100 vitet e Titanikut - Historia dhe miti

100 vitet e Titanikut - Historia dhe miti
Përse një shekull më pas, tragjedia e bujshme e vitit 1912 është ende kaq e fuqishme në imagjinatën tonë kolektive? Sepse anija e famshme u mbyt ndërsa në botë po shfaqeshin mediat, të cilat do ta transformonin atë në një ngjarje epike. Sepse miti nuk i thotë kurrë të gjithë të vërtetat, por i flet zemrës tonë, frikës tonë, iluzioneve tona

Në fundjavën e Pashkëve, molet e portit Chelsea në Nju Jork ngjan me një spektakël të vërtetë. Grupe gjimnastësh që ëndërrojnë Olimpiadën, varka me vela shetisin turistët në lumin Hudson dhe hedhin përpjetë fontana festive uji, njerëz që gjuajnë peshk përballë statujës së Lirisë. Majë biçikletave të lehta plot ngjyra, shfaqen të rinjtë që po punojnë për ngritjen e kampusit në Ishullin Ruzvelt. Turistë, fëmijë, magjistarë e aktorë gjithfarësh, që të gjithë ndalen gjithsesi në molin 59, dikur nën pronësinë e shoqërisë White Star. Aty, një shekull më parë, duhej të ndalte vrapin e saj Royal Merchant Ship “Titanic”.

Nuk mbërriti kurrë në destinacion, mes mureve prej çimentoje të molit në Manhatan. Të mbijetuarit zbresin të tronditur, të lodhur, të drobitur nga bordi i anijes Carpathia, që u shpëtoi jetën. Në molin 59 u shkarkuan pa ceremoni varkat e shpëtimit të Titanikut. Që ajo tragjedi të vazhdojë të hipnotizojë fëmijët e katër brezave më pas, është diçka që të habit dhe të tërheq njëkohësisht: përse miti i Titanikut nuk shuhet, por përkundrazi është bërë pjesë e trashëgimisë tonë të shekullit të 21-të?

Përgjigja duket e thjeshtë: sepse anija e “pambytshme”, e cila u fundos kokëposhtë pas përplasjes me një ajsberg, është në të vërtetë një mit prej plazme, përballë fantazisë tonë kolektive të kohëve moderne. Pas filmit, libra, eksplorime shkencore, mijëra faqe në internet, ne besojmë se kemi mësuar gjithçka për ngjarjen, por në fakt dimë shumë pak. Nëse na pyesin, pelegrinëve të molit 59 “çfarë kujtoni nga mbytja e Titanikut”, përgjigja më e thjeshtë është: anija shihej si e pambytshme, orkestra luante himnin fetar “Më afër teje o Zoti im”, kapiteni heroik Smith, armatori hileqar Ismei që urdhëroi rritjen e shpejtësisë së anijes për të rritur prestigjin e kompanisë dhe që më pas iku i pari nga anija. Kujtojmë burrat që u veshën si gra, për të hipur në varkat e shpëtimit, por edhe fatin tragjik të pasagjerëve të klasit të tretë, të mbyllur në stivat e anijes dhe të qëlluar me armë nga marinarët, teksa përpiqeshin të dilnin në sipërfaqe.

Gjynah që asnjë nga këto fakte nuk gjejnë mbështetje në dokumenta. Askush, para tragjedisë, nuk kishte thënë se Titaniku është i “pambytshëm”. Ylli i vërtetë i kompanisë së udhëtimeve ishte anija binjake e Titanik, me emrin Olimpic, e cila në vitin 1911, kur kreu udhëtimin e parë, tërhoqi masa të mëdha gazetarësh e fotografësh pas vetes dhe që u drejtua nga i njëjti person, kapiteni Smith. Kurse për Titanikun u kujdesën shumë pak. Asnjë kronikë filmike, pak fotografi dhe pak artikuj nga shtypi. Së dyti, çështja e orkestrës mbetet gjithashtu për t’u parë. Është e vërtetë se ajo vazhdoi të luajë pjesë muzikore, por e bëri këtë për të vënë në lëvizje pasagjerët që kishin ngrirë e nuk po shkonin të vishnin jelekët e shpëtimit. Sa për himnin në fjalë, ajo është e gjitha legjendë. Së treti, kapiteni Smith nuk qe as hero, as sharlatan i tragjedisë. Rreth sjelljes së tij gjatë orëve të fundit dimë pak. Disa e përshkruajnë si të shokuar, të paaftë për të dhënë urdhëra, dikush tjetër thotë se u mundua të kontrollojë situatën, por në mënyrë pasive. Smith, të cilit i kanë ngritur një statujë në nder të asaj që ka bërë, nuk dha madje as urdhërin për të braktisur anijen (siç bëri për shembull Sketino, në anijen Konkordia), duke i ngadalësuar kështu operacionet. Lavdia që i atribuohet, është krejt false. Së katërti, Brus Ismei, armatori i Titanik, nuk u ngjit me dhunë në ndonjë varkë shpëtimi. Lejen për ta bërë këtë ja dha një oficer që merrej me shpëtimin e pasagjerëve. Ndoshta bëri vërtet presion që Titanik të rriste shpejtësinë, por jo në fazën e fundit të udhëtimit. Dhe është vërtetuar se është ngjitur në varkën e shpëtimit, kur në bishtin e anijes s’ka pasur më njeri. Kështu thotë komisioni hetimor i ngjarjes, i drejtuar nga Lordi Mersei.

