Sulmuesi i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, së fundi i thirrur edhe në atë A, në ndeshjen kundër Gjeorgjisë, ka si synim jo vetëm t’i sigurojë mbijetesën skuadrës së tij, por dhe të fitojë “Këpucën e Artë”, si golashënuesi më i mirë i kompeticionit, ashtu siç bëri edhe Besart Berisha në kampionatin australian, A-League, në të cilin kosovari shënoi 19 gola. Sadiku ka shënuar deri tani një gol më pak se Igor Tadiç i Kriens, me kroatin me pasaportë zvicerane që ka realizuar 15 gola.
Armando Sadiku, dy gola kundër Biel Biene dhe dy shtylla kundër Vohlehn. Keni shënuar 14 nga 36 golat, pra gati gjysmat e golave të ekipit tuaj, Lokarnos. Sa të rëndësishmet ishin golat e tu?
Ishin shumë të rëndësishëm, pasi ne luftojmë për mbijetese në Challenge League dhe çdo fitore vlen shumë për ne. Sigurisht, golat janë ato që e bëjnë një sulmues të rëndësishëm. Në ndeshjen e fundit edhe pse isha ndër më të mirët në fushë, nuk arrita të shënoja, por gjithsesi fituam 2-0 kundër Vohlen dhe unë godita dy herë shtyllën.
Tani jeni ngjitur në kuotën e 14 golave, një më pak se golashënuesi më i mirë i Challenge League, Igor Tadiç (15). Sa ju intrigon kjo garë?
Sigurisht, që më motivon më shumë, pasi më të vërtetë është një garë e bukur midis nesh, dhe këtë fakt e kanë veçuar edhe mediat zvicerane. Tadiç është një lojtar me më shumë përvojë dhe duhet respektuar për atë që ka bërë për ekipin e tij. Në ndeshjen tonë direkte, pra midis Lokarnos dhe Kriens, secili nga ne shënoi nga një gol. Ai ka shënuar tre gola në fitoren 7-1 kundër Bruhlit, çka e ngjiti atë në kuotën e 15 golave, por unë kam besim se deri në fund të sezonit mund të shënoj më shumë. Di që, Besart Berisha e fitoi atë në Australi, kështu që dhe do të ishte shumë bukur sikur ta fitoja edhe unë në Zvicër.
Në garë me ju ështe dhe kosovari Shkëlzen Gashi, që luan për Aaru, edhe ai në kuotën e 14 golave. Cili është raporti tënd me të?
Po, së bashku edhe me kosovarin Shkëlzen Gashi, jemi të të tre në garë për fitimin e “Këpucës së Artë”. Gashi është një lojtar shumë i mirë. Luan si mesfushor i majtë dhe e ka ndihmuar skuadrën e tij të marrë pikë të vlefshme.
Le të kthehemi te Kombëtarja U-21, pasi në qershor do të luajmë kundër Portugalisë dhe Rusisë. Keni shënuar dy gola kundër portugezëve, çka u çoi në kuotën e gjashtë golave në pesë ndeshje, një mesatare shënimi perfekte. Si i shihni ato dy sfida?
Fakti që, ne do t’i luajmë ato në transfertë sigurisht që na e shton si vështirësinë, ashtu dhe përgjegjegjësinë. Unë personalisht e ndjej veten gati për ndeshjet, por në ndeshje të tilla si ato kundër Portugalisë dhe Rusisë, dy ekipeve më të mira të grupit tonë, duhet të luajmë si grup. Personalisht, do të më pëlqente t’i shënoja Rusisë, pasi u kam shënuar edhe Polonisë dhe Moldavisë.
Për herë të parë luajtët edhe me Kombëtaren A, pikërisht në miqësoren kundër Gjeorgjisë. Si e shikoni të ardhmen tuaj në Përfaqësuesen e madhe?
Sigurisht, ishte kënaqësi që u ftova nga trajneri Xhani De Biazi për atë ndeshje. Nuk diskutohet që është përgjegjësi e madhe dhe unë jam i ndërgjegjshëm për punën e madhe që duhet të bëj për ta merituar fanellën. Në Kombëtare ka sulmues të mirë, prej të cilëve mund të mësoj shumë. Si trajneri i Kombëtares U-21, Skënder Gega, ashtu dhe ai i Kombëtares A, Xhani De Biazi, apo dhe ndihmëstrajneri Paolo Tramexani më kanë kontaktuar shpesh, duke më inkurajuar dhe këshilluar shumë.
Jeni një nga emrat më të lakuar për merkaton verore, në prag të sezonit të ri. Ku do ta shohim Armando Sadikun?
Edhe pse ende nuk ka asgjë të zyrtarizuar, besoj se në fund të sezonit do të iki nga Lokarno. Oferta janë të shumta. Është një ekip i Bundesligës 1, por dhe nga Bundesliga 2. Personalisht, Gjermania më tërheq më shumë, pasi atje lojtarët shqiptarë kanë krijuar një emër të mirë.
SKEDA ARMANDO SADIKU
Vitlindja: 27 maj 1991
Vjeç: 20
Roli: Sulmues
Ndeshje këtë sezon: 22
Gola këtë sezon: 14
RENDITJA E GOLASHËNUESVE
Igor Tadic Kriens 15
Armando Sadiku Lokarno 14
Shkëlzen Gashi Aarau 14











