Roberto Mançini tha se skuadra e tij nuk kishte shanse që me këtë distancë pikësh të bënte përmbysjen e madhe, dhe në 13 maj të ngrinte titullin e tretë kampion pas 44 vitesh mungesë. Por 38-vjeçari ka shkundur shokët e skuadrës se nuk mund të vënë në dyshim një titull që vetëm një javë më parë e kishin në xhep. “Ne bëmë një ndeshje të tmerrshme. Skuadra nuk dilte në pasimet e natyrshme të saj dhe mungonte shpejtësia. Gabimet në mesfushë ishin të pafalshme. Por këtë na e bëri më të vështirë edhe presioni i kundërshtarit, ndonëse ky nuk duhet të shërbejë si justifikim.
Duhet analizuar me kujdes kjo ndeshje, sepse të dielën ndaj Aston Vilës s’mund të përsërisim të njëjtat gabime”, – tha mesfushori veteran, i cili nëse Junajtid do të shpallet kampion, do të festojë titullin e 13-të personal. Humbja me Uiganin ishte e para që prej 4 janarit, duke i dhënë fund një serie prej 8 fitoresh radhazi. “Pak muaj më parë, Siti ishte në vendin tonë me të njëjtën avantazh dhe me një golavarazh më të mirë. Ne duhet të vlerësohemi për faktin që arritëm të këmbejmë vendet dhe tani të jemi në pozita të forta për të fituar titullin. Por tani nuk na takon të bëjmë më hapa falsë deri në fund.
Do përpiqemi t’i fitojmë që të gjitha ndeshjet e mbetura. Nuk e imagjinoj dot që të mos shpallemi kampionë më 13 maj. Do të ishte një disfatë turpëruese. Por unë nuk kam frikë se kjo do të ndodhë, sepse Junajtid di t’i përballojë më mirë se kushdo tjetër situata të tilla falë eksperiencës”, – përfundoi emblema e “Teatrit të Ëndrrave”. Uellsiani me shumë gjasa do të festojë titullin e fundit në Mançester, pasi pritet t’i japë lamtumirën futbollit në rast se Ferguson nuk do t’i ofrojë të luajë dhe një tjetër sezon me “djajtë”.











