Mister, jeni shprehur vazhdimisht kohët e fundit se jeni në kërkim të disa lojtarëve të rinj. A mund të na thoni se cili prej tyre ju ka pëlqyer së fundmi?
Ju doni emra dhe të dhëna lojtarësh apo jo?
Po, kjo është ideja…
Atëherë harrojini, nuk ju them asnjë emër të ri. Ndryshe, nesër do të bëni namin me titujt e gazetave. E kam seriozisht!
Dakord, por publiku është i interesuar të dijë se çfarë po bën trajneri i Kombëtares dhe në ç’pikë jemi me lojtarët e rinj. Ju, nuk besoj se doni që ta injoroni publikun, apo jo?
Jo, kurrsesi jo. Unë mund t’ju them se gjatë gjithë kohës kam qenë në udhëtim së bashku me pjesëtarë të stafit tim. Kam parë deri tani pjesën dërrmuese të lojtarëve me të cilët punoi Kuzhe dhe po përpiqem të ndërtoj një ide të qartë në kokë për mundësitë që kemi. Kam parë gjithashtu nga afër disa lojtarë të rinj që janë rritur dhe luajnë jashtë. Për mua, pak rëndësi ka nëse janë shqiptarë, apo kosovarë. Unë dua që ata të kenë mundësi të pajisen me dokumentet e nevojshme dhe të jenë të disponueshëm për ekipin përfaqësues. Por, nëse unë nuk jap emra, këtë nuk e bëj për kapriço, por për të ruajtur disa balanca, pasi puna ime nuk fokusohet vetëm tek disa emra apo disa lojtarë, por në një listë të gjatë futbollistësh që ne po i shohim dhe po i monitorojmë në mënyrë konstante.
A keni dëgjuar për Mërgim Mavrajn?
Po, po kam dëgjuar për të, madje e kam vëzhguar nga afër rreth dy muaj e gjysmë më parë. Po, ai djalë ka një potencial të madh dhe mendoj se Shqipërisë mund t’i bënte punë. Me sa di unë, ka ecur mjaft mirë te Grojter Furt dhe kryeson Bundesligën 2 me këtë skuadër.
Po, por ai refuzoi disa herë Shqipërinë, ndërkohë që vetëm pak kohë më parë kërkoi ndjesë dhe u lut për një shans të dytë…
Po, e di edhe këtë sepse ma tha edhe mua kur e takova. Mua më la një përshtypje të mirë fakti që ai dëshironte vërtet që të luante me Shqipërinë. Duka iu përgjigj në distancë se afrimi apo jo në Kombëtare ishte një vendim që duhej ta merrnit ju.
A ka shanse që ju ta grumbulloni atë?
Unë gjithnjë jam me parimin se çdo futbollist që mund t’i shërbejë skuadrës për ta ndihmuar atë dhe për të përmirësuar nivelin e grupit, do të jetë i mirëpritur. Besoj se jam i qartë.
Po Burim Kukeli që luan te Luzerna?
Po, e kam parë edhe atë nga afër dhe më ka pëlqyer. Është një mesfushor i mirë dhe mund t’i shërbejë skuadrës sonë. Me sa di unë, ai ka edhe avantazhin se nuk ka luajtur kurrë me Zvicrën dhe kjo i lehtëson mundësitë që ai të pajiset me pasaportë shqiptare.
A jeni i shqetësuar për dëmtimet e shumta të futbollistëve të Kombëtares?
Po, jam disi i shqetësuar. Dëmtimi i gjatë i Canës, më pas edhe i Ujkanit, pastaj Vangjeli. Këto gjëra realisht të prishin punë. Për të mos harruar këtu edhe Debatik Currin, një mesfushor që përshtatet në disa role, por që periudhën e fundit ka pasur shumë probleme. Gjithsesi, unë mbetem optimist.
A e keni parë Canën në ndeshjet e fundit?
Lorikun e pashë nga fillimi deri në fund në ndeshjen kundër Juventusit dhe më pëlqeu. Nëse marrim në konsideratë faktin që qëndroi dy muaj jashtë fushave, mendoj se bëri një paraqitje shumë të mirë. Më vjen shumë keq për Samirin (Ujkanin). Ai djalë ka qenë i shkëlqyer këtë sezon, por është dëmtuar dy herë në momentin e tij më të mirë.
Nuk është përcaktuar ende një ndeshje miqësore në fund të majit. Ju duhet patjetër kjo ndeshje?
Po, pa dyshim që më duhet një ndeshje miqësore. Na duhet të testojmë skuadrën, na duhet që të punojmë pak më shumë bashkë. Sigurisht që më duhet.
Bëhet fjalë për Kinën ose Arabinë Saudite si kundërshtare të mundshme, apo jo?
Po, Kina është një skuadër me të cilën FSHF-ja ka pasur kontakte, por ka edhe skuadra të tjera.
A do ta thërrisni portierin Etrit Berisha për miqësoren në fund të majit?
Po, mendoj se po. Doja që ta merrja që në miqësoren kundër Gjeorgjisë, por nuk mundëm, sepse nuk kishte pasaportë shqiptare.
Ju shqetëson fakti që Salihi dhe Berisha luajnë në dy vende shumë të largëta?
Jo edhe aq. Mjafton që ata të jenë në formë të mirë. Salihi nuk ka nevojë për shumë komente, mjafton që të jetë në formë të mirë fizike dhe të luajë rregullisht, ndërsa Berishën e kam nën vëzhgim dhe dua edhe pak kohë për të.
Bogdani a bën pjesë në planet tuaja?
Po, sigurisht që është pjesë e planeve të mia.
A jeni i kënaqur me sulmuesit shqiptarë?
Po, mendoj se reparti i sulmit është ai që ka më shumë alternativa. Është Salihi, Çani, Bogdani, Januzi, Sadiku.
A mendoni se problemi ynë më i madh është mesfusha?
Shikoni, në futbollin modern mesfusha është motori i një skuadre. Sigurisht që të gjitha repartet duhet të jenë të kompletuara, por mendoj se mesfusha bën diferencën, sepse mbështet si mbrojtjen dhe sulmin. Shqipëria ka lojtarë cilësorë në këtë repart, por gjykoj se duhet të punojmë akoma më shumë për të përmirësuar edhe më tepër. Na nevojiten më tepër garanci nga mesfusha.
Ju vjen keq që nuk mundëm të luanim kundër Spanjës?
Po dhe jo. Më vjen pak keq, sepse humbëm shansin të luanim kundër kampionëve të Botës, por më vjen edhe pak mirë se evituam një humbje thuajse të sigurt… (qesh).
ÇFARË THA MAVRAJ
Mërgim Mavraj refuzoi disa herë Shqipërinë, edhe pse FSHF-ja pati luftuar pesë vite më parë që ta pajiste me pasaportë shqiptare me proceduara të përshpejtuara. Kosovari u luhat disa herë për faktin se asokohe pati një interesim të vazhdueshëm edhe nga federata gjermane. “Si futbollist i ri, unë isha rrethuar nga shumë njerëz, të cilët më jepnin këshilla pa menduar shumë se cila ishte zgjedhja më e mirë për mua. Kur e refuzova Shqipërinë, ma morën për të keq këtë fakt, pasi unë u kisha fjalën dhe nuk e mbajta. Ata nuk e kanë harruar këtë. Për këtë arsye kam dhënë shumë intervista dhe kam thënë se jam i gatshëm të përballem me kritikat. Kjo i takon fazës kur njeriu fillon të piqet”, – pati deklaruar mbrojtësi shtatlartë.
ÇFARË THA DUKA
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka thënë se ai ishte i mendimit për ta falur lojtarin. “Mendimi im është që nëse Mavraj është penduar vërtet, atëherë ai duhet të ketë shansin e tij si të gjithë lojtarët e tjerë shqiptarë. Nuk ka vend për hatërmbetje, por futbollisti duhet ta dëshmojë që është penduar vërtet për gjestin e tij. Në radhë të parë vjen Kombëtarja. Megjithatë, është trajneri ai që vendos për lojtarët që grumbullohen. Nëse ai do ta shohë të arsyeshme që Mavraj i shërben kauzës, unë nuk shoh ndonjë pengesë që ai të mos thirret”, – është shprehur disa javë më parë Mërgim Mavraj presidenti i FSHF-së.











