Prokuroria do të rimarrë në pyetje nga e para Viktor Gushin, personin e akuzuar për vrasjen e arkëtares Leonora Kaloçi dhe argjendarit Rrapo Sinanaj. Pak ditë pas arrestimit dhe vendimit të Gjykatës për ta lënë në masën e arrestit me burg, 44-vjeçari nga Patosi i Fierit është në pritje për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria. Organi i akuzës tha dje se ka administruar në dosje procesverbalin e marrjes në pyetje të të pandehurit në polici, por ka vendosur që ta marrë në pyetje për herë të dytë 44-vjeçarin. Sipas burimeve të Prokurorisë, deklarimet e Viktor Gushit për pranimin e 16 akuzave për grabitje në fazën dhe formën e tanishme janë të pavlefshme proceduralisht.
Kjo për faktin se në fazat e mëvonshme të çështjes, nëse 44-vjeçari tërhiqet nga pohimet e tij, ato nuk mund të përdoren për ta akuzuar. Për këtë arsye, Prokuroria ka vendosur që të rihapë dosjet e të gjitha ngjarjeve që i faturohen Viktor Gushit që nga qershori 2008 deri në vitin 2012. “Dëshmitë e të pandehurit do të ballafaqohen me provat që ndodhen në secilën nga këto dosje, pamje filmike, dëshmi apo gjurmë qofshin këto prova”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, akuza mund të mbështetet te dëshmitë e Viktor Gushit vetëm në rast se thëniet e tij kombinohen dhe dalin në harmoni me provat e tjera. Aktualisht Prokuroria tha se ka ngritur akuzë ndaj Viktor Gushit vetëm për vrasjen e arkëtares së bankës te Xhamlliku dhe ekzekutimin e argjendarit Rrapo Sinanaj, ngjarje këto që kanë dalë se janë kryer me armën që iu bllokua Viktor Gushit në banesën te rruga “Don Bosko”. Ndaj të arrestuarit janë ngritur edhe akuza për plagosjen e policit privat Skënder Elmazi dhe për armëmbajtje pa leje. Gjithë veprat e tjera penale do të hetohen nga e para nga Prokuroria e Tiranës.
Hetimi
Prokuroria e Tiranës ka pohuar se është në fazën e pritjes së analizave biologjike për gjakun dhe urinën e 44-vjeçarit, i cili do të verifikohet nëse ka përdorur lëndë narkotike apo ka qenë nën efektin e këtyre lëndëve kur i ka kryer krimet. Po kështu, grupi i hetimit ka nisur mbledhjen e dosjeve të ngjarjeve “pa autor” për të cilat akuzohet Viktor Gushi. Prokuroria, nga ana tjetër, u është drejtuar me letër-porosi autoriteteve greke për të mësuar prej tyre detaje të akuzës së ngritur vite më parë në Athinë ndaj Viktor Gushit për mbajtje dhe shpërndarje lëndësh narkotike. Veç armës së krimit “TT”, e cila përputhet me vrasjen e Leonora Kaloçit dhe Rrapo Sinanajt, Prokuroria ka si prova edhe rrobat e të arrestuarit që janë përdorur në grabitjet për të cilat ai akuzohet. tr.so
Kamerat e sigurisë së bankave
Në shumicën e rasteve të grabitjeve apo tentativave të grabitjeve të bankave të nivelit të dytë, grupi hetimor që kryen këqyrjen e vendit të ngjarjes nuk ka arritur të sigurojë imazhe të qarta të autorëve të ngjarjeve. Kjo, herë për shkak të cilësisë së dobët të kamerave, herë për shkak se shumica prej tyre nuk regjistrojnë, por thjesht monitorojnë ambientet e brendshme dhe të jashtme. Edhe në rastin më të fundit, ku u vra arkëtarja Leonora Kaloçi dhe u plagos roja i sigurisë Skënder Elmazi, sigurimi i imazhit të autorit që ndihmoi edhe në arrestimin e tij ishte një kamerë e vendosur privatisht nga një qytetar, dhe jo ato të bankës. Për këtë arsye, një nga kërkesat kryesore të diskutuara nga grupi i punës, kanë qenë cilësia e kamerave të sigurisë.
Xhamat antiplumb në banka
Gjatë analizimit të ngjarjes tragjike të 27 marsit në ambientet e bankës së nivelit të dytë në Tiranë, grupi i punës i ngritur për masat e sigurisë shtroi si nevojë mjaft të rëndësishme, ndërtimin e vetratave të bankave me xhama antiplumb. Përfundimi tragjik i tentativës për të grabitur bankën në ngjarjen më të fundit në Tiranë, nisi që nga dera e jashtme e saj dhe përbërja e xhamit. Roja i sigurisë që ndodhej brenda bankës u qëllua nga jashtë me armë zjarri nga autori tashmë i arrestuar dhe për pasojë ngjarja mori rrjedhë tjetër, duke sjellë edhe pasoja të rënda. Në rast se plumbi nuk do të arrinte të depërtonte në xham, atëherë edhe punonjësi i sigurisë do të arrinte të mbrohej. Po ashtu edhe dera e jashtme e bankës duhet të jetë e telekomanduar.
Policia: Bankat të rrisin sigurinë, të përdorin xhama të blinduar
Vrasja e arkëtares së bankës Leonora Kaloçi dhe plagosja e rojës së sigurisë gjatë tentativës së grabitjes në zonën e Xhamllikut, ka mbledhur në një takim të posaçëm përfaqësues nga Policia e Shtetit dhe nga administrata e bankave. Ngjarja e rëndë e datës 27 mars, sipas Policisë, ka sjellë si domosdoshmëri krijimin e një grupi pune për të marrë masa urgjente, në mënyrë që të parandalohen grabitjet e bankave, por çka është më e rëndësishme, sigurinë e jetës së personelit në vendin e punës. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit thanë dje nga një mbledhje që kishte si qëllim analizimin e situatës aktuale dhe ngjarjes më të fundit, se janë bërë edhe disa propozime konkrete që duhet të vihen në zbatim. Përveç disa ndryshime në ligjin nr. 8770 “Për Shërbimin e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike”, duhet vënë në zbatim edhe një plan konkret masash.
Masat duhet të nisin që nga kamerat e sigurisë së bankave, në mënyrë që të jenë me rezolucion të lartë, por edhe regjistruese. Nisur nga rasti më i fundit, rezultoi që kamerat e bankave të nivelit të dytë, në shumicën e rasteve janë vetëm monitoruese, por nuk regjistrojnë. Një tjetër domosdoshmëri për sigurinë e personelit të bankave janë edhe xhamat antiplumb, që pavarësisht kostos së lartë financiare, është e pakrahasueshme me koston që solli ngjarja e fundit në NBG Bank te Xhamlliku në Tiranë. Gjatë diskutimeve rreth problemeve të sigurisë, u ra dakord që bankat të vazhdojnë të ruhen nga punonjës të policisë private, por zona përreth filialit të bankës të patrullohet më shpesh nga Policia e Rendit. Madje, meqenëse ende nuk ka përfunduar projekti i Policisë së Shtetit për vendosjen e kamerave të sigurisë që transmetojnë pamje online në sallën e posaçme operative, të vlerësohet si variant vendosja e tyre edhe pranë zonave ku ndodhen bankat.











