsesi, Ovrebo tashmë është mësuar me këto letra dhe thekson: “Kërcënimet me vdekje janë bërë diçka normale për jetën time, qoftë me letra, në adresën personale, e kudo tjetër, ndonëse secilën prej tyre i hedh në kosh, ose i fshij. Unë i kam pranuar gabimet e mia dhe mbase tani ka ardhur koha që ta harrojmë këtë episod”, – theksoi ish-gjyqtari norvegjez.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama