Peshëngritësit e kthyer në Shqipëri me medalje nga Turqia, kërkojnë mbështetje nga shteti shqiptar. Kampioni i Europës, Erkand Qerimaj, nënkampionia e Europës, Romela Begaj, dhe peshëngritëset e tjera shqiptare pjesëmarrëse në kampionatin europian të zhvilluar në Turqi kërkojnë nga shteti shqiptar mbështetje financiare për të shtuar suksese edhe më të mëdha në arenën ndërkombëtare. Në takimin e djeshëm në Ministrinë e Kulturës, të ftuar nga ministri Aldo Bumçi në një ceremoni, kanë replikuar drejtpërdrejtë. Bumçi i është përgjigjur edhe një kërkese tjetër të peshëngritësve për t’u shpërblyer financiarisht. Sipas ministrit, zgjidhja e vetme mund të jetë gjetja e një marrëveshje mes MTKRS dhe federatës së peshëngritësve, duke lënë të nënkuptohet se nuk mund të bëhet fjalë për një ndryshim të vendimit të Këshillit të Ministrave që lë jashtë shpërblimit financiar të gjithë peshëngritësit që marrin medalje vetëm në stile të veçanta, çka duket se ka kënaqur edhe vetë peshëngritësit.