Kisha e Shen Ndoit nis pritjen e pelegrineve k

Kisha e Shen Ndoit, nis pritjen e pelegrineve k
Kisha e Shën Ndoit e cila ngrihet në grykën e malit të qytetit të Laçit ka nisur ritin e saj për të pritur besimtarët në 13 të martet deri me datë 13 qershor kur është dhe dita e përkujtimit të Shën Ndoit. Pelegrinët ngjiten në këtë mal duke kryer gjatë gjithë rrugës rite të ndryshme si: vendosjen e rrobave, përshkimin e shenjave të ndryshme në gurë dhe mure (sytë dhe trupi i Shën Ndoit), ndezja e qirinjve, vizita tek Shpella e Shën Vlashit dhe marrja pjesë në meshën tradicionale të kremtuar me këtë rast.

Për 13 të marta me radhë në këtë kishë celebrohen mesha të shenjta, ku bashkohen në lutje dhe adhurim besimtarë të shumtë. Pelegrinët më të shumtë ishin nga Lezha, Mirdita, Shkodra, Tirana, Durrësi por edhe nga disa qytete të jugut të Shqipërisë.

Fjala përshëndetëse që shkëmbejnë me njëri-tjetrin është “Shna Ndoi ju ndihmoftë!”.

Besimtarët pohuan se i drejtuam plot besim, lutje trupores së Shenjtit për paqe, shërim,bekime dhe mirëqenie, si dhe për të vdekurit që të prehen në paqe.

“Në kishën e Laçit janë shënuar shumë  mrekulli. Të sëmurët janë shëruar. Në shumë familje është rikthyer paqja dhe dashuria”, ndaj edhe vijmë këtu për t’u lutur, pavarësisht besimeve që u përkasim”, shprehen ata. Sipas tyre në këtë hark kohor 20 mars-13 qershor, cdo besimtarë duhet të bëjë të paktën 3 të marta. Një panoramë e tillë do të fokusohet për 13 të marta me radhë deri me 13 qershor ditën e Shenjtit, kur më shumë se 1 milion shqiptarë, katolikë, ortodoksë, myslimanë dhe ateistë bashkohen në lutje dhe adhurim  në Kishën e “Shna Ndout” në Laç.

Policia  në gatishmëri për “Pelegrinazhin”

Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës në të marten e parë të pelegrinazhit ka qenë në gadishmëri të plotë për të siguruar rendin dhe sigurinë publike por edhe për të mbajtur nën kontroll qarkullimin në rrugën drejt Kishës së Shën  Ndoit. Në hyrje të rrugës kanë  qëndruar gjatë gjithë ditës forcat e policisë së rendit dhe të asaj rrugore.

Drejtori i Policisë së Qarkut të Lezhës, Muharrem Furriku shprehet se është hartuar një plan masash në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Policisë Rrugore si edhe Bashkinë e Laçit, jo vetëm për këtë të marte të parë por edhe për 12 të martat e tjera. Jo vetëm në hyrje të rrugës së Kishës, por edhe gjatë gjithë segmentit ka pasur patrullime të policisë rrugore gjatë gjithë ditës së martë. Gjithashtu uniformat blu kanë qëndruar në gatishmëri edhe në afërsi të oborrit të kishës. Sipas burimeve të policisë së Lezhës nuk është shënuar asnjë incident.

Të martat e Shën Ndoit të “begata” për lypsarët

Gjatë rrugës që të çon në Kishën e Laçit dhjetëra persona zgjasin duart duke kërkuar lëmoshë. Pamje rrënqethëse dhe “migjeniane”. Shumë prej tyre nuk kanë njërën nga gjymtyrët dorën apo këmbën, disa nuk flasin, disa nëna me foshnja mbi batanijet e shtrira në rrugë. Është ky një tjetër realitet me të cilin ndeshen pelegrinët.

Nga kontaktet me “lypsarët” mësohet se pjesa më e madhe e tyre janë nga Tirana dhe Durrësi.  Ata shprehen se kemi ardhur për të siguruar “bukën e gojës”. Nga ora 07:00 deri në orën 16:00 qëndrojmë në rrugë duke kërkuar ndonjë para. Kjo është e marta e parë për ne, por ne do të vijmë çdo të marte këtu, sepse nuk kemi mundësi tjetër për të mbajtur familjen. Disa prej personazheve të “Poemës Migjeniane” por t ë jetuar në vitin 2012, heshtin para mediave duke mos deklaruar dhimbjen dhe skamjen e tyre dhe vazhdojnë të përsërisin refrenin që dëgjohet thuajse gjatë gjithë rrugës: “Shën Ndoi të ndihmoftë!”, dhe në heshtje zgjasin duart duke mos artikuluar fjalët e kërkimit të lëmoshës. Lypsarët theksuan se edhe për 12 të marta të tjera do të “ushtrojmë aktivitetin” tonë këtu në rrugët e Kishës, ndërsa ditët e tjera në qytetet tona.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama