Gomez i jep fitoren Bajernit Mourinjo nuk e ben drame

Gomez i jep fitoren Bajernit, Mourinjo nuk e ben drame
Mario Gomez i jep fitoren “in extremis” Bajernit të Mynihut në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampioneve. Sfida e luajtur në “Allianz Arena” të martën në mbrëmje, mes Bajernit të Mynihut dhe Realit të Madridit ka përfunduar në favor të vendësve 2-1. Një lojë me luftë të fortë sportive, shpeshherë është shoqëruar edhe me ndërhyrje të gabuara, cka duket në numrin e kartonëve të verdhë, plot 9 të tillë, të akorduar nga kryesori anglez Howard Web, i cili ka qenë perfekt në vërshëllimat e tij. Bavarezët e kanë nisur sfidën me besim në forcat e tyre, teksa janë orientuar drejt portës së Kasijasit, për të shënuar sa më shpejt. Mirëpo, ndeshin në një prapavijë tepër solide dhe të mirëvendosur të madrilenëve, që me Pepen dhe Ramos futin në darë sulmuesin kryesor vendës, Mario Gomez. Në këtë pikë, formacioni i Mourinjos arrin të caktivizojë rrezikun kryesor të Bajernit, sa i përket repartit të sulmit. Megjithatë, nuk ia del dot të mbulojë ndoshta lojtarin më të mirë në fushë, në këtë ndeshje, francezin Riberi, që shkëlqen.

Murinjo s’e bën dramë: E përmbysim në kthim

Zhoze Murinjo nuk është shumë i zh gënjyer pas humbjes së pësuar në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampioneve kundër Bajernit të Mynihut. Sipas teknikut portugez, një rezultat minimal, me një gol madrilen të shënuar në transfertë, nuk është aq dramatike. “Në çdo moment të lojës e kam analizuar në detaje paraqitjen tonë dhe të them të drejtën nuk kam një ndjenjë negative. Ndryshe nga sezoni i kaluar, kur të gjithë e pamë sesi humbëm, sivjet kemi ende të gjitha mundësitë për të avancuar më tej. Po fajësoni Barçën dhe arbitrat? Guardiola është një person, një trajner i zgjuar dhe ai e di mirë sesi i ka fituar vjet e sivjet disa ndeshje në kampionat dhe në Ligën e Kampioneve. Ndeshja? Zhvilluam një lojë pozitive, nga e cila nuk mendoj se meritonim të humbnin dhe gjithashtu nuk mendoj se Koentrao ishte më i dobëti në fushë siç thekson media, e cila e fajëson atë për pësimin e golit të dytë. Rezultati 2-1 në të tilla nivele është më se i pranueshëm, prandaj në sfidën e kthimit i kemi të gjithë shanset për të kaluar. Një përmbysje e vështirë? E njohim forcën e Bajernit, por kjo nuk do të thotë që na nevojitet të luajmë ndeshjen e shekullit për të përmbysur gjithçka në favorin tonë. Në kthim do të luajmë në stadiumin dhe përballë tifozerisë sonë, ndaj gjithçka mund të ndryshojë shumë shpejt. Rezultat i padrejtë? Nuk dua t’i heq meritat Bajernit, por e pashë me vëmendje golin e parë të shënuar prej tyre dhe të jem realist, dukej në pozicion jashtë loje. Gjithsesi, këto janë gabime normale të arbitrave dhe nuk ka nevojë për të thënë më shumë se kaq”, – e përfundoi Zhoze Murinjo deklaratën e tij për shtyp.

Hejnkes: Reali luajti vetëm 15 minuta, e merituam!