Sa për pasagjerët e mbyllur pas hekurave, në ambjentet e klasit të tretë, kjo nuk ishte diçka e pashpirt, siç paraqitet, por një kërkesë e ligjit amerikan të kohës. Emigrantët e gjorë nuk do të zbrisnin në molin 59 në Manhatan. Titanik do t’i zbriste ata në ishullin Elis, ku sot ndodhet Muzeu i Emigracionit. Vizitat mjekësore, karantina, vizat hyrëse, e gjitha kjo ishte një procedurë strikte. Segregacioni ishte normë në anijet e asaj kohe. Nuk i bllokuan hekurat ata pasagjerë fatkeqë, por labirinti i korridoreve, shkallëve dhe kthesave që i ndanin nga klasi i parë dhe i dytë. Për më tepër, askush nuk qëlloi mbi ta. U qëlluan disa fishekë në ajër, për të vënë rendin në kuvertën e anijes, në një moment paniku kolektiv. Pasagjerët e klasit të parë ishin 325, prej tyre u mbytën 124 veta. Në klasin e dytë ndodheshin 284 udhëtarë, prej tyre nuk mbijetuan 166 veta. Në klasin e tretë ndodheshin 708 pasagjerë, prej tyre u mbytën 530 veta. Por bilancin më të rëndë e ka ekuipazhi: nga 908 persona të shërbimit, u mbytën 692 prej tyre. Nuk dihen raste oficerësh që vranë veten me një plumb në tëmth.

Imagjinata jonë për tragjedinë e Titanikut është kaq e gjallë, por njëherësh kaq e distancuar nga e vërteta historike. E kjo për të njëjtën arsye: pasi ende flasim për këtë anije madhështore, edhe një shekull më pas. Kinemaja, e cila sapo kishtë lindur 15 vjet më parë, u hodh mbi këtë ngjarje me shumë emocion. Shtypi popullor, asokohe shumë i përhapur, e ktheu ngjarjen në një kryqëzatë të vërtetë, duke mos u merakosur shumë për detajet dhe të vërtetën.

Armatori Ismei bëri debat në Nju Jork me njërin ndër pronarët e mëdhenj të atij shtypi që sot e quajmë “gossip”, Hearst, i cili ja ktheu inatin, duke sajuar akuza skandaloze ndaj tij. Rasti i zbritjes së një pasagjeri me një shall gruaje në qafë, që ja kishte dhënë bashkëshortja në momentin e ndarjes, për t’u mbrojtur nga i ftohti, mjaftoi për të krijuar historinë e burrave të veshur si gra, me qëllim që të përfitonin nga kriteri i seleksionimit të atyre që do hipnin në varkat e shpëtimit.

Titaniku u fundos ndërsa lindnin mediat dhe ishin këto të fundit që krijuan historinë e tij epike. Në filma duhet shpesh një dramë, një fabul, personazhe pozitive dhe negative. Dhe kush më mirë se armatori Ismei mund të shërbejë për këtë qëllim? Apo komandanti stoik, orkestra e shenjtë ose pasagjerët e diskriminuar të klasit të tretë?!

Filmi i parë rreth tragjedisë doli në vitin 1912. Thuhet madje se Dorothy Gibson, e mbijetuar e ngjarjes, luajti në atë film me rrobat që kishte veshur kur udhëtonte mbi Titanik. Filmi i parë me zë doli në 1929 dhe u quajt “Atlantik”, pasi në gjykatë, kompania White Star fitoi të drejtën e censurimit të emrit të anijes. Në vitin 1943 – si për të konfirmuar mitin e Titanik – hierarku nazist Gebels komisionoi një film me titullin “Titanic” sipas stilit të regjimit. Ismei, një shtetas hebre, kërkon rekordin e shpejtësisë për të ngritur aksionet e kompanisë White Star. Dhe si për ironi, i vetmi që jep alarmin për ajsbergun që afrohet, është një marinar gjerman. Morali i filmit: shkatërrimi dhe humbja e aleatëve! Hollivudi e nxori të parin film për ngjarjen, në vitin 1953, me një skenar-klishe, ku dominonte një histori dashurie.

Në vitin 1958, dokumentari i Walter Lord u konsiderua si më i miri nga BBC, kurse në vitin 1980 u hodh në treg një film që fliste për luftën e ftohtë, ku rusët dhe amerikanët kërkonin të gjenin mbetjet e Titanikut. Më në fund ishte viti 1997 kur filmi “kolosal” i Xhejms Kameron u shfaq, duke arritur majat e popullaritetit. Vetë Kameron pranon sot se “kam kërkuar dramën, jo të vërtetën”. Duke triumfuar, mund të shtojmë ne. Për të gjitha këto motive të vjetra dhe të reja, fëmijët e sotëm me iPhone në xhep, ndalen në këto Pashkë për t’u lutur për viktimat e asaj nate të një shekulli më parë. Jo sepse teknologjia pësoi disfatë atë natë, por sepse miti, që koha e Homerit, deri tek muzika e orkestrës së Titanikut, nuk duhet të thotë asnjëherë të vërtetën historike. Ai duhet t’i flasë kurajës tonë, frikave tona, shpresave dhe iluzioneve tona. Dhe asgjë më mirë sesa anija që nuk mbërriti kurrë në molin 59, nuk ia arrin kësaj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama