“Nuk kemi nevojë për polemika, që për më tepër nuk kanë qenë kurrë pjesë e karrierës sime. Por, ëndërroja që ta mbyllja karrierën tek Juventusi, sepse këto 20 vjet që jam këtu, kanë qenë të mbushura me emocione, me momente të jashtëzakonshme dhe disa herë edhe të vështira. Por tashmë gjërat kanë ndryshuar”, shprehet me keqardhje njeriu që tashmë identifikohet me historinë e Juventusit.
“Anjeli më habiti me deklaratën e tij që ky është sezoni i fundit imi tek Juventusi. Por, një kapiten nuk duhet të harrojë detyrën e tij dhe atë që përfaqëson. Ky ka qenë sezoni më i vështirë i jetës sime, sepse u vura përballë një realiteti që nuk e kam njohur kurrë gjatë këtyre 20 viteve: realiteti i të luajturit pak ose fare”, vijon më tej deklaratën e tij Del Piero.
Tifozët bardhezinj ëndërrojnë që Del Piero të vazhdojë të luajë edhe sezonin e ardhshëm me bardhezinjtë, por kjo deklaratë është më shumë se një njoftim lamtumire. Për më tepër që drejtuesit e Juventusit nuk kanë dhënë ndonjë shenjë për rinovimin e kontratës së tij edhe për sezonin e ardhshëm.