Trajneri i Bajernit të Mynihut, Jup Hejnkes, është i lumtur me fitoren 2-1 kundër gjigandëve spanjollë, por nuk kërkon të shtojë më shumë se kaq. “Mendoj se Reali e nisi shumë mirë ndeshjen dhe në 15 minutat e para na vuri në vështirësi. Por ne ditëm ta rimarrim shumë shpejt lojën në dorë dhe e menaxhuam pozitivisht atë deri në fund. Mbase humbën ndonjë rast më shumë për gol, por në fund Gomezi i shleu gabimet e tij dhe jam i lumtur për punën e bërë në fushë. Përgjithësisht fitorja ishte e merituar, por kjo nuk do të thotë se me këtë sukses kemi arritur objektivin tonë. Arbitri? Është e kotë të flasësh për të, pasi ka përfunduar takimi. Madje, edhe mbi kartonin e kuq të shumëkërkuar nga lojtarët e mi për Marselon, mendoj se arbitri veproi drejt. E verdha për të ishte e mjaftueshme, ndonëse mund të kishte vajtur keq për Mylerin. E rëndësishme është që në fund fituam dhe tani kemi disa ditë kohë për të përgatitur ndeshjen e kthimit në Madrid, e cila do të jetë shumë herë më e vështirë sesa kjo fitore e jona. Reali dhe Murinjo nuk do të dorëzohen lehtë, ndaj mos festojmë përpara kohe”.

Rumenige e kap me arbitrin

Karl Hainc-Rumenige është shprehur i pakënaqur për arbitrimin nga ana e Houard Ueb. “Ishte një ndeshje shumë emocionuese dhe e bukur. U luajt një futboll cilësor, por duhej caktuar një arbitër më i mirë se Ueb. Në Evropë ka gjyqtarë shumë të mirë dhe më kualitativë se ai që arbitroi këtë sfidë”, – deklaroi Rumenige. Në fakt, Ueb u kontestua nga bavarezët që para fillimit të ndeshjes.

“Jam i lumtur, ia dolëm mbanë”

Heroi i Bajernit në ndeshjen e djeshme, Mario Gomez, shprehet shumë i kënaqur me rezultatin dhe optimist për kualifikimin në finale. “Ishte e rëndësishme që të fitonim në ndeshjen e parë dhe ne ia dolëm mbanë. Jam i lumtur që arrita të shënoj golin e fitores, gjithsesi duhet të ruajmë përqendrimin pasi na pret një sfidë akoma më e vështirë në transfertë. Jemi optimistë për kualifikimin në finale, pasi na mjaftojnë dy nga tre rezultate të mundshme”, – deklaroi bomberi gjerman, i cili shpërdoroi disa raste të pastra, para se të shënonte golin e fitores.

Ozil siguron: Kalojmë ne në finale

Mesut Ozil, mesfushori turko-gjerman i Realit, autori i golit të barazimit për spanjollët, është i dëshpëruar për humbjen, ndonëse është i bindur se finalja do jetë e tij: “Nuk mendoj se luajtëm aq keq sa për ta merituar humbjen. Mendoj se barazimi do të kishte qenë rezultati i duhur, por kjo nuk i ndryshon planet tona për ndeshjen e kthimit. Unë jam i bindur se në Madrid përmbysim gjithçka dhe finalja do të jetë e jona. Stadiumi i Mynihut? Ishte bukur të luaja këtu, por ne do të kthehemi sërish për finalen”.

Butragenjo: Jam i kënaqur

Emilio Butragenjo e ka cilësuar si pozitive humbjen 2-1 në transfertë ndaj Bajernit të Mynihut, duke vlerësuar golin e shënuar në fushë kundërshtare. “Morëm një rezultat pozitiv, duke ditur vështirësinë e kësaj ndeshjeje. Skuadrës i mjafton një fitore 1-0 për të siguruar finalen, pasi arritëm të shënojmë gol në Mynih. Mendoj se Reali do ia dalë mbanë në ndeshjen e kthimit”, – tha Butragenjo.

Kasijas: Realizuam vetëm një objektiv

Kapiteni i Realit të Madridit deklaron se skuadra e tij realizoi vetëm njërin prej dy synimeve që kishin për ndeshjen kundër Bajernit. “Ne e dinim që do të ishte e vështirë, pasi Bajerni ka futbollistë shumë cilësorë. Kishim dy objektiva, që të shënonim gol në fushën kundërshtare dhe që ta fitonim ndeshjen. Realizuam vetëm njërin. Tani duhet të fitojmë patjetër në shtëpi”, – tha Kasijas.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama