Statusi i kandidatit per BE Shqiperia ka ende shprese

Statusi i kandidatit per BE, 'Shqiperia ka ende shprese'
Në fund të muajit tetor, si çdo vit Komisioni Evropian paraqet progres-raportin për vendet kandidate dhe ato potenciale për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në një kohë kur Serbia ka marrë sinjalin pozitiv për marrjen e statusit kandidat para prezantimit të progres-raportit, Shqipëria duket se po shkon drejtë dështimit për të tretin vit radhazi.

Një gjë e tillë ndodh për të herën parë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Maqedonia mori statusin që në vitin e parë të aplikimit, Mali i Zi dhe Kroacia e cila është thuajse anëtare e BE-së po ashtu. Serbia po e merr në vitin e dytë ndërsa Bosnja dhe Kosova ende nuk kanë bërë një aplikim të tillë.

Kroacia aplikojë në vitin 2003 dhe mori statusin kandidat në vitin 2004. Maqedonia aplikojë për statusin kandidat në mars të 2004 dhe Këshilli i Ministrave të BE-së vendosi të pranojë dhënien e statusit në dhjetor të 2005. Mali i Zi, vend që fitoi pavarësinë në vitin 2006, aplikojë për statusin kandidat katër muaj para vendit tonë, janar 2009, mori statusin në dhjetor 2010.

Shqipëria e cila ka aplikuar në 28 prill 2009 ende pret. Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui thotë se deri në tetor “ka ende shumë kohë” dhe si rrjedhojë “ka ende shpresë”.

“Nëse do ta marrë apo jo Shqipëria statusin kandidat, unë nuk e di. Në tetor shqyrtohet progres-raporti dhe mund të ketë ose jo rekomandime për dhënien ose jo të statusit kandidat. Nga tani deri në tetor ka shumë kohë dhe ka shumë gjëra që duhet të bëhen”, shprehet Sekui.

Ndërkohë sot në Komisionin e Integrimit janë diskutuar tre nga 12 prioritetet e Shqipërisë për marrjen e statusit. Anëtarë të opozitës kërkuan përfshirjen në plan veprim edhe të kufizimit të imunitetit për zyrtarët e lartë. Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu u shpreh se mazhorancë për këtë është e gatshme të ndryshojë edhe Kushtetutën.

Mosplotësimi i kriterit politik ka penguar marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka bërë fajtore opozitën për mosplotësimin e kritereve. Duke folur në tryezën për rishikimin e planit të veprimit për integrimin, Bregu u shpreh se bojkoti i opozitës dhe mosmiratimi i ligjeve me 3/5 bënë që Shqipëria të mos marrë statusin e kandidatit.

“Mungesa e dialogut nuk mundësoi marrjen e statusit kandidat. Bojkoti i gjatë nga opozita dhe bllokimi i ligjeve me 3/5 ishin kryesore për mosplotësimin e kriterit politik. Ne presim që të mos kemi më pengesa të tilla. E rëndësishme është që ligje të tjera me 3/5 të miratohen, sikurse dhe hapa të tjerë”, theksoi Bregu.

Ministrja Bregu shtoi gjithashtu se plani i veprimit ka nevojë për një rishikim, në mënyrë që të përshpejtohen hapat drejt marrjes së statusit të vendit kandidat.

Ndërsa ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui, u shpreh se mbështet rishikimin e planit të veprimit, duke theksuar rëndësinë e konsultimeve me shoqërinë civile.

“Të sigurohemi që do të merren hapa konkrete për rekomandimet e BE. Besojmë që roli i shoqërisë civile është një parakusht për integrimin në BE. Rëndësi konsultimet me shqërinë civile. Po ashtu, neve e dimë që shoqëria civile mund të luajë një rol kyç për ndërtimin e besimit të forcave të ndryshme, për transforimin e një shoqërie që mund të ketë një funksionim më të mirë të ligjit, të një ekonomie që funksionon më mirë, një shoqëri më demokratike”, deklaroi Sequi, duke shprehur gatishmërinë e BE-së për të asistuar procesin.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama