“Në mënyrë definitive janë përcaktuar dy sportistë dhe kjo nga vetë sukseset e tyre të jashtëzakonshmë në Antalia, siç është Qerimaj dhe Begaj. Për përcaktimin e tre peshëngritësve të tjerë, do të kryejmë disa konsulta në federatë, për të bërë një përzgjedhje sa më profesionale”, tha Ademi. Qëllimi kryesor i peshëngritjes, tashmë është marrja e medaljeve në Olimpiadën e Londrës. “Stërvitja për olimpiadën ka filluar që në Antalia, sepse qëllimi ynë kryesor është arritja në zonën e medaljeve në Londër”, tha Ademi. Fitimi i kampionatit Europian në dy garësh nga Erkand Qerimaj do të shpërblehet me 5 milionë lekë (të reja) dhe vendi i dytë në dy garësh për Romela Begaj do të shpërblehet me 3 milionë lekë (të reja).
“Suksesi i peshëngritjes shqiptare në evropianin e Antalias do të shpërblehet sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2006-të. Sipas këtij vendimi, shpërblimet jepen vetëm për rezultatet e dy garëshit ku përfshihet stili i shtytjes dhe i shkëputjes, pra kampioni i Evropës, Erkand Qerimaj do të shpërblehet me 5 milionë dhe nënkampionia e Evropës, Romela Begaj me 3 milionë (lekë të reja)”, tha Ademi. Europiani i Antalias dhuroi dhe disa rezultate zhgënjyese, të cilat nuk priteshin. Sipas Ademit, një nga rezultatet e papritura ishte ai i Daniel Godellit, i cili mori medaljen e bronzit në stilin e shkëputjes. “Prej tij pritej më shumë”, tha Ademi. Peshëngritja shqiptare është sporti më rezultativ në vendin tonë.
Përveç fitimit të shumë kampionateve evropiane dhe botërore për të rinj, tashmë rezultatet e jashtëzakonshme po vijnë dhe nga aktivitetet madhore, duke ndikuar ndjeshëm në imazhin e Shqipërisë në sport. Por qëllimi primar ende nuk është arritur, fitimi i medaljeve në olimpiadë, ku gjithnjë kemi dështuar. “Nëpër olimpiada konkurrenca është shumë e fortë, pasi aty marrin pjesë peshëngritës nga e gjithë bota, të cilët janë në nivele shumë të larta. Për këtë arsye peshëngritësit tanë po përgatiten duke patur parasysh rezultatet e standardeve olimpike. Qëllimi ynë primar mbetet arritja në zonën e medaljeve në Londër 2012-të”, tha Ademi. Flaka olimpike do të nisë rrugëtimin e saj më 19 maj me përshkrimin e 8000 miljeve, përpara se të arrijë në Londër më 27 korrik, ditë e cila përkon me fillimin e Lojërave Olimpike “Londër 2012”.











