Për anëtarësimin në NATO, Topi vlerëson rolin e ushtarakëve shqiptarë, institucioneve politike e kushtetuese të përfshira në procesin e anëtarësimit, vendimmarrjes politike konsensuale për reformat në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe mbështetjen e SHBA-ve dhe vendeve demokratike europiane.
“Merita kryesore e arritjes së këtij suksesi u takon ushtarakëve shqiptarë, të cilët me aftësi profesionale, kurajo dhe korrektësi, arritën ta shndërrojnë sistemin e vjetër të mbrojtjes në një model të ri modern, në standardet e njëjta me vendet e tjera anëtare të organizatës. Anëtarësimi në NATO i ka dhënë Ushtrisë shqiptare një dimension dhe prestigj të ri. Merita dhe vlerësimi u përket edhe institucioneve politike e kushtetuese të përfshira në procesin e anëtarësimit, vendimmarrjes politike konsensuale për reformat në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe në një plan më të gjerë, të gjithë shoqërisë shqiptare, si mbështetëse e fuqishme e vlerave e parimeve demokratike mbi të cilat është krijuar NATO-ja. Anëtarësimi u arrit me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të mëdha demokratike në Evropë”, thuhet në mesazhin e Topit.
“Shqipëria e meritoi NATO-n, qytetarët shqiptarë e meritojnë BE-në. Përballë këtij vullneti unanim euroatlantik është përgjegjësi direkte e institucioneve politike për ta bërë këtë aspiratë një realitet të prekshëm, të merituar, të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, thekson Topi në përfundim të përshëndetjes së tij.











